Në një hapësirë publike prej rreth një hektari disa biznese dhe shoqëria civile në Ferizaj kanë nisur iniciativën për ndërtimin e një sheshi dhe të shtatores së presidentit amerikan, Joe Biden.
Këtë ata thonë se duan ta bëjnë në shenjë falënderimi për mbështetjen e SHBA-së gjatë luftës në Kosovë.
Ky projekt po planifikohet të realizohet afër lapidarit të djalit të ndjerë të presidentit Joe Biden, Joseph Bau Biden, i cili kishte kontribuuar për disa vjet me radhë në kampin “Bondsteel”.
“Dëshirojmë që kjo leje të na jepet po në këtë muaj. Mbrëmë e kemi pasur një takim me tre arkitekt të specializuar dhe profesional të cilët po e bëjnë në mënyrë vullnetare këtë projekt në këtë pjesë dhe unë besoj se data 25 ne do të dalim me ekspozitë të këtij projekti dhe me lëshimin e kësaj parcele nga komuna e Ferizajt”, ka thënë Faton Haxhisalihu, iniciues i nismës.
“Ky vend tashmë e ka marrë natyrën e një vendi amerikan dhe dëshirojmë që të vendosim shenja dhe simbole amerikane”, ka shtuar Kenan Gashi nga OJQ “AVONET”.
Iniciativa është përkrahur edhe nga drejtuesit e kampit “Bondsteel” dhe Komunës së Ferizajt.
“Më vjen mirë, po bëjnë diçka për neve si shenjë respekti dhe gjithashtu për neve që jemi prezent këtu, kjo punë është shumë e kënaqshme”, ka deklaruar Casidy Howard, rreshter në Kampin Bondsteel.
Komuna e Ferizajt, pas zgjedhjeve të fundit në Amerikë, ka emërtuar një rrugë afër kampit “Bondsteel” me emrin e presidentit Joe Biden.
“Kjo kërkesë është parashtruar në komunën e Ferizajt dhe po shqyrtohet, patjetër se di japim edhe një kahje në bazë të dispozitave ligjore në mënyrë që të mundësohet ndërtimi i këtij kompleksi, parku apo hapësire ku do t’i kushtohet presidentit Biden”, ka thënë Albion Sherifi, zëdhënës i Komunës së Ferizajt.