8.3 C
Pristina
Tuesday, March 26, 2024

Partitë politike deklarohen për emrin e Murat Jasharit si president

Rekomandime

Lëvizja Vetëvendosje thonë se duhet ta diskutojnë në parti emrin e Muratit Jasharit si kandidat konsensual për president. AAK’ja thotë se e kanë propozimin e tyre dhe nuk e kanë diskutuar në parti emrin e anëtarit të familjes Jashari. PDK’ja mbetet në pozicionet e saj sa i përket emrit për shef të shtetit. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka qenë i paqasshëm për ta pyetur rreth kësaj teme, ndërsa shefi i GP të Nisma-AKR-6 plus, Endrit Shala, nuk ka pranuar të flasë, duke u shprehur se për këtë temë mund të prononcohet dikush nga zyra për media e kësaj partie

- Advertisement -

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka deklaruar se nëse 2/3 e deputetëve bien dakord që dikush nga familja Jashari të marrë postin e presidentit, ata janë të gatshëm të marrin një përgjegjësi të tillë. Sipas tij, më i denjë për pozitën e shefit të shtetit është Murati, djali i Rifat Jasharit.

“Unë mendoj se më i miri për këtë pozitë është Murati. Nëse 2/3 bien dakord për atëherë adresa është Murati. Nëse nuk ka dakordësim ne nuk bëhemi pjesë e pazareve politike”, ka deklaruar mbrëmë ai.

Moskoordinimi i subjekteve politike për temat e mëdha në vend duket se do ta pasojnë edhe zgjedhjen e presidentit të ri. Emri i Murat Jashari si kandidat konsensual për president deri më tani nuk ka marrë përkrahje të partive politike të përfaqësuara në Kuvend.

- Advertisement -

Kështu të paktën kanë deklaruar disa nga zyrtarët e partitive politike të pyetur nga Gazeta Express sot gjatë ditës.

Zëdhënësi i PDK’së, Avni Bytyçi, tha se qëndrimi i PDK’së nuk ka ndryshuar, përkatësisht deklarata e ushtruesit të detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj, sa i përket çështjes së presidentit.

- Advertisement -

“Nuk e kemi biseduar asnjë emër. Përgjegjësi për këtë situatë ka koalicioni qeverisës, nëse i kërkojnë votat e PDK’së atëherë ne insistojmë që emri të jetë i PDK’së, ne nuk mund t’ia votojmë qeverisë propozimin e tyre. Ky është qëndrimi nuk ka ndryshuar asgjë. Qëndrimi i PDK’së është ai i ushtruesit të detyrës së kryetarit Enver Hoxhaj”, ka thënë Bytyçi.

Arbër Rexhaj, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka mohuar se partia e tij do ta diskutonin një emër të familjes Jashari, veçse sipas tij kryesia e VV’së duhet të mblidhet për të përcaktuar disa kritere për çështjen e presidentit.

“Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje duhet ta mbajë një mbledhje të kryesisë dhe t’i përcaktojë kriteret se çfarë ne mendojmë për çështjen e presidentit. E dyta, çështja e presidentit ne mendojmë se duhet ta përfaqësojë vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës, mbi këtë bazë ne do ta diskutonim edhe emrin e respektuar të një anëtari të familjes Jashari. Këto parti politike, LDK, PDK dhe AAK janë të bllokuara tek emrat e kryetarëve të tyre. Prandaj nuk shoh tek partitë tjera që do të avanconin qoftë ndonjë emër të respektuar të familjes Jashari apo ndonjë emër tjetër. Presidenti duhet të zgjidhet pas zgjedhjeve. Vetëvendosje nuk ka propozuar ndonjë emër pasi ne jemi parti opozitare”, ka thënë Rexhaj për Express.

Ndërkaq, deputeti i AAK’së, Rasim Selmanaj tha se Aleanca mbetet tek propozimi i Ramush Haradinajt për president dhe se emrin e Murat Jasharit nuk e kanë diskutuar në parti.

“Ne si parti politike e kemi një qëndrim dhe e kemi një propozim tonin. Ne nuk jemi ulur për të diskutuar këtë propozim. Ne mbesim tek propozimi jonë tash varet qysh kanë me reflektu partitë tjera politike. Nuk mund të jap ndonjë konstatim për këtë çështje pasi nuk e kemi diskutu”, tha Selmanaj.

Gazeta Express ka tentuar gjatë ditës të marrë një qëndrim të shefit të Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi por që i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

As shefi i Grupit Parlamentar të Nisma-AKR-6plus, Endrit Shala s’ka pranuar të flas për këtë çështje me arsyetimin se dikush nga zyra për media e partisë duhet të përgjigjet.

Kosova për më shumë se një muaj ka ushtrues detyre të presidentit e cila në këtë pozitë mund të qëndrojë gjashtë muaj.

Subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend kanë kohë gjashtë muaj që të zgjedhin një president të ri, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Deri më tani partitë politike i kanë të betonuara qëndrimet për çështjen e presidentit të ri dhe një mosunitet i tillë rrezikon zgjedhjet e reja.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit