4.5 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Hotin nuk e votojnë të gjithë deputetët e LDK’së – A i ka 61 vota Qeveria e re?

Rekomandime

Formacioni, me votat e të cilit LDK synon ta formojë Qeverinë, ka 66 deputetë. Por, partia e Isa Mustafës nuk i ka bindur së paku 4 deputetë të vet, e as disa të tjerë. Vjosa Osmani e Haxhi Avdyli dihet se janë kundër, ndërsa dy deputetët skeptikë, Fatmir Rexhepi e Ardian Hoxha kanë folur sot për Gazetën Express rreth votës së tyre. Behgjet Pacolli, vetë i dyti në Kuvend, thotë se e preferon opozitën. Minoritetet akoma kanë hezitime. E, Memli Krasniqi thotë për Express se PDK nuk ia voton Qeverinë LDK’së, edhe nëse i duhet ndonjë votë e saj për t’i bërë 61.

- Advertisement -

Gazeta Express

Në ditën kur u zgjodh kryeministër, Albin Kurti i mori 28 votat e LDK’së në Kuvend. Kaq përkrahje nga partia e vet nuk do të ketë kandidati i LDK’së për kryeministër, Avdullah Hoti.

LDK do koalicion me AAK’në, Nismën, AKR’në dhe minoritetet, që të gjitha bashkë kanë 66 deputetë. Derisa po paralajmërohet se Qeveria do të votohet shpejt, rrugës ka pak pengesa, duke u nisur nga brenda partisë.

- Advertisement -

Dy prej deputetëve të LDK’së, Vjosa Osmani e Haxhi Avdyli, janë haptas kundër dhe dy të tjerë që raportohet se gjithashtu nuk do ta votojnë Qeverinë e Avdullah Hotit.

Deputeti i LDK’së, Fatmir Rexhepi, është njëri prej emrave, që është përmendur se nuk do ta votojë koalicionin qeverisës në krye me partië e tij.

- Advertisement -

Rexhepi në një prononcim për Gazetën Express, as nuk ka thënë se do ta votojë, e as nuk i ka pohuar raportimet për të.

“Kur të vijë në Kuvend e shohim. Seanca është për atë punë”,

I pyetur se a do ta votojë Qeverinë e LDK’së, ish-ministri i Punëve të Brendshme që kishte dhënë dorëheqje gjatë protestave të shkurtit të 2007’ës, thotë se “cili është interesi i vendit, ashtu duhet me vepru, edhe une edhe secili”.

As deputeti Ardian Hoxha, që ka votuar kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit, nuk tregon nëse do ta votojë ose jo tash Qeverinë e Avdullah Hotit.

“Krejt cka është për me vepru, edhe me votu, në parlament e vendos, nuk jam tani për të dhënë deklaratë”, ka thënë Hoxha për Gazetën Express.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe deputeti Haxhi Avdyli, tashmë janë deklaruar kundër koalicionit të LDK’së me partitë që ishin pjesë e PAN’it. Avdyli, në javën kur Hoti u zgjidh kandidat i LDK’së për kryeministër, tha se vetëm Vjosa Osmani ka marrë vota për të qenë kandidate dhe konfirmoi se nuk do ta votojë Qeverinë e re.

“A është dëgjuar zëri i kandidatës tonë për kryeministre, mendoj që kjo mënyrë e veprimit nuk na avancon neve si LDK, por më e rëndësishme është gjendja në të cilën jemi ne si Kosovë. LDK e ka një kandidat për kryeministër, është Vjosa. Në këto raste ne nuk kemi çka të veprojmë përtej asaj, por sidoqoftë Vjosa Osmani përfaqëson zërin e qytetarëve”, ka thënë deputeti i LDK’së në emisionin Pressing në T7.

Votat PAN’it

LDK ka hedhur në votim brenda partisë koalicionin me AAK’në, Nismën, AKR’në dhe minoritetet. Megjithatë AKR’ja me dy deputetët e saj nuk është akoma e përcaktuar se a do të jetë pjesë e Qeverisë.

Behgjet Pacolli ka thënë dje për Klan Kosovën se partia e tij është e interesuar të qëndrojë në opozitë.

Pacolli, që është deputet në Kuvend, i është dhënë leje për të ardhur në Kosovë, disa javë pasi kishte mbetur jashtë vendit kur u mbyllën kufijtë për shkak të pandemisë.

LDK e AAK e Nisma tashmë janë pajtuar për koalicion dhe nga e premtja p vazhdojnë negociatat për qeverisje dhe pozitat. AAK ka 13 deputetë, e Nisma Socialdemokrate ka 4 deputetë.

Kreu i PDK’së, Kadri Veseli, në takimin e partive me Presidentin Thaci, është deklaruar për formimin e një qeverie të re dhe mosshkuarjes në zgjedhje, por ka thënë se vetë vazhdon në opozitë.

Deputeti i PDK’së, Memli Krasniqi, thotë për Gazetën Express se kjo parti nuk e voton Qeverinë e re, edhe nëse LDK’së i duhen votat e saj.

“Qendrimi ynë është shumë i qartë dhe e kemi konfirmuar tashmë disa herë që ne nuk e votojme asnjeë qeveri”, ka thënë Krasniqi.

Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë të enjtën në Pressing se nuk PDK nuk do të jetë pjesë e Qeverisë.

Votat e pakicave

Lista Serbe ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës, pa të cilat koalicioni i ri nuk mund ta arrijë shumicën e thjeshtë prej 61 votash që i duhet. Mediat kanë raportuar se serbëve do t’u takojë një zëvendëskryeministër.

Ndërkaq pakicat jo serbe, që kanë 9 deputetë, thonë se brenda partive të tyre ka akoma paqartësi e hezitime dhe se nuk janë 100 për qind unik në përkrahjen e Qeverisë Hoti.

Kështu i ka thënë Expressit, Albert Kinolli, përfaqësues i komunitetit rom në Kuvend.

“Ne vetëm jemi dakordu në parim. Por pasi jemi 4 grupe minoritete, vazhdojnë diskutimet. Deri tash nuk jemi 100 për qind unik. Secili komunitet ka specifikat e veta edhe ekzistojnë hezitime e paqartësi”, ka thënë Kinolli për Gazetën Express

Është raportuar se minorietet joserbe do të kërkojnë edhe një ministri, e Kinolli thotë se njëherë akoma nuk kanë folur me LDK’në, por kur të vijë koha, do të kërkojnë atë që u takon.

“Siç thuhet në zhargonin politik, ne s’kemi hy në pazare akoma, jemi duke diskutuar në parim. Kur të vijë koha, do të kërkojmë atë që menojmë se na takon”, ka thënë Kinolli.

Ndryshe, Qeveria Kurti është në detyrë prej fundit të marsit kur u rrëzua me mocionin e mosbesimit të nisur nga LDK’ja, që akoma është pjesë e saj.

Pas disa letrave të shkëmbyera me Kurtin, Presidenti konsideroi që Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, nuk e shfrytëzoi mundësinë për propozimin e kandidatit të ri për kryeministër. Thaci i kërkoi mandatarin LDK’së, si parti e dytë. Brenda javës së kaluar LDK mori mandatin, zgjodhi kandidatin dhe partnerët për koalicion.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit