1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Shqiptarët, dhe konvertimet e detyrueshme nga osmanët

Rekomandime

Në librin e tij, Faveyrial na sjell dhe një korrespondencë mjaft interesante të marrë nga gazeta “La Turquie” e 19 nëntorit të vitit 1870, e botuar në Konstantinopojë, ku jepet një korrespondencë e Berlinit.

Është koha e Iuftes franko-prusiane, kur prusianët i janë afruar portave të Parisit. Një gjendje e rëndë ku luhet fati i vetë Francës. Midis të tjerash, në këtë gazetë shkruhet: «Njoftohet mbërritja në Marseille e 200 shqiptarëve, që me pushkët e tyre të gjata, vijnë të ndihmojnë Francën. Duket se kjo është veçse pararoja e shqiptarëve. I gjithë muhamedanizmi i udhëve kryesore bëhet gati të ndjekë detashmentin e parë.

- Advertisement -

Këta shqiptarë republikanë të pa parashikueshëm, të formuar në zjarrin e luftës së Ali Pashës së Janinës dhe ndihmës të pashpresuar të z. Gambetta me shokë, natyrisht u brohoritën dhe u pritën përzemërsisht, duke u mbuluar me lule, kur ata zbritën në tokën franceze. Ndërkohë që ushtarët e vërtetë të Francës, «bazenët», «kurbertët», «lebëfët», e ndjejnë veten të përbuzur nga bashkëatdhetarët e tyre demokratë…»

Skena duhet të ketë qënë padyshim mjaft prekëse. Këta 200 shqiptarë, me veshjet e tyre karakteristike dhe pushkët e gjata, edhe pse të pakët në atë Iufte, ishin një lloj frymëzimi.

Dhe Faveyrial shton: «Nisur nga kjo, devotshmëria e shqiptarëve për Francën e pafat, meriton jo pak për tu bërë e njohur. Qoftë e thënë që Franca të kujtohet ndonjë ditë për këtë!…»

- Advertisement -

Tekstet e shkruara nga Faveyrial si dhe letërkëmbimet e tij që gjënden në arkivin e Misionit Lazarist në Paris, më dhanë mundësi të gjej ndër ato dorëshkrime dhe një prej tyre që më befasoi për historinë që tregonte dhe që hidhte dritë mbi përpjekjet e shqiptarëve në mesin e shekullit të XIX, që të islamizuar dikur me forcë kërkonin tashmë të riktheheshin përsëri në fenë e origjinës: kristianizmin.

Kjo ishte tragjedia e tri fshatrave të veriut shqiptar, (zona Mbishkodrës, drejt Gilan-it, një fshat shqiptar, tashmë i mbetur në Mal të Zi), që i tregoi Perëndimit të asaj kohe këtë pjesë të identitetit shqiptar, të cilin njerëzit e thjeshtë luftonin ta ruanin si gjënë më të shenjtë, duke e paguar dhe me jetën e tyre. Histori rrënqethëse, e denjë për një film, çka dëshmon atë që pak evropianë e kishin kuptuar në atë kohë, kur ata gabimisht e konsideronin Shqipërinë si tokë të Islamit. Edhe pse me emra islamë, shqiptarët i ruanin ritet e kishës latine, festonin festën e Shëngjergjit, Shën Markut, etj, madje dhe festat e tyre pagane, çka ishin rrënjosur në identitetin shekullor të tyre.

- Advertisement -

Ritet e vjetra, kanunet dhe besytnitë e tyre, ishin pjesë e një kulture pellazgjike dhe paralele të «Homeriadës» së Homerit të madh, të cilën e kërkoi gjatë udhëtimeve të tij në veriun shqiptar, Albert Dumont, në vitin 1871. Përse ata shqiptarë pranuan më mirë kalvarin sesa tjetërsimin? Ja si e ka rrëfyer këtë ngjarje historike At Faveyrial më 1 janar të vitit 1870, me atë shkrimin e tij të vogël, që vështirë ta deshifrosh menjëherë.

Kujtesë historike

Në raportin «Kujtesë historike mbi familjet shqiptare të persekutuara dhe të syrgjynosura për shkak të fesë, më 1845-1846», At Faveyrial do të shënonte: «Për këto shënime që duhej t’i plotësoja, mu desh të kem një korrespondencë të gjatë me kolegët tanë dhe «motrat» («suorat») që ende janë gjallë, të cilat ishin dëshmitare të fakteve që do të tregojmë. Tani që i kam këto dokumente, po i rendis të gjitha. Për këtë do të përdor dhe disa fakte të përmëndura nga vepra e të ndjerit z. Hecquard, konsulli francez i Shkodrës, të cilat i referohen aktorëve të asaj barbarie. Sipas kolegut tim Bonnieu, ja cili ishte shkaku fetar që bëri të nxisë mizorinë e turqve.

Një shqiptari, një kristiani të hershëm, që gjëndej në Konstantinopojë në vitet 1844 apo 1845, i kishin thënë se një epokë e re kishte filluar për të dhe të krishterët e tjerë të Perandorisë osmane dhe se liria e ndërgjegjes ishte proklamuar. Këtej e tutje çdo njeri ishte i lirë të përqafonte fenë që donte. Por pse u përhap një lajm i tillë? Kolegu ynë nuk thotë asgjë rreth kësaj dhe sigurisht nuk dinte gjë. Por nuk ishte si shkak i Kartës së “Gul-bané”-së, pasi ajo ishte botuar që më 1839. Shkaku, të paktën në dukje ishte ky: Më 1844, një armenian skizmatik, (ortodoks), i quajtur Ovakim dhe që na ishte bërë musliman, u kthye sërrish në fenë kristiane. Por meqë u zbulua dhe u denoncua, ai nuk pranoi të rikthehej në musliman dhe atëherë e vranë. Nëse pas ekzekutimit, trupin e tij do ta hidhnin në Bosfor, ky fakt nuk do të bënte zhurmë. Por atë e ekspozuan në mes të pazarit, çka ishte një fyerje e madhe për kristianët. Ky akt i dyfishtë fanatizmi dhe talljeje e ndyrë, e preku gjithë Konstantinopojën. Përfaqësuesit e opinionit publik, ambasadorët dhe veçanërisht ambasadori i Anglisë, Lord Stratford Canning, i bënë kritika të forta qeverisë turke.

Ata madje kërcënuan për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike nëse nuk premtonin se akte të tilla intolerance nuk do të përsëriteshin më. Dhe Abdul-Mexhid premtoi dhe u angazhua se askush nuk do të vritej për punë feje. Por ja motivet për tu çjerrë maskat këtyre njerëzve të errët. Shqiptarët nuk i vranë, por i internuan. Sidoqoftë, kur shqiptari që ishte në Stamboll u kthye në shtëpinë e tij, ai tregoi për atë çka flitej ato kohë për fenë. Dhe meqë të gjithë në shpirt janë kristianë, ata u deklaruan hapur se çfarë janë në të vërtetë…”

Në fakt, siç e shkruan dhe Faveyrial, për këtë histori kishte relatuar më parë shkurtimisht dhe konsulli francez Hyacinthe Hecquard në librin e tij Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme, apo Gegërisë. Në enciklikën e Benediktit XIV, e 1 gushtit të vitit 1754, kryepeshkopëve, peshkopëve, priftërinjve dhe misionarëve shqiptarë u ndalohej të merrnin emra turq, për t’u shpëtuar kështu taksave dhe profesioneve të mëdha që bënin në atë kohë osmanët kundër tyre. Dhe kjo urdhëresë bëri punën e vet. Shumë priftërinj e ndaluan shndërrimin e katolikëve në muslimanë, dhe siç shkruan Hecquard, njëri nga ata, që ishte dalluar më shumë ishte Antonio Markoviç. “I pajisur me durim dhe energji, ai arriti të bindë njëqind e njëzet familjet që jetonin në famullinë e Gilanit të Malit të Zi që të hiqnin dorë publikisht nga islamizmi, duke u premtuar se do të përballonte sëbashku me ata të gjitha persekutimet që mund tu bënin turqit dhe se nuk do t’i braktiste kurrë, çfarëdo që të ndodhte.”

«Nëse duhet të VDESlM, le të VDESlM!”

Por le t’i rikthehemi tregimit të At Faveyrial rreth kësaj ngjarje që tronditi opinionin publik dhe që shqetësoi kancelaritë e mëdha evropiane. “Prifti i quajtur Antonio Markoviç, i cili njihej prej tyre, i përkrahu në vendimin që kishin marrë. Madje u premtoi se do t’i ndiqte kudo që do të shkonin. Sapo vendimi u muar nga shqiptarët, ky vendim iu dërgua peshkopit të Prizrenit, i cili më duket ishte z. Bogdanoviç. Figura e tij e rëndësishme nuk i bëri të heqin dorë, por peshkopi ua bëri të qartë pasojat e një ndërmarrje të tillë. E megjithatë përfaqësuesit e shqiptarëve nuk u tundën nga e tyrja:”Ne jemi të krishterë, – thanë ata. – Çfarëdo që të na bëjnë, ne do të mbetemi të tillë. Nëse do të shuhemi të gjithë, le të shuhemi, nëse duhet të vdesim, le të vdesim!”

Kur ata i çuan tek pashai i Prizerenit, shqiptarët dhanë të njëjtat përgjigje. Më kot pashai i shau dhe i nxorri në mes të këshillit, duke i fyer me tërbim. Edhe pse i qëlluan me gurë, ata mbetën në fjalën e tyre. Meqë shiheshin keq nga turqit, veprimtaria e këtyre shqiptarëve bëri që ata të mbështeteshin e të mbroheshin nga bashkëpatriotët e tyre të paditur. Shpejt, shumë prej tyre donin ta ndiqnin këtë shëmbull. Pikërisht atëherë, harbimi i turqve s’pati kufi. Autoritetet, në vend që të qetësonin gjakrat, i ndezën më keq ato. Guvernator i Përgjithshëm i provincës ishte atëherë Hafez-Pasha. Nuk e di nëse ai qëndronte në Shkup apo në Prizeren. Por Zoti Hecquard shkruan se siç duket, ai veproi pa u konsultuar me Portën e Lartë.

Në fakt, nuk kishte pse të ndodhte kështu, pasi një guvernator, sado i fuqishëm të ishte, nuk mund të internonte kaq shumë familje, për më tepër nga Evropa në Azi. «Sido që të jetë, të hequr me forcë nga shtëpitë e tyre, këto familje u çuan në Shkup», thotë Hecquard. Që andej, ku gjatë gjithë rrugës ata u keqtrajtuan nga shoqëruesit e tyre, familjet shqiptare i hodhën nëpër qeli, ku u desh të duronin torturat dhe urinë. Plot dhëmbshuri e besnikëri, At Markoviç i ndoqi pas dhe bënte gjithçka për të lehtësuar vuajtjet e tyre. Disa ditë më pas, pleqtë e fshatit u dërguan në gjykatë që çështja e tyre të shqyrtohej.

Pa u trembur fare nga turqit, të gjithë deklaruan se ata ishin kristianë dhe dëshironin të vdisnin të tillë. Të fyer nga kjo vendosmëri, Hafez-Pasha i Shkodrës urdhëroi që ata t’i torturonin. Por meqë nuk i theu dot, ai nxorri një dekret dhe i syrgjynosi në Anadoll, duke konfiskuar dhe pronat e tyre, të cilat u shitën në favor të arkës osmane, apo siç thonë të tjerë, kanë shkuar me siguri në arkën personale të pashait. “Ishte e pamundur të përshkruash trishtimin e madh të atyre familjeve të mjera, të cilat ranë prehë e fanatizmit musliman”, – shkruan konsulli Hecquard.

(- Pleq, gra, fëmijë, shkuan në këmbë drejt vëndit të syrgjynosjes, duke e përballuar me guxim lodhjen, edhe pse përtej forcave të tyre, të ndihmuar kështu nga apostulli i Krishtit, Markoviç, i cili u fliste për një të ardhme më të mirë dhe shpërblimin e përjetshëm për të gjitha vuajtjet e tyre”. Kështu shkruan Hecquard. Sipas “motrave” tona Bernardine dhe Marie, nuk ishte vetëm një fshat që u deklarua i krishterë, por tri fshatra. Sipas tyre, disa i mbajtën në burg që nga nëntori i vitit 1845 gjer në shkurt të vitit 1846. Dhe meqë torurat nuk e kishin ndryshuar qëndrimin e tyre, Hafez-Pasha nxorri dekretin e syrgjynosjes. Pra të burgosurit u vunë në rrugë: ata në këmbë dhe shoqëruesit e tyre në kuaj, ku gratë ishin veçmas burrave dhe të trajtuar në mënyrën më barbare.

Nga Shkupi në Selanik, udha e të syrgjynosurve ishte e lodhshme dhe sjellja e zaptijeve aq barbare, sa shumë nga malsorët vdiqën, disa në rrugë, të tjerët kur mbërritën në Selanik. Katër gra lindën rrugës. Në portat e Selanikut, një fëmijë të sapo kishte lindur e hodhën në det. Ndërsa priftin, të ndarë nga turma, ushtarët e kishin nisur drejt Konstantinopojës. Një prift nga Syra, i cili sot është kolegu ynë dhe që quhet Leonardo Vaccandio, atëherë ishte në misionin tonë në Selanik. I informuar se një numur familjesh katolike shqiptare gjëndeshin në atë han ku i kishin vendosur, të privuar nga gjithçka dhe ku shumë prej tyre rrezikonin të vdisnin, nxitoi t’i shikonte. Por asgjë nga sa flitej nuk ishte e ekzagjeruar. Dhe ja pse ai shkoi t’i tregonte për këtë konsullit të Francës dhe të Anglisë, miqve të tij, për atë çka kishte parë e kishte dëgjuar. Konsujt i folën guvernatorit të qytetit dhe meqë kjo ngjarje po bënte zhurmë në Selanik, ai nxitoi t’i hiqte që andej të syrgjynosurit.

Njëri sipër tjetrit ata i hodhën në një anije që do t’i çonte në Mudania, në detin e Marmarasë. Duke parë këtë, shumë familje katolike, në kohën që prifti Vaccandio bënte lutjet e tij, shkuan dhe mblodhën me nxitim një sasi ushqimesh, të cilat i sollën në kuvertën e anijes. Por me një barbari e mizori të pashoqe, ekuipazhi i anijes i morri ato për vete. Pesë apo gjashtë ditë që këta besimtarë qëndruan në Selanik, ata u vizituan nga prifti Vaccandio, i cili i ngushëllonte dhe i ndihmoi përmes familjeve katolike që banonin atje. Dhe kur ata ikën, ai nxitoi t’i shkruante Monsinjor Hillereau-së, vikarit apostolik në Konstantinopojë. Ai në fakt donte t’i mbante në Selanik ata që ishin sëmurë, por guvernatori kundërshtoi. (Mund të shtojmë se Viccandio ishte nga të parët që shkoi te guvernatori për të mos i lënë më në atë gjëndje, ata katolikë, të cilët ishin pa ushqime të mjaftueshme, që flinin në tokë të xhveshur dhe ishin të keqtrajtuar nga gardianët). Me gjithë kundërshtimet, me kurajo dhe i mbështetur nga konsulli i Austrisë, Mikanoviç, një katolik i zellshëm dhe kolegu ynë hyri disa herë në atë han që ishte kthyer në një lloj burgu.

Ai i mblodhi të rrëfehen dhe u kujdes për ata që po vdisnin, i varrosi të vdekurit dhe bekoi disa martesa mes tyre. Mëshira dhe kujdesi i tij u bënë të njohura mes katolikëve të qytetit, ku atyre të syrgjynosurve u sollën veshje, ushqime e shtroje për të fjetur, të nevojshme për atë sezon të lagësht të pranverës, çka dhe mbrojti jetën e disave. Lidhur me vuajtjet e tyre në atë kalvar, vetëm Zoti e di. Ata përjetuan gjithçka: urinë, etjen, keqtrajtimet. Më pas një djaloshi i prenë gishtat e këmbëve, për shkak se e kishin rrahur me shkopinj. Për një gotë ujë, osmallinjtë u kërkonin 1 piastër ose 25 cent. Dhe më pas ndaluan tu jepnin ujë, meqë ata s’kishin më para. Uria e etja bënë që fëmijët të lëshonin klithma të tmerrshme, aq sa marinarët nuk i duronin dot dhe shumë prej tyre i hodhën në det. Kështu ndodhi dhe me një prind që humbi dy fëmijët binjakë të moshës tetë vjeçare. Dhe një grua në agoni, e hodhën gjithashtu në det, para se ajo të jepte frymën e fundit.”

Këto rreshta, të lexuara në atë sallë të ftohtë të arkivit të Misionit Lazarist në Paris të krijojnë padyshim një gjëndje të rëndë, plagosëse dhe shkatërruese. Ç’tragjedi, ç’dhimbje, ç’ferr i tmerrshëm për ata shpirtra të pafajshëm që shtyheshin në mënyrë barbare drejt rrugës së vdekjes, drejt atij kalvari që kishte përshkruar Dante e para tij, atë që kishin përshkruar në dramat e tyre tragjedianët e mëdhenj grekë të Antikitetit, duke filluar me Eskilin. Por kjo tragjedi, që prisje të përfundonte, vazhdonte më tej:

“Kur mbërritën në Mudania, njëmbëdhjetë prej tyre, që sapo kishin vdekur, i lanë në breg, në një gropë. Të tjerët i hipën në një anije tjetër të vogël që të mund t’i ngjiteshin lumit për t’i çuar në Muhaliç. Në kohën kur po i transportonin nga anija, një shqiptar i quajtur Mici, me fe ortodokse dhe që gjëndej rastësisht aty, i njohu ata nga rrobat karakteristike që kishin veshur. Ai u habit shumë që po i tërhiqnin për t’i hedhur në një barkë tjetër, sikur të ishin trungje, apo cungje drush. I prekur në shpirt, ai morri menjëherë barkën e tij dhe i çoi ata larg në Muhaliç, në atë vend tepër kënetor dhe shumë të pisët për shqiptarët tanë që kishin jetuar gjithnjë në ajrin e maleve.

Por e tmerrshme ishte se i hodhën së bashku në një ndërtesë të vjetër, aty ku në kohën e kolerës vendosnin të vdekurit. Sapo i futën, djaloshi Mici iu afrua dhe së pari u përgatiti një supë, pastaj u dha paratë e tij gjersa asgjë nuk i mbeti në kuvertën e tij. Ndërkohë, në Selanik, me urdhër të pashait, At Antonio ishte arrestuar sapo ishte kthyer në kishën e tij. Por vendosmëria e z. Mikanoviç, konsullit të Austrisë, arriti ta shkëpusë nga ata dhe me një anije ta nisë drejt Stambollit. Meqënëse ishte dalmat, pra një person që varej nga shteti austriak, ai shpresonte se zotit Sturmer, që atëherë ishte Internonce, si përfaqësues i Austrisë do t’i mbronte ata katolikë të mjerë, për të cilët, prifti françeskan ishte bërë një At shpirtëror. Por kjo nuk ndodhi dhe arësye diplomatike e penguan z. Sturmer të mbronte hapur kauzën fisnike të fesë dhe të njerëzimit.

Madje, At Antonio u burgos nga turqit. Nuk mund ta pranojmë akuzën kundër këtij përfaqësuesi të Austrisë se kishte gisht në aktin e padëgjuar e revoltues të turqve. Kolegu ynë Viccandio, që e pa At Antonion kur kaloi nga Muhaliç në Selanik, nuk ka dëgjuar për një ankesë të tillë. Madje do donim të supozonim se ndërhyrja e Austrisë u arrit të bëhej ndaj qeverisë turke, në sajë të At Antonios. Kur ishte gjetur një mëngjes para portës së hapur të burgut, ky shkoi dhe takoi shqiptarët e shtrenjtë. Ndërkohë, Monsinjor Hillereau kishte mësuar se të syrgjynosurit ishin andej nga Bursa dhe menjëherë shkoi të kërkonte z. Bonnieu, i cili e flet mirë gjuhën turke si dhe abatin Hillereau, nipin e tij. Me të shkuar në Bursa, ata mësuan se besimtarët tanë ishin në Muhaliç në një gjëndje të patreguar. Duket se ishte zoti Sandisson, konsulli i Anglisë, i cili na dha këtë lajm. Edhe pse protestant, z. Sandisson ka treguar gjithnjë një mirëdashje prekëse ndaj katolikëve shqiptarë. Duke parë se kolegu ynë, abati Hillereau shkoi në Muhaliç, ai dërgoi atje drogmanin e tij z. Gjeorgjiaki, sëpari për t’i shoqëruar dhe pastaj për të ditur se ç’bëhej me ata të syrgjynosur shqiptarë. Por po i lë fjalën kolegut tim në këtë raport të shkruar, (jo fill pas kthimit të tij nga Muhaliç, pasi atë e kapën ca ethe sa gati dhe vdiq), por gjatë kohës së shërimit të tij.”

Persekutimi dhe syrgjynosja

«Persekutimi dhe syrgjynosja e 200 shqiptarëve në Muhaliç të Bursës në Bitini», kështu e titullon një pjesë të raportit të tij At Faveyrial që padyshim përbën një nga tregimet më prekëse dhe më revoltueset kundër barbarisë, çka padyshim rradhitet ndër ngjarjet e tmerrshme që pa Evropa gjatë kohës së Inkuizicionit. “Eshtë e pamundur, – shkruan ai, – të japësh një ide të gjëndjes së mjerueshme dhe dëshpëruese në të cilën ishin katandisur të syrgjynosurit shqiptarë, viktima të mizorisë së pashait të asaj province. Ata janë në një fshat, në jug-lindje të Bursës, i cili quhet Muhaliç, gati një orë larg liqenit të Apolonisë, (në Turqi, L.R.). Unë i pashë atje në mjerimin më të tmerrshëm, të xhveshur, lakuriq e gjithë zhele. Ajo pamje më tmerroi.

kolana e librave

Nga 180 persona që kur kishin ikur nga vëndi i tyre, nuk kanë mbetur veçse 87 dhe në prag të vdekjes. Ata banojnë në një han të vjetër, që pothuaj është një rrënojë, ku oborri është i mbushur me kocka kafshësh, që disa tregëtarë i dërgojnë në rafineritë e sheqerit, nëpër Evropë. Ditën e mbërritjes së tyre, ata ishin aq të lodhur e të dobët, aq të keqtrajtuar gjatë asaj rruge të mundimshme, sa pesë prej tyre vdiqën menjëherë. Vdekja i dha fund martirizimit të mundimshëm.

Që nga 25 prilli e gjer më 3 maj, dita kur z. Hillereau dhe unë patëm lumturinë të bashkonim lotët tanë me të tyret dhe tu sillnim ndonjë ngushëllim për mjerimin e tyre, çdo ditë vdiste dikush. Ishte data 3 maj kur ne shkuam në Bursa, në sajë të z. Gjeorgjiaki, i cili ishte agjent atje i konsullit të Anglisë. Ishte ora shtatë e mëngjesit kur ne hymë në atë ndërtesë të trishtë. O Zot! Ç’spektakël! Duke hyrë në atë han, ne pamë në mes të oborrit një grumbull krijesash të të gjitha moshave dhe sekseve, nga foshnjet e deri te pleqtë më të skajshëm, njerëz të kthyer në lakuriqësinë më totale, ose të mbuluar veçse me ca zhele. Meqë kishin ethe, ata rrinin në diell për tu ngrohur, duke bërë kështu që tu binin morrat që i hanin.

Dhimbja dhe dëshpërimi ishin skalitur në fytyrat e tyre të zbehta dhe të rreshkura. Disa i pashë që ishin plot plagë, të tjerë kishin këmbën apo dorën që u varej, ndërsa një tjetër, anash, këmbët i kishte të kangrenizuara. Sapo na panë ata nisën të ngashërehen dhe të psherëtijnë. Zemra ime gati u ça nga dhimbja. Nuk munda t’i mbaj lotët. Ato lotë më bijen ende, ndërkohë që po shkruaj ato që pashë. Pastaj ne filluam të shkojmë në kthinat ku dergjeshin të sëmurët. Në të parën ne gjetëm rreth 10 persona, burra, gra, fëmijë të shtrirë mbi pllakat e gurit, të xhveshur lakuriq, mbuluar me disa copa thasësh me qime kali. I pari që na dalloi ishte një plak, pothuaj në agoni. Ai u përpoq të ngrinte kokën.

Zoti Hillereau i tregoi kryqin. I sëmuri ia rrëmbeu nga duart, i ngjiti buzët dhe e mbuloi me lotë. Pastaj, si të kishte marrë një forcë të mbinatyrshme, ai kërkoi rreth tij mbi një morri leckash, zbuloi dy-tri fëmijë në prag të vdekjes dhe i bëri të puthin kryqin, duke u bërë shenjën e shpëtimit. Ne dolëm nga ai vend i tmerrshëm për të hyrë në një vend tjetër akoma më të tmerrshëm. Ishin aty po aq persona, por ata ishin akoma më keq dhe në agoni e sipër. Nuk kishin as forcë për të klithur, e as fuqi për të ngritur kokën që të shikonin ata që kishin ardhur t’i shikonin. Pas disa çastesh, ne pamë që midis atyre të sëmurëve të pafat gjëndej një kufomë që po kalbej. Ne vazhduam më tutje dhe gjetëm edhe dy kufoma të tjera, çka na detyroi që para se të shkonim më tutje, t’i nderonim ato viktima që të mund të kishin një varr. Pas kësaj ceremonie të trishtë, ku grekët na dhanë një ndihmë të çmuar, (sepse ata pranuan t’i hapnin gropat, të mbanin të vdekurit dhe të na shoqëronin tri herë rradhazi në varreza), ne gjykuam tu japim Extrëme-Onction, (kungimin), njerëzve më të sëmurë. Por për këtë, ata duhej të rrëfeheshin. Por si? Ne nuk e dinim gjuhën e tyre. Por aty u gjet një njeri që dinte pak turqisht. Vendosa ta marr si përkthyes.

*************************

«Eja, – i thashë, – do të shkojmë të bëjmë sakrementet për shokët tuaj. Ju e njihni gjuhën e tyre dhe kështu do na ndihmoni. Por me shfaqjen e të sëmurit të parë (ishte një vajzë 15-18 vjeçare), ai hezitoi dhe më morri mënjanë. «Më fal Ati im, – më tha ai, – kjo është vajza ime! Ajo do të ketë turp për të më rrëfyer dobësitë e saj. Por prit të thërres nënën e saj. Ajo do e mësoj më kollaj se unë tundimin e shpirtit të saj.”Isha i befasuar nga fjalët e tij. Pastaj u ktheva nga zoti Hillereau. «Eshtë tepër e dhimbshme, – i thashë, – u mbyta nga lotët». Këta ëngjëj të Zotit, martirët e besimit, i kanë larë tashmë gabimet e tyre me lotë dhe dhimbje. A është e nevojshme që ata të rrëfehen në kushte të tilla? Megjithatë i kërkova vajzës nëse ajo i falte me shpirt armiqtë e saj. Duke thënë këto fjalë, jo vetëm ajo, por të gjithë të sëmurët që ishin në atë dhomë ngritën zërin dhe thanë: «Zoti i faltë! … Po, Zoti i faltë! Ne kemi vuajtur shumë, është e vërtetë dhe ne do të vuajmë akoma, por shkak janë mëkatet tona. Persekutorët janë veçse instrumenta të Drejtësisë së Zotit. Pra fali, o Zoti ynë për të gjitha ç’kanë bërë». Sapo kjo falje publike doli nga gojët e tyre dhe që u përsërit pastaj në kthinat e tjera, ne u dhamë kungimin të gjithë të sëmurëve. Dhe kur ne i bekuam këta atletë të Besimit me vajin e shenjtë, duke qarë, ne vazhduam drejt një vizite të tretë. Dy vizitat e para ishin shumë të shpejta dhe emocioni ynë ishte aq i madh, saqë gjithçka që kishim parë, dukej si një ëndërr. Tani duheshin parë vëllezërit tanë në veçanti, të njihnim nevojat e tyre, dhimbjet e tyre, vuajtjet për t’i lehtësuar ata.

Midis atyre të pafatëve, pikasa një vajzë që mbahej më mirë se të tjerat. Pothuaj gjithnjë, e ulur veçmas turmës dhe me fytyrë të kthyer nga muri, ajo dukej se nuk kishte lidhje me fatkeqësinë e të tjerëve. Doja t’i thoja disa fjalë ngushëllimi dhe të njihja gjëndjen e saj, por interpreti ynë atë çast mungonte dhe unë nuk e dija gjuhën e saj. Menduam se do kishte humbur prindërit e saj dhe se nga vuajtja e madhe ishte bërë e pandjeshme për dhimbjet e të tjerëve. Në një kthinë të keqe, diku më larg, mbi një tufë leckash të pista, gjetëm 4-5 fëmijë të kthyer në kufoma,. Ata ishin braktisur nga të gjithë. Më i madhi i tyre, çka dukej një vajzë, mund të ishte 11-12 vjeç. Në vend të klithjeve dhe lotëve të shumta, këta të mjerë nuk lëshonin veçse disa psherëtima.

Nuk ishte askush që tu jepte një pikë ujë. Kur ishim midis këtyre të syrgjynosurve fatkeqë, papritmas dëgjuam një këngë ogurzezë që dilte nga goja e një gruaje në delir, apo që ishte pushtuar nga një dëshpërim i tmerrshëm. Në fund të çdo strofe, ajo qante disa minuta dhe pastaj rifillonte me një lloj tërbimi dhe me një ton, kujtimi i të cilës më bën akoma të dridhem. Ne pamë gjithashtu gra të shastisura. Na thanë se ato ishin bërë ashtu si rezultat i trajtimit të keq dhe i skamjes së madhe. Njëra nga ato kishte një vështrim të fiksuar, ndërsa tjetra, e mbulonte fytyrën dhe dukej se turpërohej nga gjëndja e saj. Ajo që na habiti pa masë dhe që na bëri t’i admironim, ishte se këta njerëz të pafat dhe të dergjur në mjerimin më të madh, nuk na kërkuan as bukë, as veshje, as para. Ata e shikonin veten në prag të vdekjes, si në fundin e vuajtjeve të tyre. E megjithatë ata zvarriteshin drejt nesh. Por ç’donin të shikonin? Çfarë? Një medalion të vogël të Virgjëreshës së Shenjtë, tespijet apo një kryq.

Dhe duke marrë diçka nga gjërat e mia, ata ngjisnin buzët e tyre me përkushtim dhe me një lumturi të dukshme. Të syrgjynosurve tanë të shenjtë u dhamë kungimin. Por s’kishte mbaruar e tëra. U duhej dhënë buka e të fortëve, Saint-Viatique. Por atëherë një tjetër vështirësi na doli. Ku të gjenim në atë vënd të tmerrshëm një mjedis për të kujtuar Saints-Mystères. Pasi e menduam mirë, z. Hillereau dhe unë vendosëm që meshën ta bënim fare mirë në oborr. Por meqë na duhej një tavolinë, grekët na e sollën një. Sa hap e mbyll sytë, një altar u improvizua. Ndërkohë që abati Hillereau vishte petkun e duhur të priftit, unë afrova të sëmurët dhe gjithë ata që mundnin të qëndronin jashtë pa rrezik, gjatë «sakrificës auguste». Oborri ishte mbushur me kocka të panumurta që më kujtonin atë që thotë Profeti. Pikërisht, këto skelete të mbetura, imazhi i vërtetë i vdekjes, vëllezërit tanë martirë, u vunë në gjunjë gjatë gjithë meshës. Thirrje të vuajturisht, psherëtima e ngashërime dëgjoheshin nga të gjitha anët.

Lotët gjithashtu rridhnin me shumicë nga të gjithë të pranishmit, dëshmitarë të një skene të dhimbshme. Pasi u bë bekimi i atyre që ishin rreth altarit, (Sainte-Communion), ne shkuam ta bënim këtë te ata që ishin të shtrirë tek kthinat. Me të mbaruar meshën, unë u ktheva nga ata të syrgjynosur të mjerë, duke u drejtuar fjalë ngushëllimi përmes interpretit tim. «A e dini, – u thashë, – se sa i mirë është Zoti me ju? Ai ka qënë gjithnjë pranë rrugëtimit tuaj të syrgjynosjes, duke ju ushqyer me mishin e tij të adhurueshëm. Ai u është përkushtuar dhe tani ju e mbani në zemrat tuaja. T’i jeni mirënjohës! Duajeni dhe ju! Mos e fyeni kurrë! Kurajo vëllezër të dashur. Ngrijini sytë në qiell. Porta për ju është e hapur! Sa më shumë të keni vuajtur, aq më të lumtur do të jeni. Duajeni njëri tjetrin, ngushëlloni njëri tjetrin, kujdesuni veçanërisht për vejushat dhe jetimët.

Zoti do t’ua shpërblejë njëqind herë më shumë! Pastaj, duke u kthyer drejt asaj turme ortodoksësh, që dëgjonin këtë fjalim të trishtë sa me vëmëndje aq dhe me dhëmbshuri, u kërkova të vazhdonin veprën që kishin nisur. I luta veçanërisht t’i varrosnin të vdekurit, pasi kjo ishte një vepër që duhej bërë dhe që Zoti do ta pëlqente… Qëndrimi ynë në Muhaliç zgjati nga e shtuna në mbrëmje, më 2 maj, gjer të hënën në 4 maj. Pastaj ne u ndamë me zemrën e rënduar për miqtë tanë.

Por vonuam të ktheheshim në Konstantinopojë që të mund të informonim për këto tmerre autoritetet e duhura dhe përmes ambasadës sonë të sugjeronim ndonjë ndihmë për të syrgjynosurit. Duke kaluar në Bursa, ne i treguam për ato që pamë konsullit tonë, zotit Crepin dhe atij të Anglisë, z. Sandisson, duke iu lutur që të përdornin gjithë influencën e tyre pranë Portës Sublime, për t’i dhënë fund këtij persekutimi mizor. Konsulli i Anglisë u tregua më i ashpër. Ai i shkroi ambasadorit të tij, lordit Stratford Canning dhe ishte ky ambasador që u ankua te Reis-Efendi, ose ministri i Punëve të Jashtme».

Këtu mbaron raporti i tyre. Sigurisht që do të kishin një interes të veçantë historik telegramet dhe raportet e ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të akredituara ato vite në Stamboll që kanë dërguar rreth këtyre ngjarjeve. Një studim i mëtejshëm në arkivat e Stambollit, Parisit, Londrës apo Vjenës, do të nxirrte detaje të tjera rreth fatit tragjik të malësorëve shqiptarë. Faveyrial shkruan se sipas shënimeve të “suorave” Bernardine dhe Marie, të cilat shoqëronin superioren e tyre Lesueur në Muhaliç, ato pohojnë se lordi Canning siguroi menjëherë nga Reis Efendi, ushqime, ilaçe, veshje dhe shtroje për të syrgjynosurit e mjerë. «Gjithçka u bë menjëherë. Gruaja e lord Canning, e cila takohej ndonjëherë me suorat, u tha atyre përmes një sekretari të ambasadës se do të ishte kënaqësi për të dhe burrin e saj që të shkonin të vizitonin të syrgjynosurit, të shoqëruar me një mjek dhe një interpret, duke shtuar se anija me avull e ambasadës do të vihej në dispozicionin e tyre që nesër në mëngjes. Suora superiore Lesueur, kërkoi menjëherë të shkonin bashkë me dy motrat e tjera. Ajo e falenderoi lordin Canning për dëshirën e tij që tu vinte në dispozicion atë anije, pasi dhe ambasadori francez, z. Bourqueney, u ofronte tashmë të tijën. Dy anijet me avull u nisën nga Gallata më 12 maj 1846 për të ndihmuar katolikët e syrgjynosur.

Në njërën nga to ishte mjeku i ambasadës angleze dhe një drogman, interpret, ndërsa në të dytin, tri «suorat» e urdhërit «Saint Vincent de Paul», bashkë me z. Lauxerrois, sekretar i ambasadës së Francës. Zoti Lauxerrois do t’i shoqëronte deri në Bursa, duke ia besuar pastaj këtë mision konsullit Crepin. Në Bursa, «motrat» kaluan veçse një natë. Të nesërmen, më 15 maj, ato morrën udhën, të prira nga një hebre, të shoqëruara nga një armen dhe të ruajtura nga një turk, i cili i ishte betuar zotit Crepin se do t’i çonte gjallë e shëndoshë në atë vënd. Sapo kishin udhëtuar tre çerekun e ditës, kur ato takuan drogmanin anglez. Nga Mudania, ai kishte shkuar drejt e në Muhaliç dhe tani po kthehej në Bursa. «Ah, “motrat” e mia, – u tha ai, – ç’ndërmarrje të tmerrshme që keni marrë përsipër dhe ç’udhë të llahtarshme keni për të bërë!» (Kali i tij ishte me baltë gjer në bark).

Por megjithatë, Zoti do tu japë mbrojtje. Nxitoni që të arrini liqenin, para se të bjerë nata!» «Suorat» u ngjitën në karrocë të pinin pak qumësht, i vetmi ushqim që kishin gjetur në një fshat të vogël ku ishin çlodhur pak. Pastaj, kur mbërritën në breg të liqenit, siç u kishte thënë drogmani, ra nata. Të vije qark liqenit në një orë të tillë ishte e pamundur. Lumturisht ato i dëgjuan disa njerëz të një manastiri ortodoks dhe një barkë erdhi e i morri. Njëra prej tyre i shërbeu mikeshave kurajoze të shqiptarëve. Për të arritur në Muhaliç duheshin ende dhe 2-3 orë rrugë. Të nesërmen ato u nisën që herët dhe më së fundi mbërritën. Ende pa u vendosur tek një familje e mirë ortodokse ia behu mjeku anglez. Ai erdhi dhe u uroi mirseardhjen. «Ishte një njeri mjaft i mirë dhe i zellshëm, një protestan që ishte kthyer në katolik, – thanë “suorat”.

S’patëm asnjë problem për tu kuptuar me të, me qëllim që të ndihmonim shqiptarët. Meqë po vonoheshim për tu takuar me shqiptarët dhe për tu ardhur në ndihmë atyre fatkeqëve, atëherë nxituam. Kishe frikë t’i shikoje. Ishin si fantazma të vërteta që lëviznin, qënie kockë e lëkurë, aq sa lëkura e tyre ishte nxirë. Nuk arrinin dot të flisnin. Ditë e natë i dëgjonim të rënkonin. Megjithatë ne u jepnim fuqi pak nga pak në sajë të lëngut të mishit që kishim, në sajë të rrobave dhe ilaçeve që kishim sjellë dhe në sajë të pranisë sonë, fjalës dhe asaj çka po bënim për ata. «Përpara ata binin përdhe si mizat, por që nga ajo ditë, nuk vdiqën, veç pesë apo gjashtë, mes të cilëve dhe një vajzë që ishte e pamundur ta shpëtonim nga plagët e tmerrshme që kishte dhe kangrenën që e kishte pushtuar pak nga pak… Xhandari turk që shoqëronte karvanin tonë, duke parë të respektuarën “suorën” Lesueur aq të gëzuar dhe me kurajo tek mbështeste të tjerët, (megjithë shëndetin e saj të dobët dhe ushqimin e pakët, – veçse një vezë që kishte ngrënë), u thoshte muslimanëve: «Kjo grua është një Evlia, një mike e Zotit, një Shënjte!» …

Këto dëshmi që At Faveyrial i dëgjonte nga goja e “suorave”, ishin tejet tronditëse. Ato i kishin folur për varrime e ç’varrime, në mënyrë që të vdekurit të mos i linin të hedhur ashtu turmë nëpër gropa. Ai kishte shënuar gjithçka që i kishin treguar ato, gjer në detaje… Ishte e pamundur të mos rrënqetheshe, duke imagjinuar ato tmerre të përjetuara nga ata njerëz të thjeshtë, të pa shkollë, fshatarë, që pranuan të vdisnin e të mos e mohonin identitetin e tyre. Vallë cili zë hyjnor u kishte folur që të merrnin këtë udhë… Skena që padyshim u afrohen skenave biblike, të përshkruara në Dhjatën e Vjetër apo Dhjatën e Re…

**********************

“Pas shërbimeve të para për të syrgjynosurit, duhej menduar për të vdekurit. Ata i kishin vendosur në lëndinë, mbuluar me ca lopata dhé. «Një varr i tillë nuk është mirë!» – tha mjeku anglez. Janë vëllezërit tanë. Vdekja e tyre ka qënë një vdekje martiri. Trupat e tyre janë të shenjtë. «Shpejt ne do të ikim dhe nuk është mirë që t’i lëmë në atë gjëndje, në atë vënd ku kanë hedhur kërma dhe plehra. Le t’i kërkojmë zëvëndës-prefektit një vënd varrimi. Dhe kjo gjë u akordua menjëherë, – thanë “motrat” Bernardine dhe Marie, dhe sipas dëshirës sonë. Pastaj sollën ca ustallarë dhe gurë të shumtë për të bërë një lloj muri. Për pak ditë muri u ngrit, iu vu një portë dhe një kryq mermeri në mes të varrezës. Ai kryq kishte një mbishkrim që do tu përcillte shekujve të ardhmë historinë e kësaj ngjarjeje. Dhe kur varreza u bë gati, atëherë u hapën gropat për t’i vendosur kufomat siç duhej. Por si t’i transportonim? Që prej 10, 15 apo 20 ditësh, ato ishin dekompozuar. Cili do ta kishte guximin dhe kurajon të gërmonte tokën dhe t’i nxirrte që andej, t’i mbështillte me qefinin e përgatitur nga “suorat” dhe t’i transportonte pastaj në varrezën e re? U vendos që më të fuqishmit e shqiptarëve ta bënin këtë shërbim për bashkëatdhetarët e tyre. Por sapo u afruam në gropat e vjetra me belat në duar, askush nuk guxonte të fillonte. Duke e parë se të gjithë hezitonin, mjeku anglez, nxorri diamantin e çmuar që kishte në gishtërinj, (të cilin mund ta thyente duke punuar), ia besoi “suorës” dhe nisi të gërmonte.

Atëherë të gjithë filluan menjëherë pas tij. Një çast më vonë kufomat u shfaqën. Ata i mbështollën me qefinë, i vunë në karroca dhe i çuan në varreza, të shoqëruar nga At Antonio, i cili lumturisht sapo kishte mbërritur. Në fakt, kur kishte gjetur derën e burgut hapur në Selanik, ai ia kishte mbathur dhe i veshur si xhandar, kishte mundur të vinte deri këtu. Varrimin e kufomave e bënë me vështirësi, pasi era e qelbur e kufomave ishte mbytëse. Por ishte dita e “Ascension”, (e ngjitjes së Krishtit në qiell) dhe Perëndia e bëri këtë vepër. Një erë e fortë nisi të frynte, aq sa të merrte frymën. Kurrë nuk do të na shqitet nga kujtesa ajo ditë, – kujtojnë suorat. – Kurrë nuk do ta harrojmë skenën që pamë kur trupi i një gruaje të varrosur 15 ditë më parë ishte dekompozuar. Flokët e saj të gjata e të zinj i binin nga koka dhe dy fëmijë të vegjël ajo i mbante ende në krahët e saj. Varrimi i të vdekurve tanë të shtrenjtë u bë në prani të gjithë njerëzve të Muhaliç-it. Kishin ardhur turq e ortodoksë. Një ndjesi respekti e tmerri e mbante atë turmë të madhe. At Antonio printe proçesionin. Mjeku anglez i shërbeu atij si fëmija e korrit, duke kënduar me sa fuqi kishte. Sapo kufomat u vunë në tokë, u dëgjua psallma për ta. Dhe At Antonio përfundoi me një falje të përgjithshme të mëkateve për ata të dashur që kishin vdekur tashmë. Megjithatë, shumë të sëmurë e kishin marrë veten dhe i kishin vendosur në ndërtesa të veçanta. Por ngaqë ai lloj strehimi nuk ishte për të qënë, apo nga vetë ajri i Muhaliç-it, ata u sëmurën nga ethet e herëpasherëshme.

Pra “suorat” dhe mjeku anglez menduan se duhej gjetur një vënd i përshtatshëm. «Le të shkojnë dy-tri nga ata që mbahen më mirë dhe le të gjejnë një vënd apo fshat që tu pëlqejë, – tha zëvëndës-prefekti. Ne i dërguam me shpresë që të tjerët do të bashkoheshin me ata. Pra, dy-tri nga më të fortit u nisën për të gjetur vëndin më të mirë. Nëntë ditë më pas ata u kthyen, duke thënë se Filidare ishte mjaft mirë për ata. Pamja ishte e bukur. Klima e shëndetshme, dhe atje, në atë vënd përballë Bursës, në breg të detit, midis Guemlek dhe Mudania, do të vendoseshin së shpejti.

Në fakt, Filadare ishte ajo që ata shpresonin më mirë. Por për t’i çuar atje duheshin karroca. Zëvëndës-prefekti dha 22 karro të tilla. Motra Lesueur, xhandari i lënë nga zoti Crepin dhe Charles, interpreti i mjekut anglez, u ngarkuan me detyrën që t’i çonin ata gjer në destinacionin e ri. Kjo nisje ndodhi ditën e dytë të Pentecôte-s. Për të shmangur një kthesë të madhe, u vendos që burrat t’i transportonin përmes liqenit me varka, me buaj apo me not. Por që të bëhej ky lloj kalimi, u deshën shumë mundime, pasi bënte një vapë e madhe dhe buajt, sapo hynin në ujë s’donin të lëviznin më. Më e keqja është se pas një stuhie të tmerrshme, era përmbysi gjithçka dhe u desh që të shtriheshin në mes të fushës me karrot dhe plaçkat e bëra qull. Kishte ende dhe një ditë udhë e të nesërmen askush nuk donte të lëvizte, aq e keqe kishte qënë ajo natë. «Nëse s’doni të lëvizni, askush nuk do të hajë! – u tha “suora” Lesueur. Dhe menjëherë ajo nisi përpara karron që mbante ushqimet. Karrot e tjera e ndoqën. Me hir a me pahir, të gjithë u vunë në rrugëtim. Natën mbërritën në Filadare dhe kërkuan vënd për të fjetur. «Po ku tu gjejmë vënd për të fjetur? – u thanë atje banorët.

**********************

Të gjitha shtëpitë tona janë plot krimba mëndafshi, ndërsa ne flemë në qiell të hapur. Një burrë i veshur më mirë se të tjerët u tha se ishte mësuesi i fshatit. «Të jini e sigurt! – i tha ai “suorës” Lesueur, – se ambasada u është mirënjohëse për gjithçka keni bërë për këta të mjerë. Ç’mbrojtje e përkujdesje për ata!» Dhe sa tha këto fjalë, zotëria vendosi t’i presë miqtë e rinj. A do ia dilte mbanë? Dukej e dyshimtë, sepse kishte të bënte me ortodoksë. Ja ku erdhën ndërkohë dy kalorës. Ishin dy xhandarë të dërguar nga guvernatori i Bursës. Menjëherë dhe pa diskutuar duhej që t’i prisnin shqiptarët tanë të shenjtë, por dhe tu gjenin një vënd të mirë për të fjetur. Suora Lesueur pati strehën më të bukur. Ishte një shtëpi e re, pa portë e dritare. Por të paktën ishin të mbrojtur nga shiu. Pra Filadare ishte më i përshtatshëm për shqiptarët e mjerë. Ajri ishte i pastërt dhe klima e shëndetshme. “Suora” Lesueur qëndroi pranë tyre që mos tu mungonte asgjë. Dy “suorat » e tjera, mjeku anglez dhe At Antonio qëndruan që të katër në Muhaliç për të shëruar të sëmurët. Midis tyre gjëndej dikush që quhej Andrea. Gjatë rrugës nga Shqipëria në Muhaliç, duke e rrahur me shkopinj, atij i kishin thyer krahët dhe këmbët. Më vonë, kur të sëmurët e fundit i dërguan në Filadare dhe në Bursë, me ata shkoi dhe “suora” Marie, që të shëronte plagët e këtij të riu. Kur të shtrenjtët tanë shqiptarë ishin ende në Muhaliç, ata panë të vinin për te ata dy njerëz të legatës prusiane, të cilët i siguruan se Shkëlqesia e Tij, Frédéric-Guillaume IV interesohej për fatin e katolikëve shqiptarë. «Një ditë, – më tha “suora” Marie, – kur ne i kishim varrosur ata tri fëmijë, tri ëngjëj tre-katër vjeçarë, unë kisha thurrur për ata një kurorë me lule që i kisha mbledhur fushave.» Kur ne filluam të shkojmë drejt varrezave, një nga këta zotërinj tha : – “Suora” Marie, më jep dhe mua një nga këto kurora! Dëshiroj ta mbaj në dorë dhe t’i shoqëroj këta tri ëngjëj të vegjël për në banesën e fundit dhe pastaj do ta vë në krye të atij, të cilit kishit menduar t’ia vinit». «Ka disa vjet, – thotë “suora” Marie, – kur isha në Selanik, shkoja buzë Vardarit, kur papritmas u gjënda pranë tri xhandarëve. «Ah, tha njëri nga ata. Kur isha në Bursa kisha bërë një udhëtim bashkë me ca gra të veshura si kjo gruaja këtu». Kur dëgjova këto fjalë, e vështrova xhandarin dhe e njoha. Ishte turku që na kishte dhënë me vete z. Crepin. – Ah Mustafa! Nuk e njeh më “suorën” Marie? – i thashë. Xhandari i shkretë u habit nga ky takim dhe plot dëshirë më përqafoi. Që nga ajo kohë nuk e kam parë më atë burrë të mirë. Sa shumë na shërbeu ai njeri, neve dhe shqiptarëve të shtrenjtë!».

“Suorat” qëndruan një muaj pranë shqiptarëve tanë, si në Muhaliç ashtu dhe në Filadare, ku “suora” Bernardine ishte bashkuar me kryemurgeshën, ndërkohë që “suora” Marie shëronte plagët e Andreas në Bursa. Ato mbërritën nga Bursa në Konstantinopojë ditën e festës së Zotit, ditën e Proçesionit. Kishin sjellë me vete tri fëmijë, një vajzë dhe dy djem. Pak më vonë, vajzën e kërkuan prindërit, të cilët e morën pranë tyre. Një nga djemtë vdiq më 1847, koha kur unë mbërrita në Konstantinopojë. Disa vite me rradhë qëndroi me ne djaloshi tjetër. Ai mësoi të lexojë, të shkruajë e të flasë mirë frëngjisht. At Paolo, i cili atëherë ishte një prift i thjeshtë dhe sot peshkop, erdhi në Konstantinopojë për çështjen e shqiptarëve tanë të thjeshtë dhe i kërkoi superiorit tonë, z. Doumerq, autorizimin që ta merrte këtë djalë në Romë që të bënte studime. Nga Roma, djaloshi Mark, i shkruante herë pas here superiorit tonë z. Gamba dhe “suorës” Lesueur. Tani është prift dhe shërben në dioqezën e Prizerenit, por nuk e di në cilën kishë. Mjeku anglez i la të surgjynosurit tanë, në një kohë me «suorat». Nuk di se ç’bëhet me të, nëse është gjallë apo ka vdekur. Por «suora» Bernardine thotë se është gjallë me siguri, sepse erdhën bashkë gjer në Guemlek dhe se me të mbërritur në një fushë, rrethuar plot pemë, ai i tregoi një aventurë që i kishte ndodhur pikërisht këtu, kur po shkonte për në Muhaliç. Ai kishte pikasur mes barishteve diçka si një qënie njerëzore dhe kishte pyetur se çfarë ishin. «Janë njerëz që vijnë nga Ismid, (Nicomedie). Uria i ka detyruar të lënë vëndin e tyre dhe tani kërkojnë të hanë bar. I prekur, doktori i thirri ata të mjerë, u bleu bukë, u dha kafe dhe duke u lënë një shumë parash, vazhdoi udhën…»

Në librin e tij Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, konsulli francez Hyacinthe Hecquard, i cili ishte marrë me këtë çështje në atë kohë, pohon se të dëshpëruar në kulm me fatin e tyre, shqiptarët pritën për një kohë të gjatë që sipas fjalës së dhënë t’i kthenin më së fundi në fshatrat e tyre. «At Markoviçi, – shkruan ai, – i emëruar famullitar i tyre në këtë vendbanim të ri, shkoi përsëri në Stamboll, ku, në sajë të ndërhyrjes këmbëngulëse të ambasadorëve të Francës dhe të Anglisë, arriti të merrte dekretin që i riatdhesonte këta njerëz të mjerë me shpenzimet e Portës së Lartë dhe që u rikthente pronat. Këto urdhëra u vunë në zbatim. Një anije me avull i çoi ata në Selanik, nga ku me një ferman të veçantë ata duhej të ktheheshin në vendlindje. Nga njëqind e njëzet familje me mbi njëmijë persona që kishin qënë në fillim, kishin mbetur veçse tetëdhjetë njerëz. Por pritja ishte e pafund… Kryepeshkopi i tyre i mundua t’i bindëte që të prisnin edhe pak, por ata iu përgjigjën duke e vënë atë në siklet: «Nëse ky çast vjen pasi të kemi vdekur ne, a nuk do tu vijë turp që keni humbur shpirtrat tanë?»…

Sigurisht, kjo ngjarje mbeti kulminante në kujtimet e Atit Faveyrial. Dhe ajo nuk ishte e vetme, pasi jezuitë e françiskanë shqiptarë kishin rënë si martirë nga ndëshkimi osman, siç kishte qënë peshkopi Antonio d’Aici i Shkodrës apo françiskani Antonio Lorante i varur në një pemë. Në librin e tij Historia e Shqipërisë ai shton ngjarjet e hidhura të ndodhura. Po kështu, ai sjell dhe historinë e dikujt, i cili kërkoi të kthehej në besimin e tij të parë, atë kristian. «Më 1709, – shkruan ai, – një njeri i quajtur Nicodimos, u ekzekutua në Berat. Kohë më parë ai kishte pranuar të bëhej musliman, por më vonë e kishte kuptuar aktin e tij dhe ishte nisur për në Malin e Shenjtë Athos që të pendohej. Kur u kthye në Berat, ai shkoi te guvernatori turk dhe i deklaroi se ishte i krishterë. Meqë nuk pranoi të rikthehej në fenë muslimanë, një të djelë, me urdhër të Hasan Pashës, atij ia prenë kokën».

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit