5.7 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Hapësira ajrore e Shqipërisë jashtë kontrollit: Qeveria e cilëson tentim grusht shteti

Rekomandime

Hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë që nga mëngjesi i së mërkurës është jashtë kontrollit. Për pasojë janë pezulluar të gjitha fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i vetmi në Shqipëri.

- Advertisement -

Gjashtëdhjetë kontrollorë të trafikut ajror të “Albcontrol” kanë firmosur deklaratën e paaftësisë së përkohshme për shkak, sipas tyre, të stresit të vazhdueshëm dhe uljes së pagave prej datës 24 prill 2020. Ky vendim ka sjellë dhe bllokimin e punës dhe pezullimin e të gjitha fluturimeve në Aeroportin e Rinasit.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e ka cilësuar këtë veprim si grusht shtet, ku, sipas saj, janë të përfshirë ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Në një konferencë për shtyp nga aeroporti i Rinasit, Balluku shpjegoi se ulja e pagave të këtyre punonjësve ka ardhur si pasojë e rënies së trafikut ajror për shkak të pandemisë së COVID-19, ndërkohë që shteti nuk mund të kompensojë të ardhurat e munguara, pasi, deri më tani nuk ka pasur asnjë implikim financiar në këtë drejtim të trafikut ajror.
“Do të doja të dija nga zoti Meta a mendon se do të duhej të bllokohej ardhja e vaksinave? A mundet shteti të kapet peng nga një grup njerëzish që të kërkojnë të marrin 15 rroga sa ç’merr një shqiptar? 4 mijë e 400 dollarë, për një person, do të ishin njësoj sa 14 shqiptarë. Dikush mbrëmë gjatë negociatave kishte thënë: po, 60 veta jemi ne, nuk u bë nami. Jo, ju doni pagën sa 600 shqiptarë. A duhet vallë vendi të kapet peng. Ky është grusht shteti nga disa persona që janë të pakënaqur me pagën 2 mijë e 490 dollarë. Dhe nëse nuk ia bëjnë 4 mijë e 400 dollarë mbajnë vendin peng. Nuk erdha në Rinas për të dëgjuar kërkesën që nuk bëhet fjalë ose të iki dhe të bjerë vendimi i këshillit mbikëqyrës e na jepni paratë. Erdha për t’i sqaruar se nuk është një lojë. Sot preken çdo qytetar i Shqipërisë, siguria kombëtare dhe e drejta për lëvizjen e lirë të çdo qytetari. Nuk është lojë”, ka deklaruar ministrja Balluku.

Ajo ka premtuar masa ligjore e që, sipas saj, nuk do të jenë të mira për askënd, por s’do jenë të mira as për navigimin ajror.

- Advertisement -

“Është sektor shumë i rëndësishëm, janë investuar ndër vite shumë në burimet njerëzore. Të gjithë ata kontrollorë janë të trajnuar në akademitë më të mira, për të pasur certifikatën e duhur. Janë personat më të paguar në Shqipëri”, ka theksuar Balluku.

Ministrja e Transportit, Belinda Balluku tha, se Aeroporti është marrë peng dhe se çështja po përdoret politikisht.

- Advertisement -

“Unë e kuptoj Sali Berishën, sepse e gjitha kjo është një organizim i mirëfilltë politik, në një moment fushate. Për shkak të fushatës elektorale dhe për shkak të të gjitha skemave politike që po aplikohen, sot në Aeroportin e Rinasit nuk do të vijnë dot vaksina, që do të vinin sot pasdite. Sot në Aeroportin e Rinasit, për shkak të kësaj fushate, brenda fushatës elektorale për të nxirë faqen e Shqipërisë, për të prishur imazhin, po ndodh dhe diçka tjetër, po afektohet e gjithë shoqëria”, ka shtuar Balluku.

Ajo ka treguar se fluturimet janë bllokuar prej disa orësh, por thotë se ka një plan për rihapje.

Kryeministri Edi Rama shprehet se presidenti Ilir Meta është nxitës i goditjes së çmendur, duke shtuar se nuk do t’ia dalin. Sipas Ramës, grupi i nxitur prej tij dhe Sali Berishës kanë kryer aktin e rëndë të bllokimit të aktivitetit të aeroportit “Nënë Tereza”.

“Sabotimi i rëndë i aktivitetit të aeroportit ‘Nënë Tereza’ nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu, që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës “Leshko” dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat! Organizatorët do të kallëzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin, që ndalon rreptësishtë ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve! Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë, o me antishtetin në një proces penal për cenim të sigurisë kombëtare”, ka deklaruar Edi Rama pas bllokimit të fluturimeve në Rinas.

Presidenti Ilir Meta reagoi pas pezullimit të fluturimeve në Aeroportin e Rinasit, për shkak të bllokimit të punës nga kontrollorët, raporton Koha. Kreu i Shtetit thekson se ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje pasi, sipas tij, siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare.
“Kontrollorët duhet të qëndrojnë në detyrë pa asnjë ndërprerje dhe të përmbushin misionin e tyre për të garantuar funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar”, ka thënë Meta. “Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, ka përgjegjësinë dhe detyrimin që të garantojë, që hapësira ajrore e saj të konsiderohet në çdo kohë e sigurt për fluturimet ajrore. Nuk duhet të lejohet asnjë rrezik për cenimin e sigurisë dhe mirëqarkullimit të hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, sidomos në kushtet kur për pak ditë në Shqipëri do të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile.

Pas deklarimit të kreut të shtetit ka reaguar serish kryeministri. Rama thotë se Meta bën predikime, teksa është një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje të çmendur bashkë me Sali Berishën. Ai thotë se Meta është në kërkim të palodhur të rrëzimit të qeverisë e shtetit, por duhet t’i harrojë të dyja këto.

Kontrollorët e “Albcontrol” kanë reaguar përmes avokatit të tyre për pezullimin e fluturimeve në Aeroportin e Rinasit, pas ndërprerjes së punës nga ana e tyre. Avokati Rezart Kthupi tha se kontrollorët nuk e kanë braktisur vendin e punës, por nuk ushtrojnë detyrën. Sipas tij, ulje e pagës së kontrollorëve nuk është arsyeja e vetme dhe kryesore e ndërprerjes së punës, pasi kryesore është ndryshimi i procedurave operacionale.

Policia dhe ushtria zbarkojnë në Rinas
Pas grevës së punonjësve të kompanisë “Albcontrol”, që solli pezullimin e fluturimeve, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forca të Ushtrisë kanë zbarkuar në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Policia e Shtetit ka dërguar në Aeroportin e Rinasit dy grupe të FNSH-së, ndërsa në patrullim është dhe policia ushtarake. Prezenca e policisë dhe ushtrisë bëhet për efekt sigurie, pasi “Albcontrol” është institucion i sigurisë së lartë. Hapësira ajrore e Shqipërisë në këtë moment është e pakontrolluar për shkak të mungesës në punë të kontrollorëve.

Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës (SINKON) kërkon nga Qeveria e Shqipërisë që të ulet në dialog me kontrollorët jo duke i etiketuar si vegla politike apo “armiq të popullit”. SINKON është solidarizuar me kontrollorët e “Albcontrol”, ndërsa thekson se ata janë profesionistë të shquar me të cilët kanë bashkëpunuar në mbi një dekadë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit