12.7 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

Kërkesa e ministrit Mehaj për NATO-n merr vëmendje botërore, reagon profesori i Oksfordit

Rekomandime

Profesori i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit, Samuel Ramani, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO “do të ishte mënyra më e mirë për t’u tallur me Putinin”.

Komenti i Ramanit ka ardhur pas kërkesës së sotme të ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Armend Mehaj, drejtuar NATO-s për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendit në aleancën trans-atlantike.

- Advertisement -

Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte mënyra më e mirë për t’u tallur me Putinin”, tha Ramani.

Deklarimin e ministrit Mehaj e ka transmetuar edhe agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.

Të dielën, Reuters raportoi mbi kërkesën e Mehajt për një bazë të përhershme amerikane në Kosovë dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

- Advertisement -

Pas ngjarjeve në Ukrainë ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka kërkuar nga vendet e NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë.

Mehaj përmes një shënimi në Facebook ka thënë se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

- Advertisement -

“Bazuar në realitetin e krijuar pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe reflektimit të tij në mjedisin e përgjithshëm të sigurisë së Ballkanit Perëndimor, Evropës dhe Botës, kërkojmë nga SHBA dhe të gjitha vendet aleate dhe partnere të vendit, përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO”, tha ai.

Ministri i Mbrojtjes thotë se Kosova është dëshmuar në mbrojtje të vlerave euroatlantike.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, kemi dëshmuar dhe konfirmojmë qëndrimin dhe vendosmërinë e fuqishme që jemi luftëtarë të denjë në mbrojtje të vlerave euroatlantike të lirisë, paqes dhe demokracisë, vlera mbi të cilat qëndron NATO dhe misioni i saj”.

“Aleatë tanë, edhe ju vende, anëtare të NATO-s, që hezitoni në njohjen e realitetit shtetëror të Republikës së Kosovës, mos hezitoni më!”

Mehaj tha se kjo është koha që të gjitha kombet e përgjegjshme të mos përjashtojnë askënd në vizionin e përbashkët dhe para së keqes së përbashkët.

“Kosova dhe populli i saj, në këtë kohë, të sfidës së përbashkët, si gjithmonë, qëndrojmë fuqishëm së bashku me ju në anën e duhur të historisë”.

Ministri i Mbrojtjes gjithashtu ka thënë se ka riadresuar kërkesën ndaj SHBA-së për të pasur një bazë ushtarake të përhershme në Kosovë.

“Gjithashtu, është koha të ripërsëris edhe tani, kërkesën time adresuar aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, SHBA-së, për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake të Forcave Amerikane, si garancë e plotë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit