0.8 C
Pristina
Saturday, November 30, 2024

Idriz Seferi ishte bere gati ta shpallte pavaresine e shqiptareve ne Shkup

Rekomandime

Shkruan: Aliriza SELMANI

- Advertisement -

Idriz Seferi ishte organizator i zoti, që frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet e tjera shqiptare. Ai deri në vdekje luftoi për liri dhe pavarësi,raporotn Gazeta Kosova Sot

Se çfarë ka ndodhur që ky plan kishte dështuar, u mbetet historianëve që ta studiojnë.

Kryengritësi i luftërave për një Shqipëri, Idriz Seferi, nuk kishte arritur të futej në Shkup, para më shumë se një shekulli, për të shpallur pavarësinë e gjithë shqiptarëve, meqë duket se kishte ndodhur një mosmarrëveshje mes kryengritësve të asaj kohe. Idrizi nuk kishte shkuar në as në Vlorë, ku më 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë. Baca Lush, tregonte se kur Idrizi kishte folur me Hasan Prishtinën, se kush duhej të shkonte ta ruante Ismajl Qemalin, kishte thënë: “Unë po rri me këta trima se nuk mund t’i lë vetëm e te Ismajli le të shkojë Isa se është edhe pak më i ri. Unë nuk mundem me ia kthye shpinën këtij populli”, kishte thënë Idriz Seferi. Populli i kësaj ane i është mirënjohës edhe pas vdekjes Idrizit, që ndenji me ta e nuk i la vetëm asnjë minutë. Për ta nderuar këtë figurë të madhe kombëtare, historianët e Kosovës, prej disa muajve kanë kërkuar që në qendër të Gjilanit të ngrihet shtatorja e Idriz Seferit.

- Advertisement -

Kalorësi i Karadakut Historianët thonë se njëri ndër udhëheqësit kryesorë, që organizoi luftën e popullit për çlirimin dhe mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit osmanë, serbë, bullgarë etj., dhe për bashkimin e viseve shqiptare në një shtet kombëtar, ishte kryetrimi dhe tribuni popullor i kësaj ane, Idriz Seferi. Si i ri, ai u përball me çetat serbe e bullgare, pastaj kundërshtoi dhe luftoi autoritetet lokale osmane dhe u tregua mjaft aktiv në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Lidhjes Shqiptare të Pejës. Idriz Seferi në korrik të vitit 1907 mori pjesë në asgjësimin e çetës komite serbe të Pasjanit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizmin dhe mbarëvajtjen e Kuvendit të Ferizajt, gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhënjimin e Revolucionit Xhonturk. Pas këtij Revolucioni, Idriz Seferi dha ndihmesë të çmuar në emancipimin dhe arsimimin kombëtar në Gjilan e rrethinë dhe kudo në viset tjera të Vilajetit të Kosovës. Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, Idriz Seferi luftoi heroikisht në mbrojtje të atdheut. Pas Pavarësisë së Shqipërisë në kufij të cunguar, ndonëse ishte në moshë të shtyrë, ai nuk pushoi së rezistuari e luftuari pushtuesit serbë e bullgarë. Figurat kryesore të kombit, si Hasan Prishtina, Bajram Curri e Isa Boletini, me të cilët Idriz Seferi punoi dhe veproi vazhdimisht, tashmë kanë shtatoret e tyre jo vetëm në qytete të Kosovës, por edhe të Shqipërisë. Pa dyshim se shqiptarët e Kosovës e kanë meritën e tyre të pamohueshme në pavarësinë e shtetit shqiptar. Në këtë rrugëtim, gjurmë të pashlyeshme ka lënë Idriz Seferi. “Kalorësi i Karadakut” është figura më emblematike e luftës për liri e për Shqipëri, njeri i epokës, bashkë me Isë Boletinin, Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë.

I refuzoi privilegjet për vete dhe familjen Historiani Aliriza Selmani thotë se Idriz Seferi ishte organizator i zoti, që frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet e tjera shqiptare. Ai deri në vdekje luftoi për liri dhe pavarësi. Nuk ishte vetëm prijës popullor e luftëtar i lirë, por ishte edhe strateg ushtarak që me sukses e udhëhoqi popullin e tij në luftëra e beteja për çlirim. Kushtrimit të Idrizit, populli i kësaj ane iu përgjigj gjithmonë. Ai fliste me gjuhën e popullit dhe e njihte mirë shpirtin e tij. Duke folur për Seferin, shkrimtari Ibrahim Kadriu, autor i romanit “Kalorësi i Karadakut”, në një rast pat thënë se Idrizi i ka kundërshtuar të gjitha reformat e asaj kohe që ishin në kundërshtim me të drejtat e njeriut. U dënua disa herë dhe nga të gjithë pushtetet e asaj kohe, Serbia, Bullgaria, Turqia, madje edhe me burgim deri në 101 vjet. Duke hulumtuar jetën dhe veprimtarinë e tij, shkrimtari Kadriu ka mësuar se pavarësia e shqiptarëve ishte planifikuar të shpallej në Shkup, por se kishte ndodhur një mosmarrëveshje mes kryengritësve dhe plani ka dështuar. “Se çka ka ndodhur në të vërtetë, këtë duhet ta hulumtojnë dhe ta thonë historianët”, ka thënë Kadriu. Pushtuesit e dinin se një pavarësi e shqiptarëve do të shpallej diku, por ata ishin të interesuar që ta reduktonin atë pavarësi në pikë- pamje territoriale sa më shumë që ishte e mundur. Siç dihet, shpallja e pavarësisë në Vlorë, la jashtë shtetit shqiptar trojet tjera. Pushtuesit i njihnin mirë aftësitë e Idriz Seferit, prandaj i kishin ofruar të gjitha privilegjet, nëse bashkëpunonte me ta, por Idrizi nuk kishte pranuar. Historiani Rasim Rexhepi ka thënë se Idriz Seferi nuk luftoi për pasuri, por për komb e për atdhe. Pesë djemve të tij u la vetëm një shtëpi të vogël. Ofertës së mbretit të Serbisë për t`ia shkolluar djemtë Qazimin dhe Ramadanin në Akademinë Ushtarake, ai i ishte përgjigjur duke i thënë se lufta mes shqiptarëve dhe Mbretërisë serbe nuk ka përfunduar ende.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit