12 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Serbia tërhiqet nga vendimi për të dëbuar ambasadorin malazez

Rekomandime

Serbia e ka tërhequr vendimin për të dëbuar ambasadorin e Malit të Zi. Një ditë më parë, Mali i Zi dhe Serbia kishin vendosur të dëbojnë ambasadorët e njëri-tjetrit.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq njoftoi për vendimin më 29 nëntor pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe pas konsultimeve me serbët e Malit të Zi.

- Advertisement -

Ne kemi vendosur që Serbia në mënyrë të njëanshme të tërheqë vendimin për dëbimin e ambasadorit të Malit të Zi. Raportet e mira me Malin e Zi janë mbi të gjitha më të rëndësishmet për ne”, tha Bërnabiq.

Ajo shfaqi shpresën se ky veprim do të konsiderohet nga ana e Podgoricës si shenjë e vullnetit të mirë si dhe potencoi se Serbia do të vazhdojë të zhvillojë raportet me Malin e Zi. “Ne edhe njëherë po e shtrijmë dorën e bashkëpunimit dhe miqësisë”, tha ajo.

Presidenti Vuçiq tha se Serbia “ka bërë një veprim të mirë” duke shtuar se i takon asaj të tregojë se dëshiron “raporte të mira dhe vëllazërore” me Malin e Zi.

- Advertisement -

Në një mesazh në Twitter, Komisionari Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi mirëpriti vendimin e Serbisë dhe i bëri thirrje Malit të Zi të bëjë të njëjtën gjë.

Respekti për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë themeli i zgjerimit të BE dhe procesit të stabilizimit dhe asociimit”, shkroi Varhelji.

- Advertisement -

Serbia e shpalli ambasadorin e Malit të Zi, person non grata (të padëshiruar) dhe urdhëroi dëbimin e tij nga vendi më 28 nëntor, pasi të njëjtin veprim e kishte bërë Mali i Zi me ambasadorin serb në Podgoricë.

Kryeministri në ardhje i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq më herët e kritikoi qeverinë në largim për vendimin, vetëm disa ditë para se të votohet nga parlamenti qeveria e re, që ka një orientim pro-serb.

Akte të tilla nuk janë në frymën e rrugës evropiane dhe bashkëpunimit të mirë rajonal të vendeve mike,” shkroi Krivokapiq në Twitter.

Ai tha se regjimi në largim, madje edhe në ditët e tij të fundit, nuk “iu shmang polarizimit të shoqërisë dhe thellimit të ndarjeve”.

Si arsye për shpalljen person non grata dhe dëbimin e ambasadorit serb, ministria e Jashtme e Malit të Zi përmendi “ndërhyrjen e gjatë dhe të vazhdueshme në punët e brendshme të Malit të Zi” .

Mali i Zi mbetet thellësisht i ndarë midis atyre që kërkojnë lidhje më të ngushta me aleatët tradicionalë: Serbinë dhe Rusinë, dhe ata që e shohin Malin e Zi si një shtet të pavarur aleat me Perëndimin.

Mali i Zi dhe Serbia ishin pjesë e një vendi të përbashkët para një referendumi më 2006 që çoi në pavarësimin e Malit të Zi.

Vendi tani do të drejtohet nga një koalicion pro-serb që do të votohet gjatë një seance parlamentare këtë javë, pas humbjes së Partisë Demokratike të Socialistëve pro-Perëndimore në pushtet.

Partia më e fuqishme e koalicionit është Fronti Demokratik (DF), i cili kërkon lidhje më të ngushta me Serbinë dhe Rusinë dhe mbështetet nga Kisha Ortodokse Serbe.

Partnerët e tij, megjithatë, insistojnë që Mali i Zi të mbetet në kursin e tij pro-perëndimor.

Krivokapiq tha se qeveria e re do të punojë për të përmirësuar marrëdhëniet e Malit të Zi me Serbinë.

Ne do të promovojmë një politikë fqinjësie të mirë me Beogradin, si dhe me të gjithë në rajon, mbi parimin e sovranitetit, pavarësisë dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera”, shkroi Krivokapiq.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit