Dy javë, ka qenë i hapur konkursi për rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky konkurs i hapur prej 10 deri me 21 gusht nga Ministria e Mbrojtjes ishte mundësi e mirë për shumë të rinj që të bëhen pjesë e FSK-së.
Të kontaktuar nga IndeksOnline, Ministria e Mbrojtjes, ka bërë të ditur se përgjatë këtij konkursi numri i përgjithshëm i kandidatëve, të cilët aplikuan për t’u bërë pjesë e FSK-së është 5 mijë e 439.
“Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkursin për rekrutimin e rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili ka qenë i hapur nga 10.08.2020 deri me 21.08.2020. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të cilët kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e FSK-së është 5 439 aplikues”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Por, pavarësisht këtij numri të madh të kandidatëve për t’u bërë pjesë e Ushtrisë së Kosovës, në FSK do të pranohen përafërsisht 400 pjesëtarë.
“Numri i përgjithshëm i cili do të pranohet nga konkursi për rekrutimin e rekrutëve të rinj të FSK-së, mund të jetë përafërsisht 400 pjesëtarë”, kanë thënë në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ndryshe procedurat të cilat zhvillohen pas aplikimit të kandidatëve të cilët aplikuan për t’u bërë pjesëtarë të FSK-së, zhvillohen kësisoj:
• Shqyrtimi fillestar i aplikacioneve
• Testi fizik
• Testi i inteligjencës
• Testi i njohurive të përgjithshme
• Intervista
• Testi -ekzaminimi shëndetësor.
Ndërsa konfirmimi i pranimit në FSK, bëhet me kalimin e procesit të pastërtisë së figurës dhe trajnimit bazik.
Ndryshe Forca e Sigurisë e Kosovës njihet si institucioni më i besueshëm në vend, tash e disa vjet.