6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Novi Sadi dhe Ohri rikthejnë Versajën, ndërsa Edi Rama pro Jugosllavisë së Re!

Rekomandime

NGA PROF. ASS. DR. ENVER BYTYÇI

- Advertisement -

Vuçiq foli në telefon para tri ditësh me Edi Ramën dhe Zoran Zaevin. Temë i bisedës ishte samiti i radhës për krijimin e asaj që quhet “Minishengeni Ballkanik”! Pse mini e jo ballkanik? Sepse vendet, të cilat janë përzgjedh ta themelojnë këtë lloj Jugosllavie të Re, janë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Janë përjashtuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. A është kjo rastësi? Jo, pavarësisht retorikës së Edi Ramës se “Minishengeni ballkanik është i hapur për të gjitha vendet”! Kur e quaj këtë retorikë kam parasysh se Ramën nuk e shqetëson fakti që Kosova izolohet vazhdimisht për shkak të destruktivitetit serb dhe aleancës së kryeministrit shqiptar me këtë lloj destruktiviteti.

Sot dy vëllezërit siamezë, Sandri i Beogradit dhe Edi i Tiranës, kanë udhëtuar drejt Ohrit. Po ashtu gjysmë-vëllai i tyre, Zaev.

Të tre këta do të vijojnë bisedimet e Novi Sadit për formatimin e zonës gjysmë ballkanike me objektiva dhe synime ruso-serbe.

- Advertisement -

Ndër këto objektiva bën pjesë edhe strategjia serbe e krijimit të një Jugosllavie të Re, pjesë e së cilës të ishte jo vetëm Kosova ende e panjohur ndërkombëtarisht në OKB, por edhe Shqipëria e Edi Ramës. Ndërkaq kryeqendra e kësaj Jugosllavie do të ishte sërishmi Beogradi.

Në një fjalim të Enver Hoxhës në fund të Luftës së Dytë Botërore thuhet shprehimisht: “Te Titua ne shifnim mikun e madh të popullit Shqiptar, në luftë dhe në paqe, ashtu si shihnim në popujt e Jugosllavisë miqtë dhe vëllezërit e popullit t’onë, me të cilët po shkonim krah për krah në luftën kundër fashizmit dhe do të shkonim krah për krah në rindërtimin e vendeve t’ona”. Qëmtova këtë dëshmi për të qartësuar dilemën, nëse Edi Rama sheh te njëjtën gjë te Aleksandër Vuçiq dhe populli serb?! A po përsërit ai të njëjtën histori në marrëdhëniet shqiptaro-serbe?! A dëshiron kryeministri i Shqipërisë që në maskën e integrimit dhe kërkesës për fqinjësi të mirë të realizojë programin e Partisë Komuniste dhe diktatorit Hoxha të periudhës 1941-1948?!

- Advertisement -

Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq u bënë në vitin 2015-2016 nismëtarë të krijimit të një zone Shengen në të gjithë Ballkanin Perendimor, të cilën Vuçiq e pati emërtuar si Jugosllavia e Re me një ndryshim, minus Sllobenia e Kroacia dhe plus Shqipëria. Më pas ata u morën me një projekt më specifik, atë të ndryshimit të kufijve në Ballkan, duke nisur nga ndarja e Kosovës. Në të dy këto iniciativa Vuçiq u mbështet fuqishëm nga Rama. Por të dyja ato iniciativa dështuan me sukses. Pas kësaj gjatë takimit Vuçiq-Rama në Nju Jork gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së lindi ideja e “Minishengenit”, ide që josh në pamje të parë, por në fakt fsheh përpjekjet e Beogradit e të Edi Ramës për ta shndërruar rishtas Serbinë në vend lider në rajon.

Kjo iniciativë erdhi në momentin kur Macron po rishkruante në stilin e Versajës një projekt të ri për këto vende, ende jo anëtare të BE-së. Ky projekt u garanton vendeve “kandidate” për ta krijuar Jugosllavinë e Re të Vuçiq dhe Ramës, përkatësisht Serbisë, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, një status special në raportet me Bashkimin Europian, por jo anëtarësimin e këtyre vendeve në Union.

Macron përmend modelin norvegjez. D.m.th një rajon “neutral” ose siç konsiderohej Jugosllavia e Titos, “të paangazhuar”, por që do të duhej të ishte i hapur me Bashkimin Europian. Dhe më tej, duket se projekti Macron parashikon një rajon me ndikim 50:50 për qind të Perendimit dhe të Lindjes ruse.

Projekti Macron rikthen në vëmendje vendimet e Versajës, kur me iniciativë të Francës u krijua fillimisht Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene dhe më pas Jugosllavia e Parë si dhe vendimet e Konfetencës së Jaltës, kur u konfirmua Jugosllavia e Dytë si dhe prezenca me 50:50 për qind në të e Bashkimit Sovjektik dhe e Fuqive Perëndimore.

Nuk ka asnjë dyshim se vendimet e Versajës dhe Jaltës ishin në favor të Francës e të boshtit Paris-Moskë. Të tilla ishin ato vendime edhe lidhur me Norvegjinë, për shkak të presionit rus.

Edi Rama, ndonëse kundërshton votën e Macron kundër Shqipërisë, vihet në funksion të projektit të tij, projekt i cili provokon gjeopolitikën e rajonit tonë. Mini-shëngeni ballkanik ose Mini-Jugosllavia e Re janë iniciativa antieuropiane, antiamerikane dhe për pasojë antishqiptare.

Samiti i Ohrit dhe çdo përpjekje tjetër për formatimin e këtij projekti duhen parë si opsion antishqiptar në funksion të prezencës ruse dhe lidershipit serb në rajonin tonë. Pikërisht këtë do të duhej ta evitonte qeveria e Tiranës. Por ajo është investuar në të kundërtën, në krah të Serbisë dhe kundër interesave të Shqipërisë e sidomos të Kosovës, shtetësisë dhe pavarësinë e saj.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit