Policia e Kosovës ka konfiskuar rreth 3 mijë kilogramë mish dhe 7 lopë në Pejë, pasi që pronari nuk ka prezantuar ndonjë dokument për identifikimin e prejardhjes së tyre, shkruan Gazeta Metro.
Përmes një komunikate për media, Policia e Pejës njofton se gjatë bastisjes në një depo janë gjetur të deponuara lëkura të kafshëve dhe rreth 3 mijë e 200 kilogramë lloje të ndryshme të mishit dhe në stallën e këtij objekti janë gjetur 7 krerë lopë dhe gjedhe pa numër identifikues.
Pasi që janë njoftuar nga policia, në vend të ngjarjes kanë dalë inspektoret e AUV’së dhe doganierët.
“Pas verifikimit të objektit nga inspektorët është konstatuar se depoja në fjalë nuk i plotëson kushtet higjieno-sanitare dhe janë vendosur vulat zyrtare (bllombat) në dyert e depos deri sa të krijohen kushtet për asgjësim, ndërsa shtatë (7) krerë lopë dhe gjedhe janë konfiskuar pasi që nga i dyshuari nuk është prezantuar ndonjë dokument për identifikimin e prejardhjes së tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.