Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj shefit të diplomacisë së autoritetit palestinez, Riyad al-Maliki, i cili e ka mbështetur politikën e Serbisë karshi Kosovës. Madje Krasniqi e ka quajtur Al Malikin gomar.
“Një kriminel nga Serbia e paska falënderuar një gomar nga Palestina, pse ky i fundit e ka mbështetur politikën e krimit e të gjenosidit që Serbia ka ushtruar mbi shqiptarët e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje, Kransiqi tha se kjo qasje e Al Malikit karrshi Serbisë, ka bërë që të ndjej keqardhje pse e ka mbështetur luftën e palestinezëve për pavarësi.
“Ky idiotizëm i diplomatit palestinez më bëri që të me vije keq pse për dekada e kam mbështetur luftën e palestinezëve për liri e pavarësi”, shkruan Krasniqi.
“Nejse, koha po tregon se ai ambient ka shumë idiotizëm e pak urti?!”, ka përfunduar Krasniqi.
Sipas një njoftimi të ministrisë së Jashtme të Serbisë, ministri Daçiq ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që palestinezët i kanë dhënë Serbisë në organizatat ndërkombëtare, duke mos votuar për anëtarësimin e Kosovës.
“Ne i jemi mirënjohës Palestinës për mbështetjen parimore në lidhje me Kosovën, dhe kjo mbështetje është me rëndësi të madhe sepse Palestina është shumë e vlerësuar, jo vetëm në botën myslimane, por edhe në vendet e tjera”, ka thënë kryediplomati serb.
Në njoftim thuhet se shefi i diplomacisë palestineze, Riyad Al Maliki, ka shfaqur mbështetje për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, duke thënë se ata (palestinezët) nuk mund të pranojnë asnjë pozicion që nuk është në përputhje me qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës.
Daçiq dhe Al Maliki nënshkruan edhe disa marrëveshje bashkëpunimi.
Daçiç, ka kujtuar se ish-Jugosllavia ishte ndër të parat “që njohu shtetin palestinez”, madje edhe para disa vendeve arabe.
Më 2012, palestinezët kanë arritur të fitojnë statusin e “shtetit vëzhgues jo-anëtar” në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e patën kundërshtuar rezolutën.
Palestinezët duan shtet të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me kryeqytet Jerusalemin Lindor. Izraeli kundërshton.