Pas ndeshjes mes Zvicrës dhe Francës, një vajzë e re e mbështjellur me flamurin e Shqipërisë u befasua kur një polic përmes megafonit i tha se e ka vendosur flamurin e gabuar përreth supeve. Videoja aktualisht po bëhet virale.
Në Basel, Bern, Winterthur dhe Cyrih, megjithë reshjet e shiut, festimet vazhduan deri në mëngjesin e së martës pas triumfit më të madh në historinë e futbollit zviceran, teksa tifozë të shumtë u mblodhën nëpër rrugë.
Njëra prej tyre ishte një vajzë e re e cila e kaloi rrugën afër Bubenbergplatz të Bernit në orët e hershme të mëngjesit të së martës. Aty dëgjohet një zë nga një megafon i Policisë.
“Ky është flamuri i gabuar për sonte”, i tha një polic asaj.
Vajza u kthye kah polici dhe e shikoi. Polici vazhdoi: “Mirupafshim, vazhdo të ecësh”. Ajo iu bind urdhrit, por nuk mund të mos e tregonte me krenari sërish flamurin kuq e zi teksa po largohej.