Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka thënë se garancitë perëndimore se Ukraina nuk do t’i bashkohet NATO-s së shpejti nuk janë mjaft të mira dhe se Rusia “duhet ta zgjidh çështjen tani”.
Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Putin tha gjithashtu se Moska është gati për bisedime me SHBA-në dhe NATO-n mbi kufizimet për vendosjen e raketave dhe transparencën ushtarake, raporton The Guardian.
Scholz tha se anëtarësimi i Ukrainës nuk është në rend të ditës, duke shfrytëzuar mundësinë për të bërë shaka në kurriz të Putinit, sipas Max Seddon të Financial Times.

Rusia ka bërë presion për një veto ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO që kur Kremlini parashtroi një sërë kërkesash maksimaliste sigurie dhjetorin e kaluar, ndërsa anëtarët e Aleancës kanë theksuar vazhdimisht të drejtën e tyre për ta lejuar anëtarësimin e shteteve tjera.
Putin bëri thirrje gjithashtu që konflikti në Ukrainën lindore të zgjidhet përmes procesit të paqes në Minsk.

Sipas gazetarit Mark MacKinnon, Scholz iu referua edhe Minskut dhe votimeve në Dumën ruse, ku deputetët i kërkuan Putinit t’i njohë dy republikat separatiste të vetëshpallura në Ukrainën lindore. Scholz tha se nëse ai votim do të bëhej realitet, procesi [Minsk] do të përfundonte.
Marrëveshja e Minskut, një marrëveshje e ngecur e vitit 2015 midis Moskës dhe Kievit, e ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania, është theksuar gjithashtu nga presidenti francez Emmanuel Macron si një rrugëdalje nga ngërçi aktual.