10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Nga Kosova “me dashuri”, 3.8 miliardë € Serbisë dhe 1.8 miliardë € Shqipërisë

Rekomandime

Kosova ka importuar 3.8 miliardë mallra nga Serbia dhe veç 1.8 miliardë euro nga Shqipëria.

- Advertisement -

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) kjo shumë e përgjithshme e importeve nga dy vendet fqinje është nga viti 2008, kur shteti e ka shpallur pavarësinë e deri më tani, shkruan “Front Online”.

Kosova importoi nga Serbia në vitin e saj të Pavarësisë, 2008, produkte në vlerë prej 208 milionë e 900 mijë euro. Kjo shifër, 12 muaj më vonë, shkoi në 211 milionë e 100 mijë. Importi u rrit edhe më, në 2010-n, kur bizneset kosovare morën nga atje produkte të ndryshme, kostoja e të cilave arriti në 260 milionë e 400 mijë euro. Më 2011, importi i Kosovës nga Serbia ra pak në 254 milionë e 900 mijë – por u ngrit menjëherë vitin pasues – në 278 milionë e 300 mijë euro.

Edhe në vitet tjera, Serbia e pushtoi ngjashëm tregun kosovar me mallrat e saj. Ajo eksportoi 285 milionë e 300 mijë euro në vitin 2014, 368 milionë e 200 mijë në vitin 2015, 382 milionë e 100 mijë në vitin 2016 dhe 387 milionë e 600 mijë në atë 2017.

- Advertisement -

“Kulmi” u arrit në vitin 2018. Serbia dërgoi e Kosova mori nga atje produkte në vlerë të hiç më pak se 449 milionë e 900 mijë euro – më së shumti prej 2008-s.

Me dhe pa taksë e reciprocitet – tap në karrige të kryeministrit

- Advertisement -

Pushtimin ekonomik që Serbia po i bënte tregut të Kosovës për një dekadë (2008 – 2018), hovin ia ndali taksa prej 10 % së pari, e pastaj 100 % që Qeveria e Kosovës, atëherë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i vendosi produkteve me origjinë serbe dhe atyre boshnjake në fundnëntorin e 2018-s. Eksporti i Serbisë në Kosovë mori tatëpjetën. Shuma totale e dërgesave të saj nga 449 milionë e 900 mijë euro sa ishte në vitin 2018, ra në vetëm 5 milionë e 578 mijë euro në atë 2019.

Haradinaj e kishte arsyetuar taksën me shkeljet, siç ka thënë ai që Serbia i ka bërë Marrëveshjes për Tregti të Lirë – CEFTA. Krahas efekteve ekonomike, taksa ka bartur edhe efekte politike. Vendosja e taksës nga Qeveria në largim e Kosovës, ishte si kundërpërgjigje ndaj politikave Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Taksa zgjati gati një vit e gjysmë deri më 31 mars të 2020-s. Atë, në këtë datë, e hoqi dhe e zëvendësoi me reciprocitet kryeministri i ri që erdhi në pushtet, Albin Kurti. Kjo i paraqiti shumë telashe gjatë mandatit të tij të parë. Në njërën anë, reciprociteti s`po pranohej asesi nga Serbia, e cila e kushtëzoi rinisjen e dialogut me Kosovën, me heqjen e kësaj mase. Në tjetrën, reciprociteti nuk i pëlqeu aspak as Bashkësisë Ndërkombëtare, që po bënte presion për heqjen e tij, po për të njëjtën arsye, shkruan “Front Online”.

Presioni diplomatik i huaj e bëri të vetën. LDK-ja, që ishte në koalicion me VV-në, e prishi ujdinë dhe krijoi një Qeveri të re me AAK-në dhe NISMA-n.

Ndër veprimet e para që mori kryeqeveritari i ri, atë kohë,  Avdullah Hoti, ishte heqja e reciprocitetit me Serbinë në qershor të 2020-s.

Dialogu u zhbllokua, por edhe eksporti i Serbisë drejt Kosovës po.

Fqinji verior dërgoi përgjatë atij viti produkte në vlerë 174 milionë euro – shumë më shumë sesa në 2019-n, 5 milionë e 578 mijë euro, kohë kjo kur ishte në fuqi taksa. E po ashtu produkte më në sasi sesa në 3 mujorin e reciprocitetit.

Sa i përket 2021-s, importi i Kosovës nga Serbia në 7 mujorin e parë (janar – korrik) deri tash është 161 milionë e 700 mijë euro.

Shkaku që Hoti u rrëzua nga pozita e kryeministrit dhe aty u rikthye prapë Albin Kurti u mendua se reciprociteti me Serbinë do të rivendosej prapë.

Të paktën diçka të tillë kishte premtuar vetë kryeministri Kurti gjatë fushatës zgjedhor kur thoshte se vendosja e kësaj mase do të jetë çështje ditësh kur ai të vijë në pushtet.

Tash kur ka mbi 4 muaj që qëndron në këtë anë të demokracisë, diçka e tillë s`ka ndodhur.

Dashuria e Kosovës ndaj Shqipërisë në numrat ekonomikë

Në anën tjetër, Kosova në vitin e saj të parë të Pavarësisë 2008, importoi nga Shqipëria gjithsej 59 milionë e 632 mijë euro.

Më 2009, 58,385,000 €, më 2010, 69,714,000 €, më 2011 96,400,000 €. Ngritje pati edhe në vitet pasuese, 2012 dhe 2013, kur Kosova importoi nga Shqipëria mbi 110 milionë euro.

Vitet e tjera janë si vijon:

2015 – 151,791,000 €

2016 – 115,791,000 €

2017 – 151,815,000 €

2018 – 206,492,000 €

2019 – 223,899,000 €

2020 – 190,980,000 €

2021 – 139,354,000 €

Rënie e ngritje, efekti i taksës mes Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës në mes

Viti më i dobët i importit të Kosovës nga Serbia ishte 2019-a.

Pikërisht ky vit shënon edhe vitin më importin më të madh prej 2008-s të Kosovës nga Shqipëria.

Përderisa importi nga fqinji verior atë vit ishte pak mbi 5 milionë, importi i Kosovës nga Shqipëria preku majën, gjithsej 223 milionë euro, shkruan “Front Online”.

Ekonomistët komentojnë faktet

Për importin më të madh të Kosovës nga Serbia sesa nga Shqipëria kanë folur ekonomistët.

Mustafë Kadriaj këtë e lidh me të kaluarën e shteteve.

“Në aspektin ekonomik është e natyrshme për faktin se e kaluara e përbashkët në ish-Jugosllavi bën që konsumatori i Kosovës ta njeh dhe ka besueshmëri më shumë tek produktet serbe. Kjo që po e them ekziston në çdo logjikë të konsumatorit vendor”.

Sipas tij është qytetari që mund ta bëjë dallimin në treg.

“Si shtet u provuam që me taksa dhe masa të reciprocitetit nuk mund t`ia dalim si rezultat i presionit ndërkombëtar. Të vetmin bojkot të produkteve me origjinë serbe mund ta bëjë konsumatori”, u shpreh ai.

Ekonomisti tjetër, Bardh Ahmeti thotë se Serbinë për një kohë e ka favorizuar infrastruktura në raport me Shqipërinë.

Ai liston edhe aspekte tjera goxha me rëndësi që thotë të kenë ndikuar që Kosova të importojë më shumë nga e para sesa nga e dyta.

“Konkurrueshmëria më e madhe e tregut serb, çmimet më të favorshme, oferta më e pasur janë faktor të rëndësishëm që i ka shtyrë bizneset nga Kosova të synojnë maksimizimin e fitimeve të tyre duke bashkëpunuar me partner nga Serbia. Faktor tjetër është fakti që shumë brende botërore, qendrën e tyre rajonale për Ballkan e kanë në Serbi, ku bëhen gjysëm-prodhime, mbushje dhe finalizime të produkteve, prandaj ato importohen si produkte nga Serbia. Serbia ka qenë përfitues kryesor i CEFTA, edhe ky është një tjetër faktor i dominimit të importeve nga Serbia karshi atyre nga Shqipëria”, deklaroi ai.

Megjithatë ky vlerëson se taksa prej 100 % dhe reciprociteti i forcuan lidhjet ekonomike të Kosovës me Shqipërinë, derisa Serbisë ia ligshtuan tregun.

“Pas vendosjes së taksës 100% dhe më pas reciprocitetit, tregu serb ka humbur terren në Kosovë dhe nuk ka arritur ta kthej në tërësi tregun. Nga 449.9 milion euro sa ka qenë importi nga Serbia në vitin 2018 para vendosjes së barrierave, këtë vit, sipas trendit Janar-Korrik, për vitin 2021, importet nga Serbia nuk do ta kalojnë vlerën prej 320 milion euro. Për të mos e krahasur me vitin 2020 pasiqë ishte vit pandemik. Me rastin e humbjes së tregut nga Serbia, fatmirësisht janë rritur marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, pohoi ai për “Front Online”.

Ahmeti thotë se institucionet, ato të Kosovës dhe Shqipërisë, përtej dhjetëra marrëveshjeve ndërshtetërore duhet të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik.

“Klima ekonomike në Kosovë dhe Shqipëri duhet të favorizoj lidhjet ekonomike të sektorit privat dhe të luftohen të gjitha barrierat, skenaret e monopoleve dhe të avancohet në liberalizimin e tregut”, vlerësoi Ahmeti.

Situata në CEFTA

Kosova, Shqipëria e Serbia janë pjesë e CEFTA-s, marrëveshje kjo Regjionale e Tregtisë së lirë.

Krahas tyre anëtare të saj janë edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Bosnje Hercegovina.

Në muajin korrik të 2021, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 26.9 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 58.1 për qind.

Më së shumti mallra bizneset kosovare dërguan në Shqipëri 17.8 për qind, Maqedoni të Veriut 12.9 për qind, Serbi 6.3 për qind dhe Mal të Zi 4.7 për qind.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së sipas ASK-së, arritën në 84.1 milionë euro, po ashtu me një rritje prej 29.4 për qind.

Vendet prej nga Kosova importoi ishin: Serbia  6.9 për qind, Shqipëria 5.6 për qind dhe Maqedonia e Veriut 5.3 për qind./frontonline.net

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit