Deklarata e kryeministrit, Avdullah Hoti, se Inspektorati dhe Policia nuk po i zbatojnë vendimet e Qeverisë për parandalimin e pandemisë nuk i ka pëlqyer drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahirit.
Tahiri i ka thënë Hotit që të dalë në terren dhe të shoh gjendjen dhe siç është shprehur nëpunësi i Shpend Ahmetit të “mos qitet fall”
“Hoti: Policia dhe Inspektorati po shkelin vendimet e Qeverisë, nuk po zbatojnë masat anti-Covid.– Dil një ndërrim me ta, sa qet fall e nxjerr vendime pa e pas idenë e terrenit”, ka shkruar Tahiri.
Hoti sot pas mbledhjes me IKSHP e instancat tjera, ka akuzuar policinë dhe inspektoratin se nuk po i zbatojnë vendimet e Qeverisë.
“Inspektorati dhe policia duhet të bëjnë punën e tyre dhe të zbatojnë ligjin dhe vendimit të qeverisë për mbajtjen e distancës, maskës. Jemi të shqetësuar me mosrespektimin e masave në disa raste dhe me mos angazhimin e inspektoratit dhe policiës në disa raste. Ka pasur protesta në mes të Prishtinës dhe aktivitete sportive. Zingjiri komandues duhet të marrë përgjegjësi për mos respektimin e vendimeve të Qeverisë”, ka thënë Hoti.