2.1 C
Pristina
Monday, March 25, 2024

Pacolli e dërgon Konsull në Shqipëri nipin e Sami Lushtakut, ka të kryer vetëm shkollën fillore

Rekomandime

Behgjet Pacolli i ka vënë kapak politizimit të shërbimit diplomatik, nëpërmjet një vendimi që e ka marrë në fund të 2019-s. Ai e ka bërë konsull Festim Lushtakun, nip i Sami Lushtakut.

- Advertisement -

Festim Lushtaku ka qenë “Asistent administrativ”, në kuadër të stafit konsullor të Kosovës në Stuttgart të Gjermanisë. Ka tre muaj që kur burime të “Kohës Ditore” patën treguar se, ndonëse Lushtaku ka të kryer vetëm shkollimin fillor, Pacolli do që ta bëjë konsull në kryeqytetin e Shqipërisë. Përkitazi me këto informata, gazeta pati dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me kërkesën që ato t’i përcilleshin edhe Lushtakut, por prej tre muajsh nuk janë kthyer përgjigje as nga Ministria dhe as nga Lushtaku.

Vendimi i Pacollit mban datën 2 nëntor 2019, dhe në të parashihet që Lushtaku fillon ta realizojë detyrën në Tiranë që nga 15 nëntori. Por, ky dokument ka shkuar për t’u arkivuar në Ministri tek të premten e shkuar, një muaj e gjysmë pas fillimit të punës nga Lushtaku.

“Me këtë vendim, Festim Lushtaku është emëruar Konsull dhe është caktuar të shërbejë në Konsullatën e përgjithshme në Tiranë. Sipas vendimit, ai do të shërbejë në një mandat 4-vjeçar. Ajo çfarë ka bërë Pacolli, është që pas mandatit nuk ka obligim ta sistemojë në Shërbimin e Jashtëm”, ka treguar ky burim. “Paga bruto e tij do të jetë e barasvlefshme me të Konsullit”.

- Advertisement -

Sipas këtij burimi, ai do t’i nënshtrohet edhe llupës së inteligjencës.

“Vendimi përcakton që Festim Lushtaku i nënshtrohet procedurave të verifikimit të sigurisë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë”, ka theksuar ky burim.

- Advertisement -

Emërimi dhe caktimi i Lushtakut në misionin konsullor në Tiranë, është bërë në kundërshtim më ligjet në fuqi, meqë ato parashohin që grada diplomatike e konsullore mund të marrin vetëm ata që suksesshëm kalojnë në Komisionin për Grada dhe Disiplinë dhe që, të paktën, një vit më herët kanë qenë të punësuar në Ministri. Ligji nuk ia njeh të drejtën ministrit që vet, dhe duke shpërfillur komisionin, të ofrojë grada për stafin ose për persona jashtë Ministrisë.

Burime të “Kohës Ditore” patën treguar se, ndonëse Lushtaku ka të kryer vetëm shkollimin fillor, Pacolli do që ta bëjë konsull në kryeqytetin e Shqipërisë

Në profilin e tij në Facebook, Festim Lushtaku ka shumë fotografi me Sami Lushtakun, ish-kryetar i Skenderajt dhe një prej njerëzve me më ndikim në Partinë Demokratike që ka qenë forca më e madhe politike në pushtet që nga 2008-a e deri sivjet.

Sami Lushtaku ka kaluar nëpër disa procese gjyqësore, dhe aktualisht ka statusin e të dyshuarit për krime lufte, për çka është intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Në vizitën për t’u intervistuar në këtë institucion, ishte shoqëruar edhe nga nipi i tij, i cili kishte shpërndarë edhe një foto.

“Me ty axhë!”, ishte shkrimi që ia kishte shoqëruar dy fotografive Festim Lushtaku, e në të cilat shihej Sami Lushtaku tek hynte në ndërtesën e Speciales.

Gazeta ka raportuar në fillim të muajit se Pacolli është akuzuar nga njerëz të institucionit që e drejton se nuk ka reshtur së marri vendime të jashtëligjshme gjatë dy vjetëve dhe se me to e ka politizuar në tërësi Shërbimin e Jashtëm. Hisedar në një numër shkeljesh të njëjtët kanë identifikuar edhe presidentin Hashim Thaçi.

Akuzat janë shprehur në një shkresë 5-faqëshe të Shoqatës Sindikale të Shërbimit të Jashtëm, e cila ia ka drejtuar Pacollit, dhe kopjen e njëjtë ua ka përcjellë edhe Zyrës së presidentit, Zyrës së kryeministrit, sekretarit të Kuvendit, Agjencisë Kundër Korrupsionit, Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, si dhe disa autoriteteve të tjera.

Në të është treguar se, jo veç pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, por as pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme Pacolli nuk është përmbajtur nga marrja e vendimeve të jashtëligjshme, nëpërmjet të cilave njerëz të politikës i ka bërë pjesë të misioneve diplomatike.

Sindikata ka konsideruar se, duke u shkelur ligji, janë marrë së paku 26 vendime, qoftë për emërimin e konsujve dhe personelit tjetër diplomatik, qoftë për emërimin e konsujve të përgjithshëm.

“Ju tani si ministër i Punëve të Jashtme në detyrë, gjatë periudhës së dorëheqjes së Qeverisë, nuk keni të ndalur në lëshimin e vendimeve të kundërligjshme, duke emëruar konsuj dhe propozuar konsuj të përgjithshëm te presidenti i Republikës, të cilët nuk janë anëtarë të Shërbimit të Jashtëm në MPJ”, thuhet në letër, një kopje të së cilës e ka siguruar “Koha Ditore”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit