1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Osmani as këtë vit s’e fal asnjë prej 1 mijë e 120 kosovarëve të burgosur, presidenca tregon arsyet

Rekomandime

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani as këtë vit nuk pritet të falë asnjë prej të burgosurve të cilët vazhdojnë të vuajnë dënimin me burg për veprat me të cilat ngarkohen nga organet e hetuesisë.

Për dallim nga vitet e kaluara dhe presidentët e tjerë të vendit, të burgosurit këtë vit nuk do të kenë falje nga presidentja Osmani.

- Advertisement -

Por, arsyeja për të cilën presidentja Osmani nuk do të mund t’i falë të burgosurit është për shkak të mos-funksionimit të Komisionit për Shqyrtim dhe Vlerësim.
Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, këshilltari për media në kuadër të Presidencës së Kosovës, Bekim Kupina ka deklaruar se Komisioni për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e kërkesave për falje është jofunksional.

“Është jofunksonal, ngase i ka skaduar mandati. Kërkesat për falje, të cilat pranohen nga Zyra e Presidentes, shqyrtohen nga ky Komision, i cili është në themelim e sipër”, tha Kupina.

Gjithashtu ai theksoi se pasi që të konstituohet dhe pas shqyrtimit të kërkesave, Komisioni i propozon Presidentes faljen ose jo të personave të cilët kanë kërkuar falje presidenciale.

- Advertisement -

“Pasiqë të konstituohet dhe pas shqyrtimit të kërkesave, Komisioni i propozon Presidentes faljen ose jo të personave që kanë kërkuar falje presidenciale”, tha ai.

Ndryshe aktualisht numri i të burgosurve në institucione korrektuese anembanë vendit është 1 mijë e 751.
Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë bërë të ditur se 1 mijë e 120 prej tyre janë të dënuar, ndërsa 631 të tjerë janë në paraburgim.

- Advertisement -

Nga të gjithë këta të burgosur deri më tani 103 prej tyre kanë bërë kërkesë për falje.

“Nga fillimi i vitit 2021 deri më tani kemi përcjellë në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë për procedure të mëtutjeshme 103 kërkesa për falje”, u tha në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Poashtu nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë thënë se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë Dekret të shpalljes së faljes.
“Këtë vit ende nuk ka përfituar asnjë i dënuar”, u tha nga Zyra për Informim e Shërbimit Korrektues.

Edhe pse vitin e kaluar Vjosa Osmani si ushtruese e detyrës posedonte të drejtën e faljes së të burgosurve, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutë ajo nuk e mori një vendim të tillë, për t’u mundësuar faljen të burgosurve.

Kërkesën për falje në vitin 2020 e patën dërguar gjithsej 399 të dënuar të cilët po vuanin burgun, për vepra nga më të ndryshmet.

E lidhur me këtë, Kryetari i Komisionit për Vlerësim dhe Shqyrtim të faljes së dënimeve, Hasan Shala asokohe pati thënë se Osmani nuk kishte dërguar asnjë kërkesë të të dënuarve për shqyrtim.
Kurse ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi pati falur dy vite radhazi ish të burgosurit, asokohe të dënuar. Katër të parët që patën pranuar lajmin për falje të dënimit ishin Arben Kiçina, Arsim e Burim Ramadani si dhe Marko Sabiq.

Falja nga Presidenti Hashim Thaçi ishte konfirmuar më 29 dhjetor të vitit 2017. Të njëjtën gjë, Hashim Thaçi e pati bërë përsëri, më 31 dhjetor të vitit 2018.

Asokohe Thaçi pati falur Katrlinë Racajn, Nexhmi Shabanin e Elbasan Shatrin, me anë të dekretit të faljes.

E vitin që lamë pas dhe këtë vit nuk pati këso “dhurata” për të dënuarit, ndonëse qindra persona e bëjnë vazhdimisht një kërkesë të tillë, të faljes nga Presidenca e Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit