Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli i ka reaguar në gjuhën bullgare shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Aposollovës, pasi që dje përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell gjatë vizitës në vend nuk u takua me asnjë përfaqësues të qeverisë.
Pacolli ka shkruar në Twitter, se Apostollova në këtë mënyrë nuk e ka respektuar shtetin e Kosovës.
Ai e ka pyetur përfaqësuesen e BE-së në vend se si mund të organizohen vizita të nivelit të lartë në vend dhe të mos ketë një takim me qeverinë e Kosovës.
“Ju nuk keni arritur të respektoni sot popullin e Kosovës. Si mund të organizoni vizita të nivelit të lartë dhe të mos pranoni qeverinë e popullit të Kosovës. Nuk e di nëse është e drejtë për ju?”, ka shkruar në Twitter Pacolli.
Днес не успяхте да уважавате хората на Косово. Как можете да организирате посещения на високо ниво и да не приемате правителството на хората на Косово. Не знам дали е подходящо за вас? @ApostolovaEU https://t.co/6ZhrrGgS1L
— Behgjet Pacolli (@pacollibehgjet) January 31, 2020
Kujtojmë që dje, Borell nuk është takuar me asnjë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës në detyrë.
Ai ka takuar vetëm të parin e shtetit, Hashim Thaçin dhe përfaqësues të partive politike.
Ftesën e kanë refuzuar nga PDK-ja, ndërsa, AAK e udhëhequr nga Ramush Haradinaj e ka dërguar si përfaqësues sekretarin e partisë, Besnik Tahirin.