0.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Mirditorët, pas 48 vjetësh, takojnë mësuesin e tyre llapjan Ymer Adem Llugaliu

Rekomandime

Shkruan: Arif Ejupi

Një grup burrash nga Krahina e Mirditës së Shqipërisë kanë vizituar dje në Surkish të Podujevës ish – mësuesin e tyre të parë të Gjuhës shqipe, Ymer Adem Llugaliu.

Ata, këtë vizitë e kanë bërë me shumë vonesë, për shkak të humbjes së kontakteve me te.

Ky takim plot emocione që i ka bërë të gjithë me lot është realizuar në saje të Shaip Sadik Shehollit, të fshatit Herticë të Llapit.

- Advertisement -

Mirditorët me të kuptuar që Shaipi vije nga regjioni i Llapit, e pyesin atë për mësuesin e tyre të viteve të 70-ta, Ymer Adem Llugaliu.

Sheholli, po ashtu një mësues i hershëm në fshatrat e Podujevës, u thotë mirditorëve që qenkeni me fat. Mësuesi Juaj, edhe pse në moshë është ende gjallë. Madje vital, tamam si një Lis që s’mund ta thyejë asnjë furtunë.

Ata, të gëzuar pa masë me lajmin nisën menjëherë drejt Llapit, për të takuar mësuesin Ymer, sot 83 vjeç.

- Advertisement -


Ky takim ish-nxënësish me mësuesin e Gjuhës shqipe, Ymer Adem Llugaliu, nga Surkishi i Podujevës mbahet në restorantin “Ora”.

Shpalosen kujtime të shumta të asaj kohe. Numri i tyre s’ka të sosur, e koha për t’u rrëfyer të gjitha është e pamjaftueshme.

- Advertisement -

Mësuesi, Ymer si gjithnjë modest dhe me një memorie të jashtëzakonshme dëgjon secilin nga ish-nxënësit e tij me shumë vëmendje.

Natyrisht, që ka emocione të pa përshkruara, por pesha e këtij takimi surprizë sikur i qetëson ato.

Më në fund mësuesi e nxënësit e tij shihen në Kosovën e pavarur pas plot 48 vjetësh.

Si mësuesi Ymer, ashtu dhe nxënësit e tij Kosovën gjatë e ndjenë si plagë që kullon përherë.

Lënien e saj nën çizmen e pushtuesve jugosllavë përgjatë 50 vjetëve – shekuj e konsideruan tradhëti të kulluar kombëtare.


Kurse, Shqipërinë e tkurrur e të izoluar nga bota e përjetuan si varr kolektiv të shqiptarëve pro-perëndimorë.

Mendimet e matura dhe me peshë të mësuesit Ymer e gjithë Mirdita i kujton edhe sot.

Prandaj, paditur fatin e tij disa nga ish-nxënësit e kanë përkujtuar atë edhe më herët si mësuesin që s’harrohet kurrë.

Pikërisht, publicisti dhe politikani i njohur Luan Rama, vitin që shkoi me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit i ka kushtuar ish-mësuesit të tij në Kurbnesh, shkrimin me titull “Një lavdërim zemre për mësues Ymer Adem Llugaliun prej Kosove”

Mësuesi i popullit Ymer Adem Llugaliu, asnjëherë rrahagjokës e imponues, ka një histori të veçantë dhe tepër të dhimbshme, të cilën as biografi më i përkryer s’mund ta përmbledh ashtu si duhet.

Llugaliu, i njohur nga brezi i tij si djali me prirje të gjithanshme qysh si nxënës i pro-gjimnazit të Podujevës, kishte marrë guximin që të kundërshtojë mësuesin e Letërsisë serbe Zhikica Jovanoviq, për përkufizimin që i kishte bërë Gjuhës shqipe.

Zaten, kjo edhe u bë shkas që ai të kalojë më 1958 në pjesën tjetër të Atdheut. Këtë kapërcim të detyrueshëm përtej Bjeshkëve të Nemuna, Llugaliu e shfrytëzoi maksimalisht.

Atje, me mjaft zell e seriozitet studioi veprat e idhujve të tij si: Marin Barleti, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, At’ Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Hilë Mosi, Vinçenc Prenushi, Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, të cilin Llugaliu e mban në zemër, dhe e cilëson si pendën më të mprehtë të Letërsisë sonë.


Llugaliu, i dalluar edhe në analizë e zbërthim të Gramatikës i përfundon studimet e larta për Gjuhë dhe letërsi me sukses të shkëlqyer në Universitetin e Tiranës.

Por, duke qenë në konflikt të përhershëm me pushtetin komunist përkundër rezultateve të arritura dhe njohjes së disa gjuhëve të huaja e përplasën në Rrëshen dhe Kurbnesh të Mirditës, si mësues Gjuhe dhe letërësie.

Emërimi i tij si mësues në këtë zonë të prapambetur dhe shumë të varfër të Shqipërisë u bë me paramendim, gjë të cilën do ta dëshmojë edhe koha.

Mësuesi, Ymer parimor dhe trim i pathyer në Mirditë pritet me një ngrohtësi të paparë nga fshatarët e shumëvuajtur të kësaj zone.

Dorën në zemër edhe ai punën e mësuesit e bënte me shpirt dhe përkushtim. Mirëpo s’do të vonojë shumë dhe pushteti komunist do t’i bëjë kurthin.
Drejtoria e shkollës ku punonte mësues Ymeri kishte organizuar një eskursion me nxënësit në Bjeshkët e Valmorit. Kjo shëtitje e mësuesit Ymer me nxënësit e tij do të jetë e fundit.

Një “koleg i mësuesit Ymer, që në fakt ishte hafije dhe punonte në llogari të diktatorit Enver Hoxha, e kishte provokuar mësuesin nga Kosova, duke i thënë “Or – kosovar s’të pëlqyeka pllaja e Valmorit a?“

Mësuesi, Ymer ishte përgjigjur qartë “Më pëlqen, por shumë më e bukur është Fusha e Kosovës.”

Kjo mjaftoi që më 1975, mësuesi Ymer të izolohet në një zonë të thellë malore të Mirditës.

Pastaj, më 10 nëntor 1976, duke i mëveshur fajësinë për “agjitacion dhe propagandë “e dënojnë me 8 vjet burgim të rëndë.

Pathyeshmëria dhe betimi i dhënë se do të mbetet deri në vdekje kundërshtar i përbetuar i komunizmit dhe diktatorit të pashpirt dhe primitiv Enver Hoxha, e çojnë prapë në një kamp përqëndrimi.

Ai, atje do të qëndrojë 13 vite i detyruar që t’i bëjë punët me të rënda fizike për një kore buke të mykur, pa të drejtë që të komunikojë me njeri. Këtë izolim të egër e përjeton më rëndë se sa vitet e burgut në Spaç.

Ymer Adem Llugaliu, shembull besnikërie me 13 gusht 1984, do të jetë në mesin e atyre katër – pesë vetave që do të marrinë pjesë në varrimin e atdhetares gjirokastrite Musine Kokollari, e cila e braktisur nga të gjithë, vdes në vetmi dhe vuajtje të paimagjinueshme.

Me rënien e komunizmit në Shqipëri, që ishte më i tmerrëshmi në Evropë, lirohet nga burgu edhe mësuesi e disidenti nga Kosova, Ymer Adem Llugaliu.

Ai, si shkrimtar dhe studiues i Morfologjisë, Sintaksës dhe Leksikologjisë, e kishte të ndaluar nga regjimi të botojë qoftë edhe një varg.
Ofertën që të jetë i amnistuar nëse me shkrimet e tij e glorifikon diktatorin dhe pushtetin e tij e kishte kundërshtuar prerazi.

Të gjitha këto i kishin mbajtur në mend ish-nxënësit e tij nga Rrësheni e Kurbneshi i Mirditës, andaj me shumë dëshirë e vizituan ish-mësuesin e tyre Ymer Adem Llugaliu, veprën e të cilit si atëherë ashtu dhe sot e vlerësojnë lartë.

Institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës i detyrohen luftës së pakompromis kundër diktaturës dhe komunizmit të mësuesit Ymer Adem Llugaliu.

Padrejtësia e treguar ndaj tij që kishte kaluar në marrëzi i kishte prekur të gjithë të ndërgjegjshmit dhe idealistët e ribërjes së Shqipërisë Natyrale.

Megjithatë deri me sot pak është vlerësuar kontributi i tij, si mësues dhe kundërshtar nga më të zëshmit të diktatorit dhe diktaturës.

Llugaliu, një erudit i vërtetë me ardhjen e demokracisë dhe daljen nga burgu, saktësisht më 1993, boton veprën në vargje “Luani i Prishtinës” kushtuar heroit kombëtar Hasan Prishtina.

Këtë vepër ai e shkroi krahas punës që bënte si mësues i Gjuhës gjermane në Normalen e Elbasanit, ku edhe jetonte.

Kurse, në vitin 2000, nxjerrë në dritë romanin historiko – letrar “Poshtë Iluzionet” të edituar nga shtëpia e librit “Faik Konica” e Prishtinës.

Më 2009, shkroi romanin tjetër “Heroizëm i bardhë, tradhëti e kuqe“. E, dy vjet më vonë bëri një studim të themeltë gjuhësor të titulluar “Gjuhësi e letrarizueme“

Llugaliu, është autor edhe i broshurës dygjuhësore shqip – anglisht “Pretendimet serbe rreth Kosovës dhe realiteti kosovar“.

Më 2015, ky autor botoi librin “Ma i lashti dhe ma i riu“. Krijmtaria e Llugaliut, del edhe më e ngjeshur nëse katalogut të veprave të tij i shtojmë edhe Fejtonet “Ndarja e Shqiptarëve”, “Dënimet e shpejta“, “Nëpër gjurmët e Bujanit”, “Cilët janë shenjtorët tanë”, “ Fort po ndrit ai diell e pak po nxe”, “Deri kur do të vazhdojmë me krenari naive”, “Si s’lindi nji supershqiptar“, “Masakra e Drenicës “ etj., të cilat i botoi në të përditshmen “Rilindja” të Prishtinës.

Llugaliu, ka shkruar edhe një numër të madh poezish kushtuar fytyrave më të ndritura të kombit shqiptar.

Poezinë me shumë strofa “Ti gjithmonë kampion“ ia ka kushtuar Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Llugaliu,kishte konsideratë të lartë për Dr. Rugovën, si kritik letrar dhe udhëheqës të shqiptarëve të Kosovës.

Sigurisht i mëllefosur nga përbuzja që i është bërë me pafytyrësi dialektit të gegnishtes dhe korifjejëve të saj, e gjithë krijmtarija e Ymer Adem Llugaliut,është e shkruar në gegnishte.

Vërtetë ai edhe është njëri nga njohësit më të mirë të këtij dialekti në trojet shqiptare.

Llugaliu, pas dëbimit të Serbisë nga Kosova, punoi në Shkollën e Mesme të Lartë Ekonomike “Isa Boletini” të Podujevës, si mësimëdhënës i Gjuhës angleze.

Mbase kjo dikujt do t’i duket e pabesueshme por Ymer Adem Llugaliu, është një poliglot i vërtetë. Ai i flet dhe i shkruan katër-pesë gjuhë të huaja.

Një kohë dha kontributin e tij prej këshilltari shkencor edhe në Departamentin e Arsimit të kësaj komune.

Llugaliu, aktualisht jeton i vetëm në një banesë të thjeshtë në qytetin e Podujevës, dhe i pa trashëgimtarë, sepse ai si një Sokrat i vuajtur asnjëherë s’pranoj t’i nënshtrohet diktatorit Hoxha, dhe lavërave të tij jugosllavo-ruse.

RRON ORE! RRON! DHE NUK VDES SHQIPTARI!
Nga takimi me Profesorin tonë të Letërsisë pas 50 vitesh ndarje në Podujevë! Ai ishte Mirë me shëndet! Na priti në këmbë tek Shqiponja në Besianë të Podujevës. Kishte kujtesë të shkëlqyer.

Nuk kishte humbur asgjë nga shprehitë e pedagogut. Dhe në vend që ta surprizonim ne, na bëri ai Surprizë duke na lënë ne në pozitat e nxënësit të dikurshëm. Ne jemi krenar me mësuesin tonë. Dhe i urojmë Shendet dhe Jetë të Gjatë!

Përshëndetje dhe falenderime pa fund;
nga ana ime dhe nga shokët e mi:
Profesorit tonë të nderuar Ymer Llugaliu,
nipërve të tij Adem dhe Agim,
mikut tonë dhe tuaj, Shaipin,
si dhe miqve e të afërmëve të tyre;
për mikpritjen e shkëlqyer dhe kohën
e rezevuar ndaj nesh gjatë vizitës në Podujevë!
Të mira e gëzime të keni gjithëherë në Familjet Tuaja!
Jetë të gjtatë e shëndet Profosorit tonë të nderuar!

DERTI YNË ISHTE DHE PËRSHNDETJA JONË PËR PROFESORIN. U PËRLOTËM SI FËMIJË! LEXOJENI!

TEPËR VONË!

Erdhëm;
Vonë, shumë vonë!
pesëdhjetë vjet!
u ndamë; një Jetë!

Erdhëm;
të pamë! jo si të lamë!
si Lisi në Maj!
Por prapë, për ne,
po ai je!

Mendjet dhe zemrat tona,
ashtu të kujtojnë;
Sytë tanë,
ashtu të shikojnë!

Je po ai Lis,
në pranverë, në Maj!
ashtu si u ndamë,
ashtu si të lamë!

Lis; në më të lartën majë!
E tundi stuhia, e shkundi!
Por dot, nuk e mundi!
E mbuloi bora, u thinjë,
As ra, as u përkul në brinjë!

Shtiu rrufeja, nga reja, lart!
Pyll, e mal, e qiell, u përflak!
Po Lisi mbeti Lis!
Siç thosh, Ymer i rinisë,
Omer-Mëkues i Letërsisë!

Vonë, tepër vonë u kujtuam!
por nuk harruam!
të gjetëm;
jo ashtu si u ndamë!

Po për ne, je Lis!
Gjigand, mbi shkamb;
atje…, lart…, në Majë,
mëkues i Lirisë!

Lirinë ëndërroje,
kur zilja i printe orës,
e binte këmbanë,
kur ora, si ngjante orës,
kumbonte,
në veshët tanë,
liri e Kosovës!

Vargje. për Atë, recitoje,
orëve, e pas orës!
Kujtoje…,

e na flisje, kur..,
as hartën e Kosovës,
hartë e Shqipërisë,
s’e kishte!

E sot, si atëherë,
si ré bubullinë!
këmbanë oshëtinë!
në mal e luginë,
si Hoti Ukshin!

Jehon, mal e lis:
Bëje ose vdis!

Bëje! more drekëbërë!
Shqipërinë e pabërë!

Bëje! Shqipëri të Bërë!
Bëje! ose vdis!

Bëje! mbi shkamb,
jo mbi rërë!

Bëje! drekëbërë!
Bëje! ose vdis!

Erdhëm e na pe;
Jo si na le!
sa dilte pùshi në faqe!

Erdhëm;
me mustaqe! me mjekër!
të thinjur! të vjetër!

Vonë shumë vonë,
zvarrë, lisharës!…,
nuk erdhëm të na falësh!

Erdhëm t’ju sillnim dhuratë!
jo thuprën e zajushës,
të thantë, të thatë!
me të cilën, Ju, nuk na ratë!

Ju sollëm një bastun të gjatë!
Prej thane, të thantë!
Jo të mbahësh!
Lisi nuk mbahet me shkop!

Ta sollëm dhuratë!
Jo të na falësh!
por të na rrahësh,
sa t’ju hajë krahu!

Në kërcinjë e në kokë!
me shkop!
Nxënësit gjimnazistë, Matura MAJ 1971, Mirditë
për Profesorin e Letërsisë – Ymer Llugaliun,

Surkish, BESIANA-Podujevë

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit