1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

“Pas Ukrainës, do të merret me Kosovën”/ A është ky plani i Vladimir Putinit? Skenari që mund të ndodhë

Rekomandime

Gjatë ditës së djeshme në Bruksel u takuan kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku temë kryesore e takimit ishte propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, i njohur si plani franko-gjerman.

- Advertisement -

Pas takimit, Kurti tha se ishte i gatshëm që ta nënshkruante dokumentin franko-gjerman, por Vuçiq nuk e bëri një gjë të tillë.

E takim i ri mes Kosovës dhe Serbisë është paralajmëruar për në muajin mars.

Por vetëm dy ditë para takimit Kurti-Vuçiq nën ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se pas luftës në Ukrainë, ai do të merret me situatën në Kosovë.

- Advertisement -

Këtë e ka paralajmëruar ambasadori i Ukrainës në Beograd, Volodymyr Tolkach.

“Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se pas luftës në Ukrainë do të merret me situatën në Kosovë, prandaj duhet ta pyesim veten se çfarë mund të pritet nga një veprim i tillë”, tha Tolkach në një intervistë për mediat serbe.

- Advertisement -

E për këtë paralajmërim të Putinit, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

“Duket se presidenti i Serbisë nuk dëshiron të pajtohet me planin evropian të normalizimit, sepse ka paralajmëruar se “asgjë nuk vjen në shprehje, nëse nuk nënshkruhet më parë marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”! Kushtëzimi i planit, për të cilin u takuan Kurti dhe Vuçiq është përpjekje për të fituar kohë”, thotë Bytyçi për “Bota sot”, sipas të cilit, Beogradi ka marr garanci nga Moska.

“Kjo do të thotë se në Beograd kanë marrë garanci nga ana e Moskës se “Rusia do të angazhohet për ta fituar luftën në Ukrainë”! Shumica dërmuese e politikanëve serbë presin me padurim fitoren e Vladimir Putin në Ukrainë. Ndërkaq Putin u ka dhënë garanci serbëve se menjëherë pas Ukrainës “do të merret me Kosovën“! Por pa specifikuar se çfarë ai ka në projekt lidhur me këtë. Nuk dihet nëse presidenti rus bën një ftesë joshëse për Beogradin, që ky i fundit të mos e pranojë formulën franko-gjermane të zgjidhjes së konfliktit në Kosovë, apo ka diçka tjetër”, thekson Bytyçi.

Por cili është plani i Vladimir Putinit për Kosovën?

“Se mund të jetë edhe që Putin planifikon që Kosovën ta këmbejë me Krimenë në bisedimet që në fund të luftës mund të bëhen midis Ukrainës e Rusisë me ndërmjetësinë e Fuqive të Mëdha. Ndoshta edhe ministri i Jashtëm i Republikës Popullore të Kinës këtë zgjidhje i ka ofruar Moskës. Pra që t’i japë fund luftës dhe në këmbim bashkësia ndërkombëtare ta njohë aneksimin e gadishullit të Krimesë. Që do të thotë se edhe Kina të bie në një mendje me Rusinë që në këmbim të njohjes së Krimesë si pjesë e Rusisë, këto dy superfuqi, anëtare të Këshillit të Sigurimit të votojnë pranimin e Kosovës në OKB!”, shprehet Bytyçi.

Për fund, Bytyçi alarmon gjithë spektrin politik në Kosovë që t’i dal në mbështetje kryeministrit Kurti.

“Pra, është enigmë. Nuk e dimë se çfarë ka parasysh Vladimir Putin me atë që ai thotë se pas Ukrainës do të merret me Kosovën. Megjithatë lideshipi i Kosovës duhet të marrë në konsideratë gjithçka, çdo mundësi dhe çdo opsion për zgjidhjen e problemit të Kosovës, problem të cilin e ka shkaktuar gjenocide serb në Kosovë. Unë personalisht kam bindje se zoti Kurti i ka aftësitë dhe vullnetin për të negociuar më të mirën për Kosovën. Ndërkohë që paraardhësit e tij, për arsye që ende nuk i dimë, kishin një tendencë kompromisi të pamotivuar në dobi të Serbisë”, përfundon për “Bota sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Kujtojmë se presidenti rus, Vladimir Putin e ka justifikuar aneksimin e rajoneve në Ukrainë me procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe ka hedhur vazhdimisht paralele mes Krimesë dhe Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit