1.6 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

E mrekullueshme, rreth dy mijë shqiptarë në ushtrinë zvicerane

Rekomandime

Shifrat jozyrtare thonë se rreth 2 mijë shqiptarë mund të jenë pjesë e ushtrisë së Zvicrës, shkruan albindo.
Por, numri i saktë nuk mund të dihet sepse përgjigja e autoriteteve të ushtrisë është se Zvicra ka ushtarë zviceranë dhe jo ushtarë të huaj

- Advertisement -

Elmedin Jashari është një ushtar shembullor dhe i dalluar në Ushtrinë e Zvicrës. Ky i ri shqiptar i moshës mbi 20 vjeçare ka treguar përkushtim dhe përgjegjësi si pjesëtar i kësaj ushtrie.
“Unë jam shumë i gëzuar dhe krenar që jam pjesë e ushtrisë zvicerane dhe po kryej një obligim si shtetas i këtij vendi. Me këtë dëshmojmë se jemi shembull pozitiv duke dhënë kontribut edhe në ushtrinë e Zvicrës”, rrëfen Elmedini.

Janë me mijëra shqiptarë që sot mbajnë uniformën ushtarake të Zvicrës. Deri tani nuk ka një numër të saktë se sa është ky numër, për shkak se ata evidentohen si shtetas të Zvicrës.
Shifrat jozyrtare që qarkullojnë nëpër kuluaret e instituteve dhe medieve zvicerane thonë se rreth 2 mijë shqiptarë sot mund të jenë pjesë efektive e ushtrisë së këtij vendi.

Por, asnjëherë nuk mund të dihet numri i saktë, sepse përgjigja zyrtare e autoriteteve të ushtrisë është se Zvicra ka ushtarë zviceranë dhe jo ushtarë të huaj apo bëhet fjalë për ushtri “multietnike”.

- Advertisement -

Këtë e ka deklaruar në një deklaratë të fundit edhe zëdhënësi i ushtrisë zvicerane, Christoph Brunner, duke theksuar qartë se “në ushtrinë zvicerane ka vetëm zviceranë”. Kjo deklaratë lë për të nënkuptuar faktin se të huajt konsiderohen shtetas zviceranë dhe assesi nuk bëhen ndarje.

Shqiptarët e përcaktuar si zviceranë, ashtu siç janë shquar edhe gjatë historisë, janë të dalluar në nivelet e larta të kryerjes së detyrave dhe janë shembull pozitiv në këtë drejtim.
Por ata janë të avancuar edhe në detyra dhe hierarki të larta, ku kemi edhe oficerë dhe ushtarakë me përgjegjësi të larta ushtarake.

- Advertisement -

Në mesin e këtyre është Kastriot Asani, oficer në ushtrinë zvicerane, i cili po ecën drejt rrugës së avancimit. Po ashtu edhe Jetlira Avdili ishte shqiptarja krenare e rreshtuar në ushtrinë zvicerane, e cila një vit më parë pushtoi mediet zvicerane dhe ndërkombëtare, për përkushtimin e saj si ushtare e dalluar dhe ndjenjat si një zvicerane, por pa harruar edhe prejardhjen dhe traditën e saj si shqiptare.

Në pjesë e mirë e ushtarëve shqiptarë në radhët e kësaj ushtrie janë edhe pjesë e misioneve ndërkombëtare paqësore, të cilët kryejnë detyra të rëndësishme dhe udhëheqëse.
Ata janë gati në çdo kazermë ushtarake, por numri më i madh dhe më i dalluar është në kazermën “Schwyz chüechlibunker” në Shwyz, ku mund të takosh dhjetëra shqiptarë. Bëhet fjalë për gjeneratën e re të mërgimtarëve, të cilët janë lindur dhe integruar tërësisht në Zvicër.

Jeta e një ushtari në kazermë

“Është kënaqësi e madhe të jesh ushtar i këtij vendi. Njëherë kam pasur dilema se si do të jetë, si do të kaloj dhe cilat janë sfidat që do të përballem. Por me kalimin e ditëve unë ndjehem shumë i kënaqur dhe po kaloj shumë mirë. Kjo është një përvojë për jetën time, sepse kam mësuar shumë.

Kam mësuar disiplinë, jemi mësuar të jetojmë si një familje me të gjithë ushtarët e tjerë, duke treguar se nuk mund të bëjmë asgjë pa njëri tjetrin. Me oficerët dhe ushtarakët e tjerë kemi pasur raporte shumë të mira dhe kemi respektuar hierarkinë dhe oraret e të gjitha detyrimeve që kemi pasur”, thotë Elmedini.
Ai thotë se si në çdo ushtri tjetër, edhe këtu kryhen obligimet si stërvitjet dhe detyrat tjera.

Por, ajo që i jep imazh të veçantë ushtrisë zvicerane është aspekti multikulturor dhe multietnik , sepse në radhët e saj janë shumë shtetas zviceranë me origjinë të vendeve të ndryshme nga Ballkani, Evropa Lindore, Afrika, Azia,etj.

“Në njësitin ku jam unë jemi 30 veta dhe thuajse të gjithë jemi me origjinë nga vendet e tjera. Por ajo që ka rëndësi është se s`ka dallime, a je shqiptar, a zviceran, a i bardhë apo i zi! Të gjithë jemi një grup që shkojmë mirë. Në periudhën e fundit është interesante se kemi qenë gati nga një ushtarë me origjinë nga secili vend i Ballkanit dhe mund të vlerësohet si një formacion i vogël ‘miniballkanas’.

Pra në përgjithësi është shumë mirë të jesh ushtar në radhët e ushtrisë zvicerane”, thekson ushtari Elmedin Jashari, i cili e ka kryer të plotë shërbimin ushtarak prej 10 muajve dhe detyrohet që çdo vit vetëm të ndjekë stërvitjet në datat e caktuara që thirret si ushtar rezervë.

Obligimi për kryerjen e shërbimit të plotë ushtarak në Zvicër është 10 muaj, për të gjithë shtetasit e Zvicrës nga mosha 18 deri 30 vjeç. Ata që kryejnë shërbimin e plotë, obligohen vetëm për stërvitje si ushtarë rezervë në periudha të caktuara, apo edhe në rast konflikti apo katastrofe natyrore.

Është po ashtu edhe mundësia për të kryer edhe 4 muaj shërbim ushtarak. Por për këtë pastaj duhet që deri në moshën 30 vjeçare të shkohet në ushtri për çdo vit nga 3 javë, pra deri në moshën 30 vjeçare. Nga shërbimi ushtarak lirohen ata që kanë ndonjë sëmundje dhe nuk janë të obliguar, por nga ana tjetër paguajnë detyrimin për çdo vit në konton e ushtrisë.
Ushtria me shtetas (emigrantë) zviceranë

Sa i përket të huajve/emigrantëve, ndaj tyre kontrollohen gjëra të shumta, e në veçanti prejardhja e tyre, aktivitetet fetare, etj. Ndaj tyre ndërmerren teste te ndryshme psikologjike gjatë rekrutimit.
Sipas një studimi të Institutit Zviceran ETH në Cyrih (ETH Zurich), mbi 25 për qind e rekrutëve janë me prindër të huaj. Por këto statistika megjithatë nuk i pengojnë zviceranët. Sipas një ankete që bazohej në studimin e ETH, 85 për qind e zviceranëve pranojnë realitetin multietnik të ushtrisë së tyre, 71 për qind besojnë se emigrantët duhet integruar në ushtri, ndërsa vetëm 13 për qind kanë vlerësuar se ushtarët me origjinë të huaj janë rrezik për sigurinë.

Mediet zvicerane në shënjestër ushtarët e huaj
Mediet zvicerane shpeshherë kanë në fokusin e tyre ushtarët me prejardhje të huaj, në veçanti shqiptarët e rinj që dita ditës po mbushin kazermat ushtarake zvicerane.

Një zhurmë e madhe u ngrit një vit më parë lidhur me shqiptarët në ushtrinë e këtij vendi, kur doli në rrjetet sociale një foto e një grupi të ushtarëve shqiptarë që me duart e tyre krijuan simbolin e shqiponjës. Kjo foto provokoi që shumë media të shkruajnë për papërgjegjësi dhe mungesë respekti ndaj ushtrisë dhe atdheut të Zvicrës.

Gazetat “20 minuten” dhe “Blick” gjithnjë janë kujdestare të ngjarjeve siç ishte ajo e grupit të ushtarëve që ishin shfaqur në foto me duart që improvizonin shqiponjën dykrenare. Në fokusin e këtyre debateve ishte ushtarja 20 vjeçare shqiptare, Jetmira Avdili, e cila edhe sot pohon se është krenare që ndjehet zvicerane dhe që ka arritur që të integrohet në këtë vend. Por, Jetmira nga ana tjetër nuk fsheh edhe bindjen dhe ndjenjën e saj kombëtare si shqiptare.

“Ne i kemi rrënjët në Shqipëri. Këtë nuk duam dhe as mundemi ta injorojmë. Dhe, mund të jesh gjithsesi zviceran i vërtetë, pa harruar atdheun e dikurshëm”, ka deklaruar Jetmira, një deklaratë me mesazh të qartë që kishte pushtuar mediet zvicerane.

Ushtria me 150 mijë ushtarë aktivë dhe buxhet 4,4 miliardë franga
Ushtria zvicerane është një armatë e drejtuar nga dhe kreu i ushtrisë që zgjidhet nga Këshilli Federal. Ushtria zvicerane ka rreth 150.000 ushtarë aktivë, dhe afër 32.000 rezervistë. Mosha e këtyre ushtarëve është nga 18 deri në 33 vjec. Buxheti ushtarak është tejet i madh ( në vitin 2013, ushtria zvicerane kishte buxhetin prej 4,4 miliardë franga.

Detyrat themelore të kësaj ushtrie janë: pengimi i luftës, mbrojtja e shtetit, mbajtja e paqes në nivelin ndërkombëtar, mbrojtja e shtettit nga rreziqet (qofte edhe ato virtuale, ekstremiste etj), si dhe ndihma nga katastrofat në brendësi të shtetit dhe jashtë shtetit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit