Në fundjavë priten reshje të dobëta bore. Nga dita e martë kthjellime dhe ngrica orëve të mëngjesit
Një turbullirë me masa të ftohta ajrore nga veriu i kontinentit do të depërtojë mbi rajon natën e së shtunës dhe ditën e diel, që do të sjellë mot më të ftohtë, erëra veriore, e kohë pas kohe priten edhe reshje të dobëta bore, bën të ditur Prishtina Weather.
Shërbimi i meteorologjisë njofton se “me kalimin e kësaj turbullire, mbi rajon fuqizohen sërish fusha të presionit të lartë, që sjellin kthjellime, mirëpo nën dominimin e masave të ftohta polare, temperaturat do të mbesin të ulëta, e orëve të mëngjesit do të ketë ngrica”.
Sipas PW, ditën e shtunë vlerat e cilësisë së ajrit do të luhaten përreth vlerave mesatare dhe të pashëndetshme, e nga dita e diel, kur parashihet të ketë erëra mesatarisht të fuqishme nga veriu, pritet përmirësim dhe vlerat do të zbresin në të mira.
Parashikimi për periudhën 4-8 janar:
4.01 – Në mëngjes ftohtë dhe me ngrica. Deri nga mesdita kryesisht kthjellët. Pasdite dhe në mbrëmje vranësirat do të shtohen. Natën mundësi për reshje të dobëta shiu dhe bore.
5.01 – Ftohtë dhe me erë. Vranësira të ndryshueshme, vende-vende, kohë pas kohe reshje të dobëta bore.
6.01 – Ftohtë, kryesisht me vranësira.
7.01-8.01 – Ditën e martë, kryesisht kthjellët dhe me diell. Në mëngjes ngrica. Të mërkurën, pjesërisht vranët, me intervale më të gjata me diell. Orëve të mëngjesit ngrica.
Temperaturat e ajrit kryesisht do të luhaten rreth vlerave mesatare. Minimalet nga -7C deri në -1C, e maksimalet nga 8C, ditën e shtunë, do të zbresin deri në +1C, ditën e hënë.
Do të fryjë erë e lehtë nga verilindja 1-5m/s, e nga dita e diel mesatarisht e fuqishme dhe fuqishme nga veriu 7-14m/s.
Megjithëse nesër do të pësojë rënie të lehtë, shtypja atmosferike do të mbetet e rritur mbi vlera normale.