Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të rinisë, më 12 korrik.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar të hënën, se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në raundin e ri të bisedimeve.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve AFP, raporton se presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel do të mbajnë një samit të premten, më 10 korrik, me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë.
Ky samit, që do të zhvillohet përmes një video-lidhje, ka për qëllim uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Zyra e presidentit Macron.
Ende nuk është e qartë se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë samit, kryeministri Avdullah Hoti apo presidenti Hashim Thaçi.
Mbajtja e këtij samitit të Parisit dhe dialogu në Bruksel vjen pas shtyrjes të një takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, më 27 qershor.
Ky takim u shty pasi më 24 qershor, Zyra e Prokurorit Special njoftoi se u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të një takse të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet.
Por, Qeveria e Kosovës në muajin qershor vendosi që të hiqte masat e reciprocitetit, me qëllim që t’i jepej shans rinisjes së dialogut.
Shtëpia e Bardhë, më 4 tetor, 2019, emëroi Richard Grenellin, si përfaqësues të posaçëm të saj për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.