11.9 C
Pristina
Wednesday, April 17, 2024

Prekëse: Gazetarja e RTK’së dha jetën për të bijën

Rekomandime

Sot në ambientet e RTK-së është mbajtur mbledhje komemorative për gazetaren, Ardita Sylejmani-Bllaca, e cila ndërroi jetë gjatë procesit të lindjes në Budapest. Ardita ishte shembull i gazetarisë së mirëfilltë dhe për një dekadë dha kontributin e saj të çmuar në Dhomën e Lajmeve të RTK-së.

- Advertisement -

Në fjalën e rastit, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, i shprehur edhe një herë ngushëllime familjeve Sylejmani dhe Bllaca, si dhe të gjithë kolegëve e miqve të Arditës.

”Këto ditë të vështira dhe të papërballueshme ne i bashkohemi dhimbjes suaj. Lutemi që këtë dhimbje bashkërisht ta kthejmë në qëndresë, forcë dhe krenari për jetën dhe veprën e Arditës. Ajo ishte dhe do të mbetet shembull për të mos u harruar kurrë. Ardita dha një kontribut të madh në RTK gjatë tërë kohës, andaj humbja e saj është humbje e madhe për ne dhe për gjithë gazetarinë kosovare. Përkushtimi në punë për secilën detyrë që iu ka besuar si dhe dashuria për profesionin bëjnë që Ardita të mbetet në kujtesën e familjarëve, miqve dhe kolegëve. Le të prehet e qetë në amshim, derisa kujtimi për të qoftë i përjetshëm”, ka theksuar Kastrati.

Ndërkohë në emër të familjes një fjalë rasti e mbajti axha i Arditës, Fehmi Sylejmani.
“Ardita iku nga kjo botë në një betejë të vështirë për ta shpëtuar Gretën gjatë një lindje të vështirë e të komplikuar. Në këtë betejë të pamundur ku nuk mund të fitonin të dyjat, Ardita zgjodhi jetën e Gretës, për të përmbushur misionin e saj si një nënë, e cila sakrifikoi veten për beben e saj. Me siguri tani Ardita është e lumtur që Nartit dhe Lizës ua bashkoi edhe engjëllin e tretë, Gretën dhe ata i la në duart e bashkëshortit dhe gjithë familjes së saj. Është e vështirë për mua të përmbahem në një moment si ky që kurrë nuk kisha dashur, e për Arditën më së paku. Ardita ishte gëzimi i parë në familjen tonë, ishte gjithmonë e hareshme, e afërt, e këndshme dhe mbi t gjitha shumë e dashur. Do të na mungojë shumë sot e tutje, mirëpo përkushtimi dhe korrektësia e saj neve na bën shumë krenar. Lamtumirë Arditë, engjëlli ynë. Në emër të familjes ju falënderoj që na jeni bashkuar në këtë dhimbje të madhe dhe na keni dhënë kruajë për ta përballuar sa më lehtë këtë dhimbje”, ka thënë axha i Arditës.

- Advertisement -

Në emër të kolegëve dhe miqve foli Leonora Bërbatovci. Ajo theksoi se është e vështirë të përmbahen lotët sot kur Ardita nuk është në mesin tonë. “Por vështirë ishte të përmbahen lotët edhe kur ajo ishte me ne, por në fakt ata ishin lot buzëqeshje, sepse e tillë ishte Ardita. Nuk jetojmë gjithmonë, kështu përgjigjej Ardita sa herë që dikush prej nesh vinte në pikëpyetje ndonjë dalje të zakonshme apo organizim ndeje. Ajo më së miri e paska ditur se vërtet ne nuk jetojmë përgjithmonë. Por për aq pak sa jetojë na tregojë se si duhet jetuar çdo sekondë që të ofrohet. Ajo këtë e bëri, e bëri më së miri me dinjitet dhe gjithmonë duke buzëqeshur. Jeta e saj ishte më dinamike, prandaj ndoshta edhe u shua kaq shpejt sepse çdo sekondë i humbur për të ishte zhgënjim. Arditë, na fal nëse të kemi zhgënjyer ndonjëherë! Faleminderit që na le kujtime që ma shumë na bëjnë me qesh e nuk na lënë shumë hapësirë për lot. E dimë se lotët na i arsyeton në këtë fazë, sepse kthimin tënd e prisnim ndryshe, por meqenëse nuk na the lamtumirë kur more rrugën për Budapest as ne sot nuk ta themi dot lamtumirën. Tash u riktheve aty ku shpirti yt i takon këtij qielli. Në vend të lamtumirës deri në takimin tonë të radhës, të qoftë i lehtë dheu”, theksoi kolegia e Arditës, Leonora Bërbatovci.

Në emër të komunitetit të gazetarëve foli edhe kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina, e cila theksoi se Ardita na ka lënë vetëm kujtime të mira.

- Advertisement -

“Ardita ka qenë e përkushtuar dhe e denjë për profesionin si dhe e nderuar nga të gjithë. Ajo ka qenë e pa kompromis për të ardhmen e vendit dhe e pa kompromis për një të ardhme më të mirë për fëmijët, të cilët aq shumë i deshi”, ka thënë Begolli-Pustina.

Varrimi i të ndjerës do të bëhet sot në orën 16:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Ndryshe, kështu jepte lajmin kolegia e saj që nuk mund t’i përmbante emocionet e saj:

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit