9.6 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Momenti kur Amerika ia bën me dije Haradinajt se është i padëshirueshëm për Shtëpinë e Bardhë

Rekomandime

Muaji dhjetor i vitit 2018 kishte qenë vërtet i ftoftë për Kryeministrin Ramush Haradinaj. Qeveria e Kosovës kishte vendosur taksë prej 100 % për produktet serbe dhe kjo kishte bllokuar Dialogun me Serbinë, si dhe mundësinë e arritjes se një marrëveshjeje finale, shkruan Gazeta Metro.

- Advertisement -

Për këtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur t’ia bënin të qartë Ramush Haradinajt se “nuk do ta konsiderojnë partner”. Në disa mesazhe të forta që ishin dërguar në adresë të Qeverisë Haradinaj, thuhej se në rrethana të tilla “mbështetja amerikane për Kosovën nuk është e pakushtëzuar” dhe se Kryeministri Haradinaj do ta gjejë veten sa vjen e më shumë të larguar prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gazeta Metro ka siguruar një komunikim mes institucioneve amerikane dhe atyre kosovare. Këshilli i Sigurisë Nacionale, brenda Shtëpisë së Bardhë, i kishte dërguar dy e-maile Kabinetit të Haradinajt, pas kërkesës që këta kishin bërë për takime në Washington. Këto e-maile janë dërguar nga William Brad Berkley, Drejtor për Çështjet Evropiane, Baltikut, Ballkanit Evropës Qendrore dhe Detit të Zi. Ato i kishte pranuar Këshilltari i Kryeministrit Ramush Haradinaj, Erolld Belegu.

“Faleminderit për komunikimin. Sipas kërkesës suaj, ne do ta marrim atë në shqyrtim dhe do të komunikojmë sërish. Sidoqoftë, është qëndrimi ynë i vendosur që Kryeministri Haradinaj duhet të heqë tarifat dhe të luajë një rol më konstruktiv në Dialog. Ne thjesht nuk besojmë se veprimet e tij ‘kanë sjell frymë të re në një proces i cili edhe ashtu kishte sfida’ siç e thoni më poshtë. Nëse kjo vazhdon, Kryeministri do ta gjejë vetën sa vjen e më shumë të larguar prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetja jonë e vazhdueshme për Kosovën nuk është e pakushtëzuar. Mos harroni, tani është koha për kompromise jo të lehta dhe unitet nga të dy palët”, thuhet në këtë e-mail.

- Advertisement -

I njëjti zyrtar i Shtëpisë së Bardhë që ka shkruar këtë e-mail, William Brad Berkley, pat ardhur personalisht edhe në Kosovë, ku kishte zhvilluar takime me zyrtarët e lartë shtetërorë dhe kishte sjell mesazhe të ashpra. Pas këtyre qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Haradinaj nuk kishte ndryshuar pozicion, duke kundërshtuar çdo kërkesë të SHBA’ve.

Më pas, ai kishte dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit. Fillimisht kishte thënë se këtë po e bën për shkak të ftesës për intervistim që i kishte ardhur nga Gjykata Speciale, pastaj kishte thënë se dorëheqja e tij kishte ardhur nga presionet ndërkombëtare për shkak të taksës./

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit