7.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Kosova e mbushur me mallra serbe, Kurti refuzon vaksinat kineze

Rekomandime

Nga Skënder Minxhozi

- Advertisement -

Kokëfortësia e Albin Kurtit është një markë më vete në politikën kosovare. Më së shumti ai e ka reklamuar këtë trajtë të karakterit si konsekuencë dhe qëndrueshmëri në kauzat që mbron. Ja ka dalë të na shfaqet, të gjithë shqiptarëve, si politikani i tipit të ri që po rrëzon të vjetrën, edhe në emër të këmbënguljes dhe stoicizmit të njohur.

Megjithatë dy gjeste të 48 orëve të fundit (në fakt edhe të tjera para tyre), e kanë prezantuar kryeministrin Kurti, jo më vetëm si një politikan të fjalës së pandryshuar dhe të insistimit kokëfortë, por edhe si një zyrtar të lartë inatçor dhe që pëlqen të luajë më riskun dhe me kufirin e durimit të kundërshtairt. Një përfaqësues politik i cili shpesh objektivat e tij i avancon duke shpërfillur pasojat dhe duke duke flirtuar me destabilizimin e sistemit.

Një situatë e tillë u krijua kur Kurti vendosi të kërcënojë Kuvendin e Kosovës me zgjedhje të parakohshme, nëse kandidatura e Vjosa Osmanit nuk do të kalonte. Një kërcënim sa i tepërt dhe i kotë, aq edhe i rrezikshëm për qëndrueshmërinë e procesit politik dhe të ardhmes së dialogut mes pozitës dhe opozitës në Kosovë.

- Advertisement -

Përtej kalkulimeve numerike dhe shitblerjeve të minutës së fundit, që hedhin hije mbi një maxhorancë që ka ardhur në pushtet me kartën e integritetit dhe ngritjes mbi standartin historik të politikës së kulisave, që aq shumë e ka anatemuar edhe vetë Kurti dikur, duhet thënë se të kërcënosh me zgjedhje të parakohshme, kur sapo ke dalë prej tyre, është një luks që një shtet i drobitur si Kosova nuk mund t’ja lejojë vetes.

Në një republikë parlamentare shkohet në zgjedhje kur humbet shumicën qeveria, e jo kur duhet zgjedhur presidenti. Në një moment kur qeveria ka maxhorancë, kandidatura e presidentit është normale që të negociohet mes partive, e jo të përdoret si plaçkë presioni për të çuar vendin në zgjedhje një muaj e gjysëm pasi është votuar…

- Advertisement -

Sa i përket vaksinave, diçitura që kryeministri Kurti i ka gjetur refuzimit të ofertës së qeverisë shqiptare, është sa e pavend aq edhe cinike. Sot Kosovën nuk e njohin shumë vende të rëndësishme në botë. Dy prej tyre, prodhuese dhe eksportuese madhore të vaksinave anti-Covid. Emergjenca ku ndodhet sot shoqëria kosovare si pasojë e mungesës së vaksinave, nuk le shumë vend për të zgjedhur, në një garë të etshshme, ku kanë mbetur “thatë” shumica e vendeve të varfëra e të vogla.

Të thuash se nuk pranoj vaksinat kineze pasi Kina nuk njeh Kosovën, është e pandershme, kur i ke të mbushura dollapët e dyqaneve të Prishtinës me mallra serbe. Serbia nuk është një shtet që nuk njeh Kosovën, është SHTETI që nuk pranon ta njohë atë! Sipas kosovadata.com, në harkun kohor 2015-2019 Kosova ka importuar nga Serbia një volum mallrash me vlerën 1,4 miliard dollarë!

Ndoshta zoti Kurti do të bënte mirë t’i hidhte një sy dyqanit poshtë shtëpisë, para se t’i shkruante Ramës për të refuzuar vaksinat kineze, të cilat po i bëjnë nga mëngjesi në darkë të gjithë bashkatdhetarët e Albin Kurtit në këtë anë të kufirit mes dy vendeve!

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit