Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t`i publikojë sot rezultatet e rreth 3.000 votave të ardhura nga Serbia.
Procesi i numërimit të këtyre votave përfundoi mbrëmë në mesnatë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Jozyrtarisht, është bërë e ditur se pothuajse të gjitha votat janë për Listën Serbe.
Partitë politike kanë kundërshtuar numërimin e votave nga Serbia me arsyetimin se ato kanë ardhur përmes rrugëve joligjore.
Zyrtarët e KQZ-së i kanë numëruar këto fletëvotime me doreza në duar pas dyshimeve se janë të helmuara.
Më herët 26 zyrtarë të KQZ-së kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi janë ankuar për probleme shëndetësore pasi kishin hapur zarfet e ardhura nga Serbia.
Për pasojë, procesi ishte ndërprerë deri në ditën e djeshme kur këto vota janë bartur për numërim në QNR.
Në shenjë proteste ndaj numërimit të këtyre votave koalicioni Nisma-AKR-PD ka tërhequr mbrëmë vëzhguesit nga QNR.
Sipas këtij koalicioni, këto vota kanë ardhur në mënyrë ilegale në Kosovë dhe se numërimi i tyre e cenon demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës.