Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes ish-emisarit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka ofruar ndihmë për ta rrëzuar politikisht anëtarin serb të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik.
Siç merr vesh gazeta malazeze, “Vijesti”, Grenell është takuar me një grup kongresistësh të Partisë Republikane më 1 dhjetor në hotelin Trump në Washington, ku në takim ka marrë pjesë edhe ambasadori serb në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriq , bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiqit për një kohë të gjatë.
Sipas “Vijestit”, Grenell në atë takim e prezantoi Dodikun si faktor të madh përçarës në Ballkan dhe Vuçiqin si partner dhe stabilizues të mundshëm.
Ndër kongresmenët që morën pjesë në takim ishin Claudia Tenny , Mike Turner dhe Nicole Maliotakos. As ata dhe as Grenell nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetës malazeze lidhur me atë takim.
Grenell deklaroi në takim se Vuçiqi do të ishte i gatshëm të ndihmonte në tërheqjen ose largimin e Dodikut dhe se ai e ofroi Zheljka Cvijanoviqin si alternativë. Në këmbim, Vuçiq shpreson se kjo mund t’ia përmirësojë imazhin e dëmtuar, veçanërisht në prag të zgjedhjeve që do të mbahen në pranverë, transmeton Express.
Një grup kongresistësh amerikanë nga ana e demokratëve kohët e fundit ia dërguan një letër presidentit amerikan Joe Biden, në të cilën u kritikua ashpër presidenti i Serbisë dhe u përmendën akuzat për korrupsion dhe presion brutal ndaj mediave. Në atë letër madje kërkohej që SHBA-ja ta shqyrtonte mundësinë e sanksioneve ndaj tij.
Pavarësisht se demokratët kanë shumicën në SHBA, ndikimi i Partisë Republikane është ende i madh dhe ata shpresojnë që në vitin 2022 të arrijnë të marrin shumicën në të dyja dhomat e parlamentit, ndaj burimi i “Vijesti” thotë se nuk është e pazakontë që Vuçiqi ende e ruan kontaktin me Grenellin.
Cvijanoviq udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara në nëntor dhe pati takime me zyrtarë nga Kongresi dhe administrata amerikane, por nuk kishte asnjë informacion zyrtar mbi temat e takimit.
“Vijesti” merr vesh se Vuçiq i është “ankuar” Dodikut dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për Ballkanin, Miroslav Lajçak, gjatë takimit të fundit në Beograd.