10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Presidenti ukrainas u jep zemër ushtarëve në frontin e luftës: Kam besim se do ta mundim Rusinë

Rekomandime

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se forcat e armatosura të Ukrainës janë në gjendje që të përballojnë çdo sulm të mundshëm nga Rusia. Gjatë një vizite në frontin e luftës, në Donjeck, në ditën kombëtare të ushtrisë, presidenti pa nga afër moralin e ushtarëve të tij, që përballen çdo ditë me separatistët e mbështetur nga Moska.

“Sot do të doja të uroja secilin nga ju shëndet dhe jetë të gjatë. Është shumë e rëndësishme sepse duam t’u themi nipërve e mbesave tona histori të mrekullueshme për heroizmat tuaja teksa mbronit vendin. Me njerëz si ju, kam besim se do t’i mundim të gjithë, me siguri”, tha Zelenskiy.

- Advertisement -

Deri tani, që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia, Kievi thotë se kanë humbur jetën 14 mijë persona nga luftimet. Armëpushimi i brishtë i firmosur në vitin 2020 nuk respektohet gjithmonë dhe herë pas here ka shkëmbime zjarri.

Por së fundmi frika është shtuar për një pushtim të plotë të Ukrainës nga ana e Rusisë, pasi vetë Kievi, por edhe disa agjenci informative amerikane kanë paralajmëruar për këtë. NATO dhe SHBA i kanë bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që pasojat e një veprimi të tillë do të jenë të rënda.

Ukraina akuzon Rusinë se ka rreshtuar dhjetëra mijëra trupa në kufi, ndërsa Rusia thotë se ky është thjesht një alarm i fryrë nga ana e Perëndimit. Putin madje paralajmëroi NATO-n të mos shkelë vijat e kuqe dhe të mos zgjerohet në lindje.

- Advertisement -

Për konfliktin në Ukrainë dhe tensionet e fundit, është rënë dakord që të martën të organizohet edhe një samit virtual mes Joe Biden dhe Vladimir Putin.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit