-3.6 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Qeveria trazon RTK’në, shpërthejnë akuzat ndaj “pushtetit bolshevik”

Rekomandime

Shkarkimi i Bordit të Telekomit të Kosovës u tha se nuk do të jetë i fundit. Punonjësit në Radiotelevizionin e Kosovës po i akuzojnë partitë në pushtet se do t’ua mësyjnë dhe do të tentojnë t’i instalojnë njerëzit e tyre në vendimmarrje. Sindikata e RTK-së në anën tjetër kërkon që të bëhen hetime nga Kuvendi. Sfida e radhës mbetet zgjedhja e bordit të ri, shkruan Gazeta Express.

- Advertisement -

Lëvizja Vetëvendosje ishte shumë e zëshme kundër RTK-së sa ishte në opozitë, e shpesh i referohej si ‘Ministria e Propagandës”. Sipas partisë së Albin Kurtit, Radio Televizioni i Kosovës, ishte i njëanshëm në raportim si dhe krah i pushtetit, apo siç deklaronin ata ‘Prontos’.

Raportet nuk u relaksuan as me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, kur ai pranoi t’i japë televizionit publik intervistë duke thënë se “e do publiken”. Tani Lëvizja Vetëvendosje e LDK si qeveri filluan atë që e kishin paralajmëruar – shkarkimin e bordeve, që nisi me atë të Telekomit.

Se do të vazhdojë kjo, paralajmëroi sot gjatë ditës edhe vetë kryeministri Albin Kurti, si dhe vartësi i tij në Ministrinë e Financave, Besnik Bislimi. Pas Telekomit u paralajmërua se rendin do ta ketë RTK-ja.

- Advertisement -

Deklaratat që nga Qeveria po përcillen si veprime për të shpëtuar transmetuesin publik nga kapja, po shihen ndryshe në RTK.

Më i zëshmi është ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit, Ridvan Berisha, që nuk ka hezituar që të flasë kundër këtyre veprimeve edhe në emisionin e tij televiziv. Ai publikisht ka akuzuar qeverinë se kanë një skenar për kapje të RTK-së.

- Advertisement -

Këto deklarata Berisha i ka përsëritur sot gjatë ditës në një prononcim për Gazetën Express. Ai thotë se është një operacion i koduar mes dy partive në pushtet që të kontrollojnë publikisht RTK-në.

“Operacioni i koduar, pastrimi i LVV-së dhe LDK-së me gjasë do të shtrihet gjithandej, pashmangshëm edhe në RTK, si pjesë e konceptit bolshevik për me i etablu njerëzit e vet, kjo është e qartë me arsyetimin se RTK që është medium regjimi dhe ndër operacionet e para të tyre është me i etablu njerëzit e vet në vendimmarrje edhe me e kontrollu politikisht RTK-në. Këta e kanë këtë prioritet. Këtë po e them personalisht si drejtues emisioni”, thotë Berisha.

“Personalisht, kam qenë i linçuar me muaj prej VV, fotografia ime ka qenë në ballë të një konference për shtyp, në ambientin kuq e zi të kësaj partie ku janë mbajt konferenca të rregullta për shtyp. Raportin me LV-në e kam personal për shkak të linçimit, dhe brigadave që e kanë organizu linçimin tim dhe ftesën për vrasjen tem me ta e kam personale. Ndaj RTK-së ka pas bomba, ndaj drejtorit gjeneral. Edhe ndaj meje është paralajmëru diçka e ngjashme. Unë jam gazetar e drejtoj emisionin tem politik”, thotë ai.

Mirëpo, vetë Berisha ka një vit që po funksionin si ushtrues detyre i kryeredaktorit. Ai e pranon se nuk është zgjedhur dikush në pozitën e tij, derisa shton se partitë në pushtet po tentojnë që ta kontrollojnë edhe pozitën të cilën e ka ai.

“Po, s’është punë pranimi kjo, unë nga marsi i vitit të kaluar jam në cilësinë e ushtruesit të detyrës, nuk është ndonjë sekret. Projektimi i LV-së dhe LDK-së është me e kontrollu politikisht qind për qind RTK-në, të gjitha detyrat edhe këtë që unë e mbaj unë si ushtrues detyre”, thotë ai.

Berisha nuk e mohon se është i afërt me ish-pushtetin, e as nëse ka ndikuar në punësimin e gruas së tij në Telekom, përmes lidhjeve që kishte me politikën.

“Po, natyrisht. Jemi në një vend demokratik dhe kam vend me qenë i afërt me kënd du, vetëm me Stalinin dhe Lenin jo, edhe me Erdoganin s’jam i afërt”, shton ai.

Ridvan Berisha thotë se ndikimi i LV-së dhe LDK-së do të vërehet me zgjedhjen e bordit të ri.

“Është Komisioni për media, ata i intervistojnë kandidatët, kshyrni kush ka apliku edhe e gjeni përfundimin, qëndrimi i LV-së dhe i LDK-së në raport me RTK-në, besoj që është i njohur edhe për juve”, ka përfunduar Ud. i kryeredaktorit në RTK.

E në fakt Bordi i RTK-së është një çështje që ka kohë që s’i është dhënë epilog, e që ka aktualisht vetëm 4 anëtarë. Marijana Simic, nënkryetare, si dhe anëtarët, Agron Gashi, Lirim Geci dhe Sali Bashota.

Për t’u funksionalizuar duhet që të emërohen edhe anëtarët tjerë të bordit, për të cilët janë hapur pozitat për aplikim.

Momentalisht e hapur është pakoja për nominimin e dy anëtarëve të bordit për komunitetin shqiptar, që do të qëndrojë deri më datë 26 shkurt 2020.

Organi drejtues i RTK-së, përbëhet nga nëntë anëtarë që emërohen në Kuvend të Kosovës. KPM bën ftesë publike për propozime që të plotësohen pozitat në bord.

Në konsultim me bordin aktual pastaj KPM përcakton dhe shpallë kritetret për zgjedhjen e kandidatëve për secilën pozitë. Këshilli i KPM-së pastaj thërret një komision ad-hoc që të përcaktojnë dy kandidat më të kualifikuar për secilën pozitë.

Komisioni pastaj paraqet kandidatët në Kuvend të Kosovës. Për secilën pozitë votohet për njërin prej dy kandidatëve të propozuar.

Zgjedhja e Bordit të ri po shihet si sfidë edhe nga sindikata e RTK-së. Kryetari i sindikatës, Fadil Hoxha ka thënë sot për Gazetën Express që kjo është një çështje urgjente që duhet të zgjidhet.

“Si urgjente që duhet me e bë Kuvendi është me e funksionalizu bordin e RTK-së, duhet një interpretim ligjor për zgjedhjen e drejtorit gjeneral, sepse ne si sindikatë e kemi denoncu këtë proces në Gjykatë, sepse ne jemi të bindur që kjo është bërë në mënyrë të kundërligjshme pa dy të tretat e anëtarëve të bordit është zgjedhë drejtori gjeneral, duhet kuvendi përmes zyrës ligjore me e thanë të vërtetën rreth kësaj zgjedhje”, thotë Hoxha, teksa shton se duhet që në Kuvend të krijohet një komision që do të hetojë punën e bërë në transmetuesin publik.

“Për RTK themelues është kuvendi, është organ mbikëqyrës dhe asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të përfshihet në çështje të RTK-së, ne si sindikatë me vite të tëra e kemi kërkuar e kemi ngritur si shqetësim që në RTK duhet përmes kuvendit të themelohet një komision hetimor, që në RTK të konstatohet gjendja reale, të thuhet e vërteta, të hartohet një plan adekuat për shpëtimin e transmetuesit publik. E para funksionalizimi i bordit, i dyti të konstatohet të hetohet për zgjedhjen e drejtorit në mënyrë që të kompletohet menaxhmenti i RTK-së, për shkak se RTK është pa bord dhe pa menaxhment”, thotë ai, duke shprehur shqetësim që bordi është duke funksionuar që një kohë pa disa anëtarë.

Tashmë një nga konkurset për bord është mbyllur dhe pritet që të shkojë në Kuvend të Kosovës, aty ku edhe do të dorëzohen emrat që pastaj do të votohen prej deputetëve.

“Ka më shumë se dy muaj ku dikun 7 anëtarëve të bordit iu ka skaduar mandati, tash është bordi me 4 anëtar. Duhet të hetohet procesi i zgjedhjes së bordit”, shprehen nga sindikata.

Se nuk do të ndalen veç me Telekomin ka deklaruar edhe zv.kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka thënë se shkarkimi i bordit të kësaj kompanie është veç fillimi.

“Sot ishte vetëm fillimi. Sot Qeveria ka shkarkuar Bordin e Telekomit. Në ditët në vijim do të analizojmë raportet e auditimit dhe performances të të gjitha ndërmarrjeve publike dhe do të marrim vendimet meritore lidhur me bordet e tyre. Duhet të shpëtojmë nga falimentimi këto ndërmarrje”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Pos bordit të Telekomit, dje kryeministri Albin Kurti me vendim të qeverisë ka shkarkuar disa zyrtarë shtetërorë që kishin qenë pjesë e ministrive. Nga vendimi pësuan disa sekretarë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit