1.1 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Krejt çka dihet deri tash për aksidentin ku vdiqën 46 persona, shumica nga Maqedonia e Veriut

Rekomandime

Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para në të mëngjesit në autostradën e Strumës në Bullgari. 46 persona, shumica prej tyre nga Maqedonia e Veriut, kanë mbetur të vdekur në këtë aksident. Express u sjell një përmbledhje të informacioneve të deritanishme për këtë aksident.

- Advertisement -

Të paktën 46 persona, shumica prej tyre nga Maqedonia e Veriut, kanë vdekur pasi një autobus është aksidentuar në një autostradë në Bullgari.

Në mesin e viktimave ka edhe fëmijë, derisa shtatë të mbijetuar janë duke u trajtuar në spitalin e Sofjes, si pasojë e djegieve.

Për aksidentin tragjik ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme të Bullgarisë, përmes një një njoftimi në faqen zyrtare.

- Advertisement -

Në fillim u njoftua se nga ky aksident kanë mbetur të vdekur 45 persona, por më vonë u përditësua numri në 46.

“Denoncimi për një aksident të rëndë trafiku është bërë pak pas orës 2 të mëngjesit të sotëm. Sipas të dhënave fillestare nga autostrada e Strumës, rreth 31 km është aksidentuar një autobus i regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën 45 persona. Në vendngjarje kanë shkuar me kohë ekipet e policisë, zjarrfikëses dhe ambulanca. Si rezultat i veprimeve të tyre të shpejta, shtatë persona janë transportuar në spital për mjekim. Po kryhet një inspektim. Qarkullimi është ndërprerë në të dy drejtimet. Një organizim i përkohshëm për lëvizje përmes p.v. Dolna Dikanya dhe p.v. Daskalovo”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

- Advertisement -

Pas raportimeve se shumica e viktimave janë maqedonas, ka reaguar Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Zaev ka thënë se ende nuk dihet sigurt nëse ata janë shtetas maqedonas, por ka konfirmuar se në mesin e viktimave ka edhe fëmijë.

“Ne nuk e dimë nëse ata janë qytetarë maqedonas, por supozojmë se janë maqedonas. I informova shërbimet maqedonase për t’i përgatitur ekipet dhe për të arritur në vendin e ngjarjes”, tha ai për televizionin publik bullgar, BNT.

“Është tragjike që ka fëmijë në mesin e viktimave. Ne do t’u jemi shumë mirënjohës autoriteteve bullgare, nëse i zbulojnë arsyet e incidentit dhe nëse i ndajnë ato me Maqedoninë Veriore. Ndoshta qytetarët e Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore do të duan të dinë se çfarë ndodhi”, tha më tej ai, përcjell Gazeta Express.

“E dimë se ishte një zjarr i madh dhe se njerëzit vdiqën për shkak të tij, por nëse zjarri ka shpërthyer në aksident komunikacioni, para ose pas aksidentit, këtë do ta thonë ekspertët. Të mëdha janë dhimbja jonë dhe keqardhja jonë për familjet e atyre që kanë vdekur”, shtoi kryeministri maqedonas.

Për rastin ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Bullgarisë, Bojko Rashkov.

Ai para mediave tha se s’ka parë kurrë diçka të tillë dhe se pamja është e tmerrshme.

“Pamja është e tmerrshme dhe jo të gjithë mund ta durojnë atë. Nuk është për t’u parë. Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë më parë. … ne nuk mund t’ju themi sa janë apo kush janë…”, ka thënë Rashkov, raporton Dnevnik.

Si ndodhi aksidenti tragjik në Bullgari, dy versionet që po hetohen

Mediat bullgare po raportojnë lidhur me dy versionet se si mund të ketë ardhur deri te aksidenti tragjik në Bullgari.

Ende nuk dihet nëse autobusi ka marrë flakë para aksidentit apo pas tij.

Sipas Dnevnik, dy versione kryesore janë duke u hetuar – një gabim i shoferit të autobusit dhe një mosfunksionim teknik i papritur.

“Nuk dihet nëse automjeti ka marrë flakë pas aksidentit apo për shkak të tij. Dy versione kryesore janë duke u hetuar – një gabim njerëzor i shoferit të autobusit dhe një mosfunksionim teknik i papritur. Autoritetet nuk përmendën një lidhje me kushtet e rrugës si pjesë e versioneve nën hetim”, raporton Dnevnik.

Stanimir Stanev, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Kombëtare, tha për BTV se në vendin e aksidentit nuk ka pasur autobus tjetër.

Sipas ministrit të Brendshëm në detyrë Bojko Rashkov, megjithatë, automjeti ishte i fundit në një kolonë të disa autobusëve që udhëtonin së bashku pas udhëtimit.

Sipas tij, ato janë organizuar së bashku nga i njëjti pronar.

Para BTV-së, Bogdan Milçev nga Instituti për Siguri Rrugore bëri thirrje për hetimin e gjendjes së rrugës (së bashku me gabimet njerëzore dhe mosfunksionimin teknik), sepse hetimi i vetëm dy hipotezave, siç njoftojnë autoritetet, është i pasaktë.

Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona. Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes, në orët e para të mëngjesit të së martës.

Një zyrtar nga spitali në Sofje ka thënë se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi. Gjendja e tyre është stabile.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit