-0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Këto janë të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë

Rekomandime

Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin sot ka mbajtur mbledhjen e 24’të, në të cilën janë marrë disa vendime. Në këtë mbledhje, është miratuar vendimi për hapjen e kufijve shtetërorë me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe me Serbinë.

- Advertisement -

Qeveria i ka proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin lidhur me nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me Financimin e Programit – Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sigurimin e Ujit. Projektligji synon të ratifikojë marrëveshjen e cila është nënshkruar më 13 korrik 2020 dhe i siguron Kosovës një kredi në shumën prej 25,100,000 euro.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për Riorganizimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës.

- Advertisement -

Qeveria ka miratuar vendimin për mbulimin e primit të policës së sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar edhe Raportin për nivelin e ekzekutimit të projekteve të financuara nga huamarrja ndërkombëtare.

- Advertisement -

Është shqyrtuar dhe miratuar edhe Koncept dokumentit për themelimin e Agjencisë për Integrim Evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, si dhe koncept dokumenti për sëmundjet ngjitëse.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për aprovimin e kritereve për financim të projekteve të komunave nga programi komunal për zhvillim të infrastrukturës socio ekonomike.

Me vendimin e aprovuar nga Qeveria e Kosovës, është autorizuar Ministri i Shëndetësisë që të bëjë plotësim – ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Organizimin, strukturën, përcaktimin e shërbimeve dhe veprimtarisë së Institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor duke tejkaluar procedurat që përcaktohen me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Rregulloren për Shërbimin Ligjor Qeveritar.

Komunikata e plotë e ZKM’së:

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës, ka mbajtur mbledhje korresponduese, e 24-ta me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje, vendime dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria i ka proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin lidhur me nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës. Në mendimin e Qeverisë janë përfshirë opinionet e Ministrisë së Financave dhe Departamentit të së Drejtës së BE-së. Sipas proceduarave përkatëse, të gjitha institucionet e lartcekura i kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës. Në rrjedhë të kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson nismën legjislative të iniciuar nga deputetët propozues të Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, nëpërmjet së cilës krijohet baza ligjore për shënimin e Ditës së Egjiptianëve më 24 qershor, si ditë memoriale.

Qeveria e konsideron të nevojshme që ky projektligj duhet të plotësohet dhe ndryshohet dhe neni 4 të fshihet në tërësi dhe të riformulohet si në vijim: “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, nuk do të jenë ditë pushimi ditët pasardhëse të punës”.

Gjithashtu, mendimi i Qeverisë është proceduar në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe për nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Qeveria ka marrë opinionet e Ministrisë së Financave dhe Departamentit të së Drejtës së BE-së të cilat kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës të tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson nismën legjislative të iniciuar nga deputetët propozues të Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës por e konsideron si jo të plotë për të përmirësuar procesin dhe procedurat e organizimit të zgjedhjeve në Kosovë. Qeveria e Kosovës konsideron se kjo nismë legjislative duhet të adresojë të gjitha çështjet që janë identifikuar si parregullsi gjatë monitorimit të proceseve zgjedhore nga organizatat monitoruese ndërkombëtare dhe vendase.

Është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me Financimin e Programit – Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sigurimin e Ujit. Projektligji synon të ratifikojë marrëveshjen e cila është nënshkruar më 13 korrik 2020 dhe i siguron Kosovës një kredi në shumën prej 25,100,000 euro.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për Riorganizimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës. Sipas vendimit emërtimi ndryshohet në Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime dhe do të përbëhet nga:

1. Kryeministri, kryesues;

2. Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit;

3. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë;

4. Ministrja e Financave;

5. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;

6. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale;

7. Ministri i Arsimit dhe Shkencës;

8. Ministri i Drejtësisë;

9. Ministri i Infrastrukturës;

10. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës;

11. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal

12. Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës;

13. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës;

14. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Investimeve dhe Përkrahjes së Ndërmarrjeve në Kosovë;

15. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës;

16. Udhëheqësi i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë;

17. Udhëheqësi i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë;

18. Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë/Komisionit Evropian;

19. Ambasada e SHBA-së në Kosovë/USAID;

20. Kryetari i Bordit apo Drejtori Ekzekutiv e Odës Ekonomike të Kosovës;

21. Kryetari i Bordit apo Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë;

22. Kryetari i Bordit apo Drejtori Ekzekutiv i Aleancës Kosovare të Biznesit;

23. Kryetari i Bordit apo Drejtorja Ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare;

24. Kryetari i Bordit apo Drejtori Ekzekutiv i Odës së Afarizmit të Kosovës;

25. Kryetari i Bordit apo Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë;

26. Kryetari i Bordit apo Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve Kosovarë;

27. Kryetari i Bordit apo Drejtori Ekzekutiv i Forumit Ekonomik të Grave;

28.Kryetarja e Bordit apo Drejtorja Ekzekutive e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës-G7

29. Kryetari i Bordit apo Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Përpunuesve të Drurit;

30. Kryetari i Bordit apo Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Qeveria ka miratuar vendimin për mbulimin e primit të policës së sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Qeveria do të subvencionojë policën e sigurimit një mujorë të lëshuar brenda periudhës 01.08.2020 – 31.12.2020. Me po këtë vendim është themeluar Grupi punues ndërinstitucional për ndërmarrjen e masave të duhura dhe përgatitjen e kushteve për aplikim në kartonin e gjelbër.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar Raportin për nivelin e ekzekutimit të projekteve të financuara nga huamarrja ndërkombëtare. Sipas Raportit, gjendja e borxhit publik në datën 30 qershor 2020 ishte 1 miliard e treqind e katërmbëdhjetë milionë e njëqind e njëzetmijë euro, prej të cilave 426.62 milionë 137 euro janë borxh ndërkombëtar, ndërsa 884.51 milionë borxh i brendshëm. Kjo përbën 18.17 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Është miratuar edhe vendimi për hapjen e kufijve shtetërorë të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Serbisë

Është shqyrtuar dhe miratuar edhe Koncept dokumentit për themelimin e Agjencisë për Integrim Evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Koncept Dokumenti analizon situatën e krijuar pas riorganizimit të Qeverisë së Kosovës dhe shuarjes së Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Duke vlerësuar se procesi i integrimeve evropiane për shtetin e Kosovës është jetik dhe duke pasur parasysh nevojën e koordinimit të zbatimit të marrëveshjeve të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, rekomandohet organizimi i Agjencionit për Integrime Evropiane.

Edhe Koncept dokumenti për sëmundjet ngjitëse ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Ky koncept rekomandon plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit aktual për sëmundjet ngjitëse, me të cilat do të mundësojë një menaxhim të drejtë të sëmundjeve ngjitëse nga ana e profesionistëve shëndetësorë, përfshirë edhe parandalimin, zvogëlimin e rrezikut dhe të përhapjes si dhe trajtimin e adekuat të sëmundjeve ngjitëse. Plotësim ndryshimet do të mundësojnë edhe themelimin e organeve koordinuese për menaxhimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse në republikën e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për aprovimin e kritereve për financim të projekteve të komunave nga programi komunal për zhvillim të infrastrukturës socio ekonomike. Financimet do të bazohen në këto kritere: Së paku një takim publik i mbajtur me qytetarë gjatë vitit 2019 (vlerësohet me 20 pikë); Së paku 10 mbledhje të mbajtura nga kuvendet komunale gjatë viti 2019 (vlerësohen me 20 pikë); Funksionimi i komiteteve te përhershme në komunë (vlerësohet me 20 pikë); Realizimi i Buxhetit për vitin 2019, në minimum prej 50 për qind (vlerësohet me 20 pikë); Vlerësimi i ligjshmërisë së akteve të jetë në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi (vlerësohet më 20 pikë. Komunat që realizojnë mbi 60% të kritereve përzgjidhen si konkurrentë potenciale për përfitimin e fondeve, ndërsa projekt propozimet duhet të jenë projekte kapitale dhe infrastrukturore deri në shumën prej 50 mijë euro.

Me vendimin e aprovuar nga Qeveria e Kosovës, është autorizuar Ministri i Shëndetësisë që të bëjë plotësim – ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Organizimin, strukturën, përcaktimin e shërbimeve dhe veprimtarisë së Institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor duke tejkaluar procedurat që përcaktohen me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Rregulloren për Shërbimin Ligjor Qeveritar. Plotësim ndryshimet do t’u mundësonin institucioneve të kujdesit parësor shëndetësor në Kosovë të testojnë për prani të antigjeneve të SARS-CoV 2 ose të antitrupave ndaj SARS-CoV 2.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit