-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Presidenti i Maqedonisë së Veriut kundër idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë

Rekomandime

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, është kundër idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, një zgjidhje që mund të vijë përmes një ideje të tillë do të ketë efekte të dëmshme për rajonin dhe do të vë në rrezik gjithë progresin që është bërë në 20 vitet e fundit.

Pendarovski ndërkohë mbështet përpjekjet e SHBA’së dhe BE’së në raport me dialogun Kosovë-Serbi dhe thotë se është për një marrëveshje kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit që ka garancinë e fortë ndërkombëtare dhe që i kontribuon stabilitetit.

- Advertisement -

Tema e korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve është rikthyer përsëri në qendër të vëmendjes pas një interviste të Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Josep Borell, i cili shfaqi qëndrimin e tij jo kundërshtues ndaj një ideje të tillë. Sipas tij, janë Kosova dhe Serbia ato që vendosin se për çfarë merren vesh dhe jo Brukseli.

Në Kosovë në mënyrë konstante i gjithë faktori politik e ka kundërshtuar një nismë që do të çonte në ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kundër prekjes së kufijve janë edhe udhëheqësit në shtetet fqinje. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, thotë se një ide e tillë mund të ketë efekt të dëmshëm dhe të minojë gjithë përpjekjet që janë bërë për rimëkëmbjen e Ballkanit Perëndimor dhe për krijimin e shoqërive shumë etnik në rajon.

- Advertisement -

Kështu kanë thënë nga zyra për media e Presidencës së Maqedonisë së Veriut.

Presidenti Pendarovski beson se zgjidhjet që mund të çojnë në korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e tokës dhe njerëzve mund të kenë ndikim të pafavorshëm në rajon dhe efekt të dëmshëm për përpjekjet gjithëpërfshirëse të bëra në rimëkëmbjen pas konfliktit të rajonit dhe në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme multi-etnike”, ka thënë, Bilajana Radeva.

- Advertisement -

Radeva ka thënë se presidenti Pendarovski ndjek në vazhdimësi zhvillimet lidhur me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se mbështet plotësisht përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për rinisjen e dialogut në të ardhmen.

Gjithashtu kreu i shtetit maqedonas thotë se është në interes ta rajonit dhe të Evropës në përgjithësi që të gjendet një zgjidhje që do të ishte në të mirën e Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Pendarovski beson fuqimisht se është në interes të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe kontinentit Evropian në tërësi që çështja midis fqinjëve tanë veriorë zgjidhet në interesin më të mirë të dy palëve. Prandaj, ne do të jemi mbështetës për një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ka garanci të forta ndërkombëtare dhe forcon stabilitetin dhe sigurinë rajonale, kështu, duke i hapur rrugën bashkëpunimit të zgjeruar rajonal”, ka thënë Radeva

Në fund, nga zyra për media e presidencës maqedonase thonë se Pendarovski e kupton faktin se mund të ketë pikëpamje të ndryshme rreth asaj se si duhet të zgjidhet problemi mes Kosovës dhe Serbisë, dhe fton palët e përfshira në proces që të ndërtojnë besim të ndërsjellë dhe të ulin tensionet në mënyrë që të ecet përpara drejt një kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa kuptojmë se mund të ketë pikëpamje të ndryshme për të zgjidhur këtë çështje afatgjatë dhe komplekse, besojmë se palët e përfshira në proces duhet të përqendrohen në ndërtimin e besimit të ndërsjellë dhe uljen e tensionit si një parakusht esencial drejt hapjes së diskutimeve thelbësore që përfundimisht do të çojnë tek kompromisi midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

Kundër idesë së korrigjimit të kufijve është deklaruar edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass. Në një debat të mbajtur në Bungestag gjatë së mërkurës, Mass ka thënë se një ide e tillë prolongon edhe më tej gjetjen e një zgjidhje për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij lëvizja e kufijve apo shkëmbimi i territoreve çon në një rrugë qorre.

Se korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk i kontribuon stabilitetit të rajonit edhe ka thënë edhe emisari i BE’së, Miroslav Lajçak. Gjithashtu njohës të rajonit dhe ekspert të huaj kanë ngritur shqetësimet e tyre në mënyrë të vazhdueshme se një ide e tillë është e rrezikshme dhe se mund të krijojë një efekt zinxhir të destabilitetit në të gjithë rajonin.

Publikisht për idenë e korrigjimit të kufijve për herë të parë kishin folur në vitin 2018, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksander Vuçiq, gjatë një forumi në Alpabach të Austrisë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e kishte kundërshtuar ashpër një ide të tillë, derisa kishte organizuar edhe një Samit në Berlin, që thuhej se ishte bërë për të bindur edhe presidentin francez, Emannuel Macron për të pasur qëndrim të ngjashëm për një ide të tillë.

Ekspertë të ndryshëm kishin thënë se një ide e tillë ishte varrosur në atë Samit, megjithatë zhvillimet aktuale vërtetojnë deklaratën e ekspertit amerikan, Daniel Serwer, të dhënë kohë më parë se “ideja e korrigjimit të kufijve s’ka vdekur dhe se është si një kufomë që po vazhdon të endet vërdallë”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit