1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Serbët në veri nuk paguajnë faturat e ujit të shpenzuar

Rekomandime

Rreth 15 milionë euro llogaritet fatura e borxhit të ujit të shpenzuar nga konsumatorët e katër komunave të pjesës veriore të Kosovës. Banorët e këtyre komunave të Kosovës, që nga viti 1999, nuk paguajnë faturat për ujin e shpenzuar.

Bëhet fjalë për komunat: Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan, të banuara me shumicë serbe dhe të cilat ndër vite kanë funksionuar jashtë sistemit juridik-kushtetues të Kosovës.

- Advertisement -

Çështja e mospagesës së ujit, rrymës e shërbimeve tjera, është ngritur në nivel të diskutimeve disa herë këto vitet e fundit, por nuk është gjetur ende ndonjë zgjidhje.

Konsumatorët e këtyre komunave, furnizohen me ujë të pijshëm nga Kompania Rajonale, Ujësjellësi “Mitrovica”.

Niman Baliu, zëdhënës në këtë kompani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se për këto 21 vjet, vetëm vitin e kaluar është bërë një pagesë prej 60 mijë eurosh.

- Advertisement -

“Veriu i Mitrovicës, prej vitit 1999 është furnizuar me ujë të pijes dhe gjatë gjithë kësaj kohe nuk kanë paguar për ujin. Në vitin 2019, për herë të parë në emër të Mitrovicës Veriore, është bërë një pagesë prej 60.401 eurosh”, thotë ai.

Kompania Rajonale, Ujësjellësi “Mitrovica”, gjendet në Shipol të Mitrovicës dhe është e vetmja kompani e licencuar që kryen veprimtarinë e furnizimit me ujë të pijshëm dhe mirëmbajtjen e kanalizimit në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen edhe tri komunat tjera veriore.

- Advertisement -

Kjo kompani është nën ombrellën e Autoritetit Rregullator të Shërbimeve të Ujit (ARRU).

Lule Aliu, zyrtare në këtë Autoritet, thotë se në pjesën veriore gjatë vitit të kaluar janë dërguar mbi 6 milionë metër kub ujë.

Edhe disa nga qytetarët e asaj pjesë e pranojnë se nuk e paguajnë ujin. Njëri nga ta është Dushan Trifunoviq nga Mitrovica Veriore, i cili nuk e mbanë mend kur ka paguar faturat e ujit.

“Me sa e di unë, deri më tani jo. Nuk e di të tjerët e paguajnë, por tash për tash unë jo, se çka do të ndodhë në të ardhmen nuk e di”, thotë ai.

Kurse, Dragan Bozhoviq nga Komuna e Zubin Potokut, thotë se paguan shërbimet komunale, ku sipas tij përfshihet edhe fatura e ujit. Megjithatë, ato fatura, paguhen me dinarë të Serbisë, që nënkupton se nuk bëhet fjalë për faturat e Ujësjellësit “Mitrovica”.

“Po e paguaj. I paguaj shërbimet komunale. Faturat vijnë nga 300 dinarë (valutë e Serbisë) ose 2.5 euro ku hyjnë uji dhe shërbimet komunale. Sa i përket furnizimit nuk do t’i quaja reduktime, por nganjëherë ka ndërprerje që mendoj se vijnë edhe nga shpenzimet e panevojshme të ujit”, thotë ai.

Mospagesa e faturave të ujit të shpenzuar e vështirëson veprimtarinë e kompanisë rajonale, Ujësjellësi “Mitrovica”, thotë Niman Baliu.

“Normalisht që paraqet problem financiar dhe shpesh rëndon gjendjen financiare të kompanisë kur dihet fakti se kompania jonë, ujin e pa trajtuar e siguron (blenë) nga kompania ‘Ibër Lepenci’ dhe për çdo muaj paguan një vlerë prej 50 mijë euro”, thotë Baliu.

Sipas tij, e tërë sasia e ujit të blerë nga kompania “Ibër Lepenci”, përmes pompave elektrike dërgohet në fabrikën e ujit të pijes në Shipol, duke prodhuar si efekt edhe shpenzime të mëdha të energjisë elektrike dhe borxhe ndaj KESCO-s.

“Pastaj uji i pa trajtuar, i nënshtrohet procesit të trajtimit me ç’rast kemi shpenzime për blerjen e kemikateve, fuqia punëtore, distribuimi, rrjeti etj. Dhe të gjitha këto krijojnë detyrime/obligime financiare (të pa mbuluara) të cilat janë barrë e rëndë për kompaninë dhe normalisht ndikojnë në situatën financiare të kompanisë”, thekson Baliu.

Përveç mospagesës së faturave të ujit të shpenzuar, banorët e kësaj pjese të Kosovës, nuk i paguajnë as faturat e energjisë elektrike, që llogariten nga 8 milionë euro në vit. Për këtë çështje, Avokati i Popullit kishte iniciuar hetime duke dërguar lëndën edhe në gjykatë. Kurse, Gjykata e Apelit ka marrë vendim që Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të pezullojë vendimin që rryma e shpenzuar për atë pjesë, t’u faturohet qytetarëve të rajoneve tjera.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit