1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Profesori amerikan: Kurti i ka idetë e tij se çfarë do

Rekomandime

Problemi nuk është te mungesa e komunikimit mes Kryeministrit Kurti dhe SHBA-së, thotë profesori amerikan, Daniel Serwer. Sipas tij, Kryeministri i ka idetë e veta për “atë se çfarë dëshiron të bëjë”. Vetëm se, shpreson që të jetë i përgatitur për çkado që ndodhë, si pasojë e kësaj.

Edhe njëherë, qeverisja e Kryeministrit Albin Kurti, ka arritur te pika ku diskutohet se cilat janë raportet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

- Advertisement -

Kryeministrin Kurti e pengojnë pyetjet rreth qëndrimit të Shteteve të Bashkuara së fundmi për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale.

Kurti, siç shprehet në konferenca, është i bindur se reagimet e SHBA-së po keqlexohen, ndërsa thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit amerikanë.

“’A do ta dëgjoni Amerikën’, ‘a po prishemi me Amerikën’. Nuk ndodhin këto gjëra. Kuptoni. Nuk kemi ne kështu raporte me SHBA-në, siç i përshkruani ju, sikurse gjyshi me nipin”, i tha Kryeministri të hënë një gazetares.

- Advertisement -

Kurti nuk thotë se është koordinuar me aleatët, që i kërkojnë me ngulm shtyrje të zbatimit të vendimit për targat ilegale. Por, e thekson se nuk i ka befasuar asnjëherë ata me vendimet që i ka marrë.

“Edhe njëherë, asnjë veprim i joni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan, asnjë zyrtar evropian. Ne jemi në kontakt e komunikim të vazhdueshëm me ta. SHBA-të i kemi miq dhe partnerë”, tha Kurti.

- Advertisement -

Kryeministri insiston te komunikimi i përditshëm që e ka me përfaqësuesit amerikanë, kur pyetet për reagimet që i bëjnë ata, e që janë të ndryshme prej qëndrimeve të Kurtit në lidhje me zbatimin e vendimit për targat, ose me Asociacionin. Këtë e ka thënë edhe para dy vjetëve, kur raportohej se ai kishte mospajtime me administratën Trump, për shkak se s’po i bindej ta hiqte reciprocitetin ndaj Serbisë.

Kurti dhe Amerika

Profesori amerikan, Daniel Serwer, i ka thënë Gazetës Express se problemi nuk është te komunikimi mes Kryeministrit kosovar dhe SHBA-së. Këtu Serwer flet për idetë dhe ato që dëshiron Kurti.

“Nuk mendoj se problemi është mungesa e komunikimit. Kryeministri i ka idetë e tij për atë se çfarë dëshiron të bëjë”, thotë Serwer.

“I ka idetë e tij për atë që do ta bëjë. Shpresoj që ai gjithashtu është përgatitur të përballojë çfarëdo që ndodhë, si rezultat i kësaj”.

Ka qëndrime të ndryshme për atë që e thotë Kurti mbi raportet me Shtetet e Bashkuara.

Për ata që këto marrëdhënie janë esenciale, si për ish-deputetin Faton Bislimin, që e ka aktivitet të tijin raportet Kosovë – SHBA, cenimi i kësaj miqësie është cenim i vetë shtetit.

“Fundja, Republika e Kosovës është edhe projekt amerikan dhe SHBA-të nuk do e lejojnë dështimin e saj sikur edhe ne të donim një gjë të tillë. Për këtë arsye, SHBA-të kanë plane më shume se ne vetë për shtetin tonë”, ka thënë Bislimi sot për Gazetën Express.

Shkelzen Gashi, ish-këshilltar i Kryeministrit Albin Kurti në Qeverinë e parë të tij, kur diskuton për kërkesat e përfaqësuesve amerikanë dhe qëndrimet e Kurtit, thotë se e tmerron ideja që t’i nënshtrohet SHBA-së “si bebe”.

Kurti të hënën tha se ngjarjet në Veri nuk janë revoltë për vendimin rreth targave, por reagim i presidentit serb, Aleksandër Vuciqit që nuk e pranoi propozimin franko-gjerman.

Profesori amerikan thotë se “duket sikur Vuçiq do të reagonte në këtë mënyrë, edhe pa e refuzuar propozimin franko-gjerman”.

Thirrjet e SHBA-së

Rreth një javë para se të skadonte afati, të cilin Kryeministri Kurti e kishte lënë për serbët e Veriut, u intensifikuan thirrjet e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë, që Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin për zbatimin e vendimit për konvertimin e targave ilegale, që Serbia i lëshon për banorët serbë të Veriut.

Tri ditë para 1 nëntorit, Kryeministri Kurti, pas një takimi me ambasadorët e QUINT-it, i propozoi kabinetit qeveritar që zbatimin e vendimit të mos e shtynin, por ta ndanin me faza. Fillimisht, poseduesve të targave ilegale do t’u bëheshin qortime.

Pak orë pas këtij vendimi, SHBA nisi me reagime, duke u shprehur “të zhgënjyer dhe të shqetësuar”, që Kosova s’po i dëgjonte në shtyrjen e vendimit, për 10 muaj, siç e kishin kërkuar.

Për shkak se nuk pranoi ekzekutimin e vendit të Qeverisë, për t’i qortuar qytetarët me targa ilegale, Komandanti i Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq, u suspendua. Ai u bë guri i parë i Dominos. Serbët e Veriut u larguan një pas një nga të gjitha institucionet e Kosovës, ku punonin.

SHBA-ja shprehi sërish shqetësim për gjendjen e krijuar. Edhe njëherë i bëri thirrje Kosovës që ta shtynte vendimin për targat. Kësaj ia shtoi edhe kërkesën që të nisi themelimin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Serbëve iu kërkua të kthehen në vendet e tyre të punës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit