Përfaqësuesja e Kosovës është gati për ndeshjen më të rëndësishme në kualifikimet për Euro 2020.
Dardanët do të presin rivalin direkt për pozitën e dytë në Grupin A, Çekinë.
Përfaqësuesja e Kosovës dje zhvilloi seancën e fundit stërvitore, ku futbollistët janë parë në formë shumë të mirë dhe me entuziazëm para përballjes së sotme me çekët.
Stërvitja e fundit ka qenë kryesisht relaksuese, pa intensitet të lartë për futbollistët, por që përzgjedhësi Bernard Challandes u ka dhënë instruksionet e fundit futbollistëve për ta përballuar me sukses sfidën e sotme.
Të gjithë 22 futbollistët e grumbulluar nga trajneri Bernard Challandes janë në gjendje të mirë dhe asnjëri nga ta nuk është ankuar për ndonjë lëndim.
Pas tri ndeshjeve të zhvilluara nga dy ekipet përfaqësueses në Grupin A, Çekia ndodhet e dyta në tabelë me gjashtë pikë, ndërsa Kosova ka një pikë më pak në pozitën e tretë.
Trajneri Bernard Challandes ka deklaruar para ndeshjes se pret një ndeshje të zjarrtë nga djelmoshat e tij, pasi do të jenë të përkrahur nga 13 mijë tifozë për të marrë një fitore të madhe.
Ndeshja mes Kosovës dhe Çekisë zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri me fillim nga ora 15:00.