13 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

“Me vajza kurrë si ka ecë muhabeti”, shoku i fëmijërisë së Ibrahim Rugovës rrëfen të pathënat për presidentin historik

Rekomandime

Salih Kabashi, shok i fëmijërisë së Ibrahim Rugovës, përmes një shkrimi të gjatë në Facebook ka rrëfyer të pathëna për presidentit e ndjerë.

Ai tregon se presidenti ishte tejet i urtë, dhe se me vajza kurrë nuk i ka ecë muhabeti.

- Advertisement -

Ai thotë se profesorët në Pejë kishin nivel tjetër dhe ata zbuluan Ibrahim Rugovën si një nga nxënësit më të mirë.

Rrëfimi i tij i plotë:

UNË E IBRA, dy leninisto-titistë të rinj që s’kishim pesë pare për nga një gotë salep, ndërsa kishim talent për të lavduar Titon, Jugosllavinë, Leninin e Bashkimin e tij Sovjetik
Ibrahim Rugova dhe unë, n’daç dijeni ndaç mos e dini, kemi qenë edhe leninistë edhe titistë!

- Advertisement -

Këtë fakt duhet nxjerrë në pah për hir të të vërtetës e të historisë.

Me Ibrahimin na lidh më së pari të qenmit podgurali, pastaj për nja 10 vjet rrojtja në katundet të afërta njëra me tjetrën. Më herët se këto janë nanat tona të vëllaznume ndërshejveti në kohë të rinisë e çobanisë së tyre livadheve në stomije të lumit Istog.

- Advertisement -

Ne na lidhte edhe Ura në Llukavc të Begut dhe dy brigjet ballemballë të Ujit të Istogut…

Na lidh autobusi e shofer Shaini i Pejës që na çonte 6 herë në javë në Pejë dhe që na kthente poaq herë në Gjurakovc e Istog.

Na lidhin replikat me malazez e serbë, të cilët nga ana e tyre këndonin këngë komunisto-çetnike në fund të autobusit e të cilëve ne normalistët shqiptarë të Pejës ua kthenim nga fillimi i autobusit, menjëherë mbas ulëses së shoferit, me të vetmen këngë që e kishim përshtatë për luftë muzikore me serbë e malazez:

« Krajl Nikolla kryelopa

S’merret Shkodra me dy topa… ». Këngë që të dy kampet i përfundonin me plot fishkëllima e ulurima.

Ibra nuk këndonte. Asnjëherë. S’kishte talent muzikor. Ndërsa unë po, në kupë qielli, sa më jepte Zoti kyvet! Ibra, në shenj mbështetjeje për ekipin tonë, ia nxirrte shpirtin një fletores së tij të bërë trumpetë…

Ne, nxënësit e Istogut ishim gjithmonë më të mirët e shkollave të mesme të Pejës.

Ata të Deçanit ishin më të fortë se të dy palët në rrahjen me shkelma e grushta. Pejontë neve të Istogut na xhelozonin, nga ata të përtej Bistricës trembeshin… Normal.

Ibra ishte i urtë kingj. Ishte një klasë më lart se unë, por me folë e me shkëmbye libra nuk kishte shok tjetër pos meje e vetëm meje.

Me vajzat, Ibrës, pothuajse kurrë nuk i ka ecë muhabeti. Ne, shokë të tij, nuk e kuptonim pse trembej prej tyre kur ato nuk ishin aspak të egra, bile ishin edhe më të buta se ai?!
Profesorët në Pejë kishin nivel tjetër. Ata, sidomos ata të të tri gjuhëve që mësonim në shkollë, pa vonuar i zbuluan nxënësit e mirë e me talent. Ndër ta Ibrahim Rugovën, Brahim Ukën e Cërcës.

Nuk qëndroja prapa tij në gjuhët shqip, serbisht e rusisht.

Asokohe serbishten e kishim për të dëshmuar vëllazërim-bashkimin, rusishten për mrekullim me idenë e internacionalizmit proletar.

Profesorët e dy gjuhëve të fundit, të rusishtes e të serbishtes, ishin më punëtorë me ne nxënësit, më pedagogë e, shkurt, më të aftë e më të zellshëm e entuziastë në mësimdhënie.

Mua, ndërkaq, më mërziste kur mësimet për letërsinë dhe shkrimtarët që merrnim në lëndën e serbishtes, i merrnim edhe nga profesorët e shqipes… 

(Atëherë Shqipëria e ne kishim një mur ndërmjet. Nga atje vinin emigrantë jo libra! Librat çelën shteg vetëm pas ’74-tës.).

Kishte gara. Kishim një grup letrar. Atje lexonim poezi të dobëta të shkruara në copëza letre.

Temat që na i sugjeronin profesorët ishin: E lavdismja LNÇ, Partizanët, Ylli i Kuq, 29 Nëntori, Maji i Kuq Proletar, Ditëlindja e Shokut Tito…

Shkruanim, por nuk i ruanim shkrimet tona. I hidhnim menjëherë pas leximit. Ndoshta qysh atëherë donim të zhduknim gjurmët tona të hymnizuesve të regjimit komunist jugosllav…

Profesori i rusishtes ishte një pedagog i vërtetë. Njohës i shkëlqyeshëm dhe interpretues brilant fragmentesh në poezi e prozë të shkrimtarëve të mëdhenj rusë e sovjetikë.

Ai së pari infektoi Ibrahim Rugovën me gjenitë e futurizmit rusë, me Jeseninin e Majakovskin, ndërsa mua me Lermontovin.

Na jipte detyrë të përkthenim poezi apo fragmente proze.

Ishte komunist dhe rusofil. Shkëputja e Jugosllavisë nga blloku sovjetik, atij i kishte kushtuar 4 vjet burg politik. Atje kishte shtuar dashurinë për Rusinë dhe simpatinë për Shqipërinë e Enver Hoxhës, e cila i kishte ngelë besnike Stalinit e Rusisë sovjetike… Nuk e fshihte admirimin.

Ai na pat orientuar, Ibrën dhe mua, që të abonoheshim në një revistë sovjetike. Aganjok quhej. Ajo na vinte me postë edhe pas skadimit të parapagimit.

Pra, pos rusofonë, Ibrahim Rugova e unë, Salih Kabashi, u bëmë edhe rusofilë…

Nënkuptohet edhe leninistë të zjarrtë. Sa për titistë, ne ishim bërë më herët. Përmes mësuesve të shqipes e të historisë. Natyrisht edhe të mësueses së serbishtes.

Kjo e fundit na pat ftuar të dyve që të shkruanim diçka, thellë nga vetja, për 22 Dhjetorin e lavdishëm, Ditën e themelimit të Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe t’i dorëzonim në Dom JNA (Shtëpia e Armatës Popullore të Jugosllavisë-APJ), te ndërtesa e tashme e Komunës në Pejë.

Atje shkrimet tona do të mateshin me shkrime të tjera garuese, ndër të cilat tri më të mirat do të merrnin çmime.

Ibrahimi e pat marrë Çmimin e parë. Dhe kjo më pat bë pak xheloz. Atij ia dhanë dhuratë dy libra serbisht në qirilicë, njëra për betejën e Neretvës e tjetra për atë të Sutjeskës.
Mua më patën dhënë vetëm një copë letërfalënderimi të pshurrtë…

Kur dolëm nga ceremonia e ndarjes së çmimeve, unë e Ibra u ndalëm në krye të Korzos, afë Zallit, pranë një kiosku që ishte Salepxhihane. Aty vumë re me pikëllim se as ai as unë nuk kishim asnjë pare të blenim nga një salep të nxehtë në atë orë të ftohtë dhjetori… 

Asnjë hajr nga dashuria jonë e shprehur për Titon e Armatën Popullore Jugosllave!

Sidoqoftë edhe unë njësoj si Ibra patëm dëshmuar se sa donim e se sa mrekulloheshim me LNÇ-në e me Titon, Komandantin e saj Suprem të Armatës Popullore të Jugosllavisë…

Me Titon unë u prisha pa vdekë ai qen bir qeni.

Ibra që ishte njeri i urtë kingj nuk e konsideroi asnjëherë oportune të distancohej nga titizmi që atij familjarisht i kishte sjellë aq shumë dhimbje e aq shumë të zeza… (22 janar 2020)

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit