0.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Rreth 60 raste të korrupsionit e kanë bllokuar liberalizimin, të akuzuarit lëvizin lirshëm nëpër Evropë

Rekomandime

Rreth 60 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar po i pengojnë kosovarët që të lëvizin pa viza. Pavarësisht se po premtohet që liberalizimi i vizave të jetë dhuratë për Kosovën në prag të Krishtlindjeve, gjasat për këtë janë inekzistente. Përveç Gjermanisë, duket se askush tjetër prej shteteve anëtare të BE’së nuk mendon se kosovarëve duhet t’u hiqet regjimi i vizave brenda një kohe të shkurtër, derisa përmbushet kushti për sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

- Advertisement -

Liberalizimi i vizave ka qenë premtimi kryesor i liderëve kosovarë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të 2008’ës.

I pari që filloi me dhënien e afateve për liberalizim, ishte Hashim Thaçi. Ai nga pozita e kryeministrit, në vitin 2010, kishte premtuar se për 15 muaj, kosovarët do të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

Tashmë Thaçi është bërë President i vendit, e premtimi i tij i ka “mbushur” nëntë vite, por ende s’ka liberalizim.

- Advertisement -

Më larg se Thaçi, kishte shkuar ish-Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

Ai e kishte konsideruar të kryer këtë punë. Madje, Çollaku pati hapur edhe shampanjë për ta festuar liberalizimin e vizave qysh më 4 maj të vitit 2016. Një video e asaj feste është ende në faqen zyrtare të MI’së.

- Advertisement -

 “PA VIZA-2016 – Më në fund, ia arritëm të përmbushim edhe një qëllim tjetër për Kosovën. Ju uroj nga zemra të gjithëve për propozimin e sotëm të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, kishte shkruar Çollaku në profilin e tij në Facebook me 4 maj të 2016.

Në po të njëjtën ditë me Çollakun, qytetarët i kishte uruar edhe ish-Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë Mustafa, Arban Abrashi.

Më  4 maj të vitit 2016, Abrashi kishte postuar një foto bashkë me Kryeministrin e atëhershëm, Isa Mustafa, ku i uronte kosovarët për liberalizimin që nuk erdhi kurrë.

“Urime liberalizimi, Urime Kosovë! Me MSA dhe liberalizim, perspektiva evropiane merr kuptim të plotë”, kishte shkruar Abrashi në një postim në Facebook.

Afatet e liderëve kosovarë për liberalizim, nuk përfundojnë këtu. Një premtim të tillë e kishte bërë edhe Ramush Haradinaj.

Haradinaj, gjatë kohës sa ishte mandatar për Kryeministër i koalicionit PAN, më 30 maj kishte premtuar se me ardhjen e tij në krye të Qeverisë, liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda 90 ditëve.

“Edhe sot e përsëriti këtë Zotim: Me Qeverinë e re brenda 90 ditësh qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Gjermani, Zvicër, Austri dhe krejt Evropën”, kishte shkruar Ramush Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Premtimet për liberalizim, Haradinaj po vazhdon që t’i përsërisë edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se kanë kaluar rreth katër muaj që nga koha kur ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të ekzekutivit, shkaku i ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale.

Haradinaj vazhdon të besoj se liberalizimi i vizave do të ndodhë në dhjetor.

“Javën e kaluar e patëm një delegacion gjerman port vlerësim të situatës dhe shpresoj që do të marrim lajmin e mirë për vizat para Krishtlindjeve”, ka deklaruar Haradinaj, hiç më larg se dje.

Se liberalizimi i vizave mund të jetë një dhuratë për Krishtlindje për Kosovën, e kishte thënë deputeti Peter Beyer nga CDU-ja e kancelares Angela Merkel, gjatë vizitës së fundit në Kosovë.

Por, gjasat që liberalizimi i vizave të jetë dhuratë për Kosovën në prag të Krishtlindjeve janë inekzistente. Përveç Gjermanisë, duket se askush tjetër prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nuk mendon se kosovarëve duhet t’u hiqet regjimi i vizave brenda një kohe të shkurtër, derisa Republika e Kosovës të përmbushë kushtin për sundimin e ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

E për t’i bindur evropianët se është luftuar korrupsioni, Kosova ka para vetes 57 raste të ashtuquajtura “të shënjestruara”. Pa përfundimin e gjykimeve të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, kosovarët do të mundë të lëvizin pa viza vetëm në ëndërr.

Hetimi dhe zbulimi i këtyre rasteve është kusht i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Madje, me kalimin e viteve, ky kusht vetëm sa po bëhet pengesë më e madhe për liberalizim

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu i ka thënë Gazetës Express se deri më sot janë shënjestruara 57 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Deklaron se mbi 40 raste janë me aktakauzë, e të tjerat nën hetime.

“Ju njoftojmë se në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), deri më sot, janë shënjestruara 57 raste, nga të cilat 41 raste janë me aktakuzë (12 prej tyre tani janë të plotfuqishme), 12 raste janë në hetime, në 4 raste janë pushuar hetimet, ndërsa në 1 rast tjetër është pezulluar hetimi”, ka thënë Lutfiu.

Në këto raste janë të përfshirë rreth 450 persona, numri më i madh i të cilëve janë të akuzuar për vepra korruptive.

“Në kuadër të këtyre rasteve janë të përfshirë 443 persona, prej tyre të akuzuar janë 320 persona, ku për vepra korruptive janë 171 persona, ndërsa për vepra penale krim të organizuar 149 persona”, thuhet në përgjigjet e PSRK’së drejtuar Gazetës Express.

Ndryshe, për rastet korruptive dhe të krimit të organizuar ishte deklaruar kohë më parë edhe ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek.

Lunaçek kishte thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ofrojë dëshmi konkrete për dënimin e rasteve të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar.

“Dëshmitë konkrete për dënimet e nivelit të lartë për krim të organizuar dhe korrupsion duhet të ofrohen. Duhet thjeshtë të publikohen, duhet të ketë dënime për këto raste të nivelit të lartë. Duhet të dokumentohet, të publikohet dhe kjo është ajo që nevojitet”, kishte thënë Lunacek./Gazeta Express

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit