1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

“Gjysmë milioni për dreka” – Zyra e Kryeministrit del me një sqarim

Rekomandime

Zyra e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, ka dalë më një sqarim publik pas lajmeve në të cilat pasqyrohen shpenzimi i parasë publike nga zyrtarë shtetërorë për udhëtime jashtë shtetit, dreka e darka, shkruan Gazeta Express.

- Advertisement -

Në këtë reagim të zyrës së kryeministrit thuhet se raporti i përgatitur nga Zyra për Buxhet dhe Financa ka në vete të përfshira edhe shpenzimet të cilat janë të garantuara me ligj për stafin. Pra sipas komunikatës së lëshuar për media nga zyra e Haradinajt thuhet se ka pasur përgjithësim të kategorizimeve të shpenzimeve.

Sa i përket shpenzimeve për bileta e udhëtime jashtë shtetit nga zyra e Haradinajt thonë se kompania është ajo që përcakton çmimet, dhe se Autoriteti Qendror i Prokurimit ka bërë përzgjedhjen e operatorit ekonomik.

“Gjithsesi, për ta sqaruar këtë valë të re të shkrimeve, ju informojmë se Kompania për blerjen e avio-biletave është përzgjedhur, sipas procedurave ligjore nga Autoriteti Qendror i Prokurimit. Kësisoj, çmimet e biletave të ofruara nga kjo kompani, për kryeministrin dhe stafin përcjellës në udhëtimet jashtë vendit, janë të përcaktuara nga tregu, respektivisht nga operatori ekonomik, i kontratuar nga AQP dhe Kabineti i Kryeministrit nuk i përcakton çmimet e avio-biletave dhe as nuk e ka përcaktuar operatorin ekonomik për shitjen e këtyre biletave”, thuhet në sqarim

- Advertisement -

Ndër të tjera siç pretendon zyra e kryeministrit, tek kategoria e shpenzimeve për dreka, gjysma e shumës që është përfshirë nga Zyra për Buxhet dhe Financa janë pjesë e shërbimeve që siguron bufeja.

“Te shpenzimet në kategorinë e “drekave”, rreth gjysma e shumës së cekur në raportin e Zyrës për Buxhet dhe Financa i takon shërbimeve të bufes dhe përzgjedhjen e kompanisë operuese e ka bërë MAP, me procedurat dhe përgjegjësitë e tyre të punës”, thuhet në reagim.

- Advertisement -

Edhe sa u takon shpenzimeve gjatë qëndrimeve jashtë Kosovës, nga zyra e Haradinajt thonë se hotelet ku kanë qëndruar zyrtarë të kryeministrisë, janë përzgjedhur në konsultim me ambasadat e Kosovës, gjithmonë në kërkim të çmimit më të përshtatshëm.

“Shuma e mëditjeve të listuara në raport dhe të përfolura në mediume, janë kategori e përcaktuar me ligjet e Kosovës dhe i takojnë secilit zyrtar publik përfshirë edhe ata politikë në udhëtimet jashtë vendit. Hotelet ku delegacioni shtetëror ka qëndruar, kryesisht janë propozime të Ambasadave të Kosovës në vendet të cilat kanë ndodhur vizitat dhe është kryesisht përzgjedhje mbi bazën e marrëveshjes së Ambasadave dhe Hoteleve për ofrimin e çmimit më të favorshëm për qëndrim”, thuhet tutje.

Përveç tjerash në këtë reagim zyra e kryeministrit ka vënë në shënjestër mediumin “Koha”, që ka publikuar ndaras të gjitha shpenzimet, duke thënë se apostrofimi i emrave të përveçëm dhe etiketimi si shpërdorues po bëhet me tendencë dhe se nuk ka për qëllim informimin e drejtë.

Kjo pasi që ky medium kishte publikuar një artikull në të cilin thuhej se Haradinaj i vetëm kishte shpenzuar mbi gjysmë milioni euro vetëm për dreka, ndërkohë bashkë me stafin,anëtarët e kabinetit, zëvëndëskryeministrat dhe koordinatorët nacionalë janë shpenzuar 673 mijë e 223 e 14 euro.

Për këtë raportim kishte reaguar edhe dje Haradinaj i cili e kishte quajtur ‘rrenë të kulluar’.

“Është rrenë e kulluar, nuk është ashtu. Shikoni, shteti ka reprezentacion shtetëror, ne presim palë, ne mbajmë pritje shtetërore, ne udhëtojmë jashtë vendit, pra ka reprezentacion shteti, nuk janë dreka e darka të kryeministrit. Ato që i kam pa unë në media është rrenë, pra është dhënë në mënyrë të gabuar informata”, kishte thënë Haradinaj.

Në fund te reagimit të sotëm thuhet se fakti që në këto të dhëna janë përfshirë edhe dhënia e faturave, tregon nivelin e lartë të transparencës.

Gazeta Express gjatë muajit tetor ka raportuar se si zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj vetëm për dy vjet për paga, udhëtime zyrtare e mëditje ka shpenzuar 7 milionë euro.

Ramush Haradinaj gjithashtu do të mbahet në mend edhe për vendimin e kundërligjshëm për t’ia rritur pagën vetes, të cilin e kishte marrë menjëherë pasi ishte ulur në karrigen e kryeministrit. Lidhur me këtë vendim kishte reaguar Agjencia Kundër Korrupsionit e madje LDK’ja dhe Vetëvendosje kishin dorëzuar edhe padi.

Me vendimin e tij përfituan edhe ministrat dhe kabineti i tij, por në të njëjtën kohë u rëndua buxheti i shtetit. E ndonëse paga i qarkulloi për çdo muaj me rritje sa ishte Shef i Qeverisë, pas dorëheqjes deklaroi se i kishte rënë pishman për këtë vendim. Madje, kishte thënë se nuk kishte njohuri as se si rritet paga.

“Kam bërë gabim. Kam bërë një lëshim procedural realisht, se nuk e kam ditur as si rritet paga”, kishte deklaruar Haradinaj. Por, pendimi i tij nuk bëri punë. Vetëm për pagat e stafit të Zyrës së Kryeministrit, shteti harxhoi rreth 5 milionë euro për dy vite, pa llogaritur këtu shpenzimet e tjera.

Përveç këtyre shpenzimeve, qeverisja e Ramush Haradinajt, do të mbahet mend edhe për mbi 50 milionë eurot e dhëna për kompaninë “Bechtel Enka”, gjë për të cilën janë edhe duke u zhvilluar hetime.

Gjithashtu Qeveria Haradinaj do të mbahet në mend edhe për numrin e madh të ministrave dhe zëvëndësministrave. Qeveria e tij ka pasur 22 ministri dhe më shumë se 80 zëvëndës ministra, të cilët as vetë Haradinaj nuk i njifte nëpër mbledhje të Qeverisë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit