5.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Hoti, Bajrami e Shala kërkojnë nga UP-ja kompensimin e pagave të papaguara dhe të ardhurave të tjera

Rekomandime

Në rastin ku ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e Kujtim Shala, po kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës (UP) kompensimin e pagave të papaguara dhe të ardhurave tjera, është caktuar të merret prova me ekspertizë financiare.

- Advertisement -

Paditësit, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami e Kujtim Shala po kërkojnë nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të obligohet e paditura, UP, që t’ua paguajë atyre shumën mbi 43 mijë euro, bashkë me kamatë ligjore, duke e llogaritur nga data e paraqitjes së padisë, për shkak të pagave të papaguara si mësimdhënës për vitin 2015 dhe muajt janar, shkurt, mars, prill dhe maj të vitit 2016.

Ekspertiza financiare është caktuar në seancën e së martës, pas propozimit të përfaqësuesit të paditësve, avokatit Durim Osmani.

Avokati Osmani ka thënë se është e nevojshme të merret prova me ekspertizë financiare, me qëllim të vërtetimit të gjendjes faktike.

- Advertisement -

Tutje, i njëjti ka deklaruar se detyrë e ekspertit financiar do të jetë përllogaritja e diferencës së pagave të papaguara dhe të ardhurave të tjera, që përfshinë tatimin në pagë, pagesën e trustit pensional për gjithë vitin 2015 dhe për muajt janar, shkurt, mars, prill e maj të vitit 2016, si dhe kamatën e arritur deri më tani.

Kurse, përfaqësuesi i të paditurës, Safet Thaqi e ka kundërshtuar kërkesëpadinë e paditësve për periudhën kontestuese, duke u mbështetur në vendimin e të menaxhmentit të të paditurës, të datës 10 dhjetor 2014.

- Advertisement -

Tutje, Thaqi këtë kundërshtim e ka mbështetur në nenin 3 të Rregullores për të ardhurat personale të UP-së, në të cilin nen sipas tij thuhet se askush nga personeli akademik nuk mund të ketë dy marrëdhënie pune.

Po ashtu, Thaqi ka thënë se edhe neni 4 i Rregullores për të ardhurat personale sqaron faktin se kushdo që nga personeli akademik mungon, do t’i hiqen të ardhurat personale nga pagat mujore dhe atë sipas tij për një orë mungese do t’i hiqen 50 euro, kurse për asistent për një orë mungese do t’i hiqen 25 euro.

Në fund të deklarimit, Thaqi ka konsideruar se kërkesëpadia e paditësve është e pabazuar për kompensimin e shtesave të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas dëgjimit të palëve ndërgjyqëse, gjykatësja Rrezarta Sylejmani-Voca me vendim e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësve, për marrjen e provës me ekspertizë financiare, ku për ekspert ka caktuar Riza Blakajn.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet pas marrjes së provës me ekspertizën e lartpërmendur.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 9 shkurt 2018, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Kujtim Shala po kërkojnë nga UP-ja kompensimin e pagave dhe të ardhurave tjera.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit