1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Në “Bandën” e Haklajve apo me “Bandën” e Berishës??!!

Rekomandime

Nga Azgan Haklaj

Partia Demokratike nuk është lopë për t’u mjelë e vreshtë për t’u vjelë

- Advertisement -

Ëndrra e Kreshnik Çollakut për t’u bërë Lalë Krosi do mbetet utopi

Historia nuk përsëritet dy herë Çollak

Bota është e guximtarëve

- Advertisement -

Dikur ju guxuat si emisar, por mos guxoni sot të godisni vlerat e PD-së

Gjuha Shqipe e sidomos dialekti gegnisht i saj në të dy variantet si gjuhë e popullit e variant letrar shquhet për një pasuri të jashtëzakonshme frazeologjie, ku epitetet, krahasimet i japin mundësi secilit të interpretojë mendimet e fjalët në kuptimin që atij i intereson më shumë në debatet dhe luftën politike me kundërshtarët e vet.
E kjo është e natyrshme për sa kohë je i çarmatosur nga argumentat dhe të vertetat e pakontestueshme, nga virtyti dhe morali, nga minimumi i dinjitetit njerëzorë e guximi intelektual për të parë të vertetën drejt e në sy, cila do qoftë ajo.

- Advertisement -

Para 25 shekujsh Platoni e Aristoteli patën një debat të ashpër mes tyre, e në fund Aristoteli tha shprehjen e famshme që ka mbetur në histori:
“E kam mik Platonin, por më shumë të vertetën”.

“Do ta them të vertetën troç, edhe sikur të gjithë të jenë kundër saj, sepse ata që do ta kundërshtojnë me fort atë do ta përqafojnë të parët, e do të përpiqen ta marrin autorësinë e saj” është postulati që na ka lanë filozofi i lashtë grek.
Ka shumë postulate për të vertetën por zgjodha Aristotelin e lashtë si reference të këtij opinioni.

Fjala bandë e bandit ka hyrë në fjalorin politik e ideologjik të diktaturës staliniste hoxhiste, për të etiketuar me këtë emër udhëheqësit e shquar të rezistencës antikomuniste e luftëtarët e tyre të lirisë, pinjollë të familjeve e fiseve patriote e nacionaliste, të cilat brez pas brezi u sakrifikuan e dhanë jetën për Atdheun e lirinë e tij.
Naryralisti anglez me famë botërore Çarls Darvin në veprën e tij të njohur “Origjina e llojeve” shpjegon se lufta brenda llojit në procesin e evolucionit e seleksionimit natyral është ajo me e ashpra.

Këtë e ka konfirmuar 2000 vjet para shkencëtarit britanik vetë Bibla, e cila na tregon se historia e njerëzimit fillon pikërisht me një krim të shëmtuar kur Kaini vret vëllain e tij Abelin, madje edhe historia e qytetërimit romak fillon me vrasjen e Remit nga Romuli.

Fakti që unë rrjedh nga një familje e përsekutuar nga regjimi komunist dhe mbaj një mbiemër, i cili dy shekujt e fundit shëndrit me shkronja të arta në historinë e shqiptarëve e në përpjekjet e tyre për liri, pavarësi më ka bërë t’i mpreh shqisat e të mësoj përmendesh historinë e të parëve të mi, sepse në fund të fundit historia e fiseve është historia e Kombit tënd.

“Nga oborri i shtëpisë time fillon historia e Kombit tim” deklaronte me krenari diplomati gjerman, ish ministri i jashtëm Gensher.

Gjatë tri dekadave të angazhimit tim politik intelektual e artistik, në betejat për demokraci e shtet të së drejtës, pluralizëm të vertetë të mendimit, për çështjen kombëtare jam etiketuar nga falangat kriminale të së majtës si anëtar i “Bandës” së Berishës, por sa herë ka zgjedhje në parti, apo fushatë propozimesh nga baza për ta përfaqësuar PD në përballjet elektorale, nga nëntoka blu, e emisarëve, apo laboratorët e kollonës së pestë në PD etiketohem si anëtar i “Bandës” së Haklajve.

Sigurisht që nga krejt bota sllave jam sulmuar disa herë duke me etiketuar si “bandit,” kriminel e lloj- lloj nofkash.
Diplomacitë dhe sherbimet sekrete të sllavëve nëpërmjet mediave të kontrolluara prej tyre kanë fabrikuar ushtri imagjinare UÇT-në apo TMT-në dhe me kanë pagëzuar mua si komandanti të saj.
Këtë u përpoq të bënte së fundmi Lalë Krosi i Selisë Blu, Symbyl Aga, “guximtari” Kreshnik Çollaku, i cili u stërmundua të pengonte propozimin tim për kandidat për deputet nga baza e PD- së Tropojës, me anë të intrigave për mua herë si antiBershë e herë si antiBashë, herë si Haklaj antiPD, pasi ka shkelur disa herë udhëzimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, pa ju krijuar shanse të barabarta të gjithëve, por ka praktikuar imponimin e kandidatëve preferencialë të tij dhe ustallarëve të vet me lidhje nepotike, të afërta farë e fisnore e komerciale, të krekosur nëpër presidiume me mbështetjen e tij, duke shfrytëzuar mungesën time.
Veprimet e guximtarit Kreshnik me kujtuan një mik timin artist.

Para dy dekadash Sadri Ahmeti, poet, piktor e disident i shquar, i burgosur politikë me tha degjo miku im.
“Jam arratisur nga Plava në moshën 18 vjeçare, sepse donin të me arrestonin si enverist të rrezikshëm.
Arrita të vij në Shqipëri, por këtë herë me vunë prangat vertetë, por si agjent i Titos, e më mbyllën në ferrin e Spaçit.
Është koha të referohemi të gjithë kush jemi e nga vijmë?!
Cila është prejardhja e vërtetë?!
Cila është rruga që kemi përshkruar në breza?!

Çfarë kontributi kemi dhënë për Atdheun, për demokracinë, familjarisht e personalisht ?!
Nëse mbiemri Haklaj i kujton ndokujt ndonjë emër bande e banditësh atëhere me duhet të ju sjell në vëmendje Lidhjen Shqiptare të Prizrenit;
Nëse Sylejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ali Ibra, Mic Sokoli, quhen banditë atëherë le të pagëzohet edhe stërgjyshi im Shpend Zeqir Haklaj si”Bandit”, i cili ishte drejtues i formacioneve ushtarake të Gashit dhe është plagosur në Betejën e Shtimjes, ditën që i vuni gjoksin topit Mic Sokoli me dt 21 prill të vitit 1881.
Nëse quhen banditë etërit e pavarësisë Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, le të quhen banditë deshmorët e Atdheut Zmajl Plak Haklaj rënë në betejë me hordhitë turke në vitin 1908-të, në Deçan dhe Man Arif Haklaj, rënë në kodrat e haklajve, në betejat legjendare të Gashit, të udhëhequr nga Adullah Hoxha, Shpend Zeqir Haklaj, Arif Delia, Halil e Zeqir Brahimi me ushtrinë e stërmadhe të Turgut Pashës në kryengritjen e vitit 1910-të.
Në këto beteja epike u shqua vllaznia Haklaj, Shpend Zeqiri me të bijtë dhe vëllain e tij Groshin.
Mbeti në fushëbetejë Mani, nipi i Shpendit.

Pra siç na deshmon historia, të parët e mi u etiketuan “Bandë” që në kohën e Sulltan Hamitit e në vazhdimësi, por për veprimtarinë e shquar patriotike ky “Banditi”, Shpend Zeqiri është dekoruar me “Medaljen e Trimërisë”, për sherbime të larta ndaj Atdheut”.
Nipi i Shpendit Rrustem Sadri Haklaj, kapiten i ushtrisë mbretërore “Deshmor i Atdheut” ra në krye të detyrës në vitin 1937-të për mbrojtjen e Institucioneve, burgun në Kalanë e Gjirokastrës nga sulmet e rebelëve shqipfolës të paguar nga qeveria monarko fashiste greke.
Ai e mbrojti për 36- të orë Kalanë e Gjirokastës ku ishin të burgosur kriminelët me të rrezikshëm.
E mbrojti me vendosmëri e trimeri të rrallë si Oso Kuka Vraninën, deri sa ra në fushën e nderit për t’u përjetësuar në pavdekësi.

Për kundërshtarët edhe Rrustemi natyrisht quhet “Bandit”.
“Bandë” sipas kutit të Serbisë quhet UÇK- ja e lavdishme dhe të gjithë ata që e mbështetën atë quhen “banditë”.
Haklajt ashtu si fiset e tjera të mëdha e patriote të veriut shqiptar si Mulosmanajt e Tropojës, Ndreajt e Dibrës, Markagjonët e Mirditës, apo Allamanët e Matit kanë e do të kenë në gjirin e tyre njerëz që mendojnë ndryshe politikisht, por për ta Perendia është Atdheu e profeti i tyre Gjergj Kastrioti.
Qysh në fillimin e lëvizjes demokratike Haklajt u rreshtuan në vijën e parë të betejës në vitet 90-të.
Gjithkush ka të drejtën të vazhdojë rrugëtimin apo të ndryshojë qëndrimin për shkak të rrethanave, interesave e orientimit, por unë nuk ndryshova vazhdova maratonën demokratike dhe shërbimin për çeshtjen kombëtare, i bindur për të paguar çmimin e lartë shumëplanësh, por kurrë i hipotekuar për askënd.
Nga kullat e haklajve dolën artistët dhe artistet e përmasave kombëtare, shtylla kurrizire e Ansamblit Dardania, fitues i disa çmimeve kombëtare e disa trofeve ndërkombëtare.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit tě Skënderbeut” që unë drejtoj prej 18- vitesh mbështeti fuqishëm Partisë Demokratike, në të gjitha ciklet zgjedhore duke mbështetur kandidatët e saj në zgjedhjet lokale dhe parlamentare, ndonëse kam qenë kandidat i propozuar në vijimësi, por kurrë hatërmbetes edhe pse për 8- vite të qeverisjes së saj më eklipsuan me harresë.
Udhëheqësit e mëdhenj lokal dhe qëndror kujtoheshin për mua në zgjedhjet e radhës, e përsëritnin të njëjtin ritual pas përfundimit të tyre, harresën e mosmirënjohjen.
Nënë Terezja, Shenjtorja Shqiptare kur mori Çmimin Nobel për Paqe tha:
“Nga gjaku e origjina jam shqiptare, nga besimi katolike, nga shtetësia indiane”.
Edhe unë jam krenar nga mbiemri që mbaj.
Rrjedh nga një familje patriote, atdhetare, nacionaliste e djathtë dhe e përsekutuar nga baba dhe nëna.
Nga gjaku jam Haklaj, nga bindja politike jam blu, demokrat, qëndrestar i papërkulur, i vendosur për kauzën së cilës i besoj, i pashantazhueshëm dhe i pakomromentueshëm.
Pavarësisht shpifjeve, intrigave, kurtheve, skenarëve, asnjë palë nuk me ka bërë kurrë dot Pal Mylish.
Sigurisht që për mbrojtjen e kauzës time në rrugën drejtëvizore, pa zigzage, me ndershmëri e transparencë, me forcën e argumentit, fuqinë e arsyes, besimin e madh tek Zoti, vetja dhe familja, i bindur në aksiomën filozofike se liria dhe mbrojtja e demokracisë dhe vlerave të saj nuk kanë çmim.
I vetëdijshëm për sakrificën sublime, por i vendosur deri në vetëmohim kam kaluar një kalvar të gjatë, përmes shumë kasandrash, duke paguar një çmim të lartë së bashku me familjen time përmes prangave, plumbave, tritoleve, ku mbeti e vrarë gazetarja Shotë Haklaj.
Ndërsa Symbyl Agës së Partisë time, të cilën ka mision ta shkatërrojë Kreshnik Çollakut, po i kujtoj këtij aventurieri që mburret me sloganin “unë guxoj”, se ai guxoj atëhere si emisar’ duke e braktisur PD- në në momentet me të vështira të saj.
Aq guxim ka Kreshniku ynë sa kandidon për kandidat me një anëtar një votë në grupseksionin nr 2 në Tiranë, ku kryetare është motra e tij Arlinda, një ish nëpunëse e lartë në administraten e Partisë Socialise në ministrinë e kulturës.
A quhet nepotizëm ky Çollaku ynë?!
Kështu veprove edhe në Tropojë Kreshniku emisar, imponove një dyzinë kandidatësh që ka 15-të vite që i ndërrojnë rrolet si në skeçe dhe e kanë çuar PD- në e Tropojës në kufijtë e fitores së Pirros, por emrin tim nuk e ndalët dot pavarësisht premtimit që u kishe bërë ustallarëve të t’u.
Ju e keni braktisur PD- në Kreshnik e tani keni hyre nga dritarja në godinën simbol të demokratëve.
Po të kujtoj Çollak se në vitet 1997-të e kam ngritur së bashku me një grup intelektualësh PD- në e Tropojes nga hiçi dhe ka arritur zenitin e saj në vitin 2003 duke i fituar të gjitha njesitë vendore të Tropojës.
Në vitin 2005 jam larguar nga drejtimi i kësaj dege të fuqishme dhe nga Parlamenti i Shqipërisë, por e kam lanë në diferencë me të majtën me rreth 6000 vota.
Është kjo arsyeja që demokratët e Tropojës, ata që me votuan në mënyrë plebishitare nga burgu politik si deputet kanë kërkuar në të gjitha ciklet zgjedhore qysh nga 2005 gjer sot për t’i përfaqësuar përsëri në Kuvendin e Shqipërisë, sepse në asnjë çast të vetëm nuk e kam braktisur kauzën e tyre.
E vertetova edhe ne shembien e traut pa alternativë në Rrugën e Kombit dhe në mbrojtjen e dekretit të Presidentit z Ilir Meta kundër zgjedhjeve lokale moniste të 30- të qershorit të vitit 2019-të, duke qenë në ballë të protestave, për të cilat u përndoqa nga regjimi i Sulltan Ramës për një kohë të gjatë.
Une jam njeri prej atyre njerëzve fisnikë, patriotë e liridashës, si në pushtet, si në opozitë, si deputet apo qytetar i lirë.
Ndonëse i pavlerësuar qysh nga 2005 gjer më sot nuk e braktisa Partinë time siç e braktise t’i Çollak, por e mbeshteta fort atë në të gjitha fushatat elektorale, protestat e fuqishme, çadrën e lirisë për mbrojtjen e demokracisë, institucionit të votës së lirë e shtetin e së drejtës.
Unë i kam përcjellur të ikurit e deshpëruar për shkak të humbjes së karrikeve e posteve që nuk lanë gjë pa thanë për PD- në dhe kam pritur të kthyerit për mandate e ofiqe, e që do të vazhdojë përsëri në kor të shajnë Partinë e tyre në momentin që nuk marrin atë që kërkojnë me imponim.
Askush të mos mendojë, asnjë palë, se me anë të skenarëve të ulët e të kulisave, të njerëzve spiunë të sigurimit të shtetit, oligarkëve, kakistokratëve, plutokratëve, pragmatistëve, utilitarëve, mercenarëve, jeniçerëve, akinxhijëve, familjet e të cilëve i kanë sherbyer fashizmit, dhe UDB-së të vertetuara tashmë me dokumenta arkivore dhe të publikuara në mediat e shkruara që e kanë kapur si oktapod PD- në e Tropojës dhe kanë shtrirë tentakulat e veta edhe në Tiranë se mund të më imponohen të ndërroj as bindet e mia dhe as të baj transfuzion të gjakut tim për të më bërë Pal Mylish, por as nuk zvarritem për Nako Spiro.
Unë nuk jam në hipotekën e askujt peng.
Jam Azgan Haklaj demokrat e qëndrestarë.
Demokratët e Tropojës dhe Shqipërisë mund të mos jenë dakort për një çast me mua se u duket që e sulmova Çollakun që synon të bëhet Lala Kros, por i sigurojë ata dhe Kreshnikun guximtar se historia nuk përseritet dy herë.
Demokratë të Shqipërisë!
Dua të ju sqaroj publikisht se nuk kam asgjë përsonale me të, as me cullakët, apo çubardhët e kafeneve, apo portalet e babalëve që lobojnë me intriga.
Ata kërkonin e kërkojnë ta ndalonin emrin tim për të shkuar në mejdanin e votës së lirë të demokratëve dhe të popullit sepse nuk duan ta shijojnë turpin e humbjes.
Çollaku e ka provuar votën e popullit në kuti.
Bashkësia e votave të tij ishte boshe.
Ansambli i çollakëve shpresojnë tek listat e mbyllura sepse e dinë që nuk votojnë as familjarët e tyre për ta.
Ata bertasin për lista të hapura, por shpresën e kanë tek perqindja e mbyllur.
Leshojnë kushtrimin për veting politik, por e shmangin me akrobaci atë.
Duan me çdo çmim pushtet.
PD-në e konsiderojnë si një parajsë fiskale për vehte e familjet e tyre me ardhjen e saj në pushtet.
Megjithë se Cullaku është personazh i vogël për mua, por për shkak të rolit që luajti u mora me të.
Po i them Cullakut, jo për ta fyer por sepse skenari i tij u zhvesh lakuriq, cullak.
I ndjeri Olldashi, Bode, Patozi ishin të denjë për kundërshtarë, por koha vertetoj se unë kisha të drejtë.
Ata u rreshtuan me pushtetin.
Të kundërtën kam bërë unë.
I kam deklaruar publikisht kreut të Malavitës, Zhupanit të madh Edi Ramës se do ta marrë vrapin po erdhi në Tropojë si Cana Beg Kryeziu për Beograd.
Për ata që nuk e dinë, Cana Beg Kryeziu ka qenë ministër i brendshëm i Mbretit Ahmet Zogu e kunati i tij, agjent i Pashiqit dhe organizator i ekzekutimit të tribunit të Kombit Bajram Currit e qindra patriotëve të tjerë, një Ballaban i kohëve të reja.
Kur Zogu e kuptoj misionin e tij antikombëtar e dekoroj në mes të Beogradit me 7-të plumba.
E theksova këtë fakt sepse takova këto ditë një mik që ishte merzitur nga deklerata ime për Cana Begun dhe po me fliste për meritat patriotike të këtij tradhtari me pashaportë serbe.
Po i them edhe publikisht mikut tim se Cana vari në mes të Krumës bashkëluftëtarët e Bajram Currit, duke i thirrur në bisedime dhe i preu në besë ashtu si Reshit Pasha kapedanët e jugut në vitin 1835 në Manastir, ku ekzekutoj rreth 500 prej tyre.
Cana Begu vari në Krumë Gjelosh Ramën, Hoxhë Zogun, Tarçuk Ramën.
Këto vargje lapidare përjetësojnë tradhëtinë e Begut.
“Fluturim ka ardhë xhandari
Çou Hoxhë Zogu se t’ka thirrë Cani
Zo’ ç’ka ka Cani me mue
Po don gradat me t’i ndue
Kam ba be se grade s’due”.
Partia Demokratike e Shqipěrisë është e hapur ndaj kujt do që i jep asaj kontribut “Sa çon miza n’krah” siç i thonë tropojanët e mençur, por ajo nuk mund të mbetet për asnjë çast të vetëm peng i atyre dallkaukëve të korruptuar që e konsiderojnë Partinë e parë antikomuniste, Partinë e shpresës së shqiptarëve lopë për t’u mjelë apo vreshtë për t’u vjelë.
Përpjekja e Cullakut për të bllokuar kanditaturën time të propozuar nga demokratet e Tropojës më kujton atë ngjarjen e famshme e të çuditshme franceze.
Kur në muzeun e Luvrit po zhvillohej një simpozium për historinë e fotografisë, një nga rojet, një Symbyl “Made in Çollaku” ju drejtua vëllezërve Lymier që kishin shpik aparatin fotografik:
“Ju zotëri nuk mund të hyni”.
E për ta përmbyllur me sukses misionin e cullakëve me sa duket ka vendosë gijotina e komisonit të “baballarëve” blu të rritur në inkubatorët e marksizëm- leninizmit dhe të brumosur me doktrinën e bolshevizmit dhe të Enver Hoxhës.
Por do të merrem në vijim me të.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit