4.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Simmons: Kurti i ka dëshmitë për skandalet në EULEX, por s’po do që unë të dëshmoj në Kuvend

Rekomandime

Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, më datë 3 qershor ia ka nisur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, një dokument prej 25 faqesh të dëshmisë së tij për skandalet e pretenduara nga ai të kryera nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë.

- Advertisement -

Një kopje të këtij dokumenti e posedon edhe Albanian Post, në të cilin Simmons tregon se si prokurorët e EULEX-it ua kishin dërguar dosjet e “krimeve të luftës” autoriteteve të Serbisë, por edhe kishin udhëtuar disa herë drejt shtetit serb.


LETRA QË GJYQTARI MALCOLM SIMMONS I KA NISUR KRYEMINISTRIT ALBIN KURTI (1/2)LETRA QË GJYQTARI MALCOLM SIMMONS I KA NISUR KRYEMINISTRIT ALBIN KURTI (2/2)

“Para caktimit tim si Kryetar të gjyqtarëve te EULEX-it unë kam qenë dijeni për diskutimet brenda EULEX-it në lidhje me transferimin e dosjeve tek autoritetet prokuroriale të Serbisë. Këtu janë përfshirë dosjet e EULEX-it të marra nga UNMIK-u. Unë gjithashtu kam qenë në dijeni për bisedimet e vazhdueshme ndërmjet prokurorëve të EULEX-it dhe prokurorëve të Serbisë. Në të vërtetë prokurorët e EULEX-it kanë udhëtuar në Serbi në shumë raste për t’i diskutuar lëndët me prokurorët e Serbisë”, shkruan Simmons.

- Advertisement -

“Kur u bëra kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it më 2014, zbulova që me dhjetëra dosje të krimeve të luftës u ishin dorëzuar autoriteteve prokuroriale në Serbi. Kishte hetime lidhur me mizoritë e pretenduara të kryera nga personat e përkatësisë etnike serbe gjatë konfliktit”.

Sipas tij, ato dosje përmbanin jo vetëm hollësitë për veprat e pretenduara penale dhe kryerësit e tyre, por përfshinin edhe të dhënat personale të qytetarëve të Kosovës, të cilët ishin “viktima të këtyre krimeve” dhe hollësi të dëshmitarëve, shumica prej të cilëve ishin të përkatësisë etnike shqiptarë të Kosovës.

- Advertisement -

“Këto ishin vepra të kryera në Kosovë kundër qytetarëve të Kosovës nga persona të etnicitetit serb, shumica prej të cilëve ishin po ashtu shtetas të Kosovës. Kërkova nga udhëheqja e lartë e EULEX-it ta sqaronin bazën ligjore për transferimin e këtyre dosjeve dhe e kërkova një listë të rasteve që ishin dorëzuar. Kërkesa ime u refuzua”.

Simmons, që në vitin 2013 ishte kryetar i trupit gjykues në rastin e njohur si ‘Kleçka’, ndaj Fatmir Limajt, thekson se nga takimet e udhëheqjes së lartë të EULEX-it në të cilat kishte marrë pjesë, “ishte e qartë që ndjekja penale e këtij rasti ishte me rëndësi për angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë në dialogun Beograd-Prishtinë”.

“Misioni ishte i vendosur ta dënonte Fatmir Limajn, dhe çka është më me rëndësi, ta largonte nga jeta politike. Misioni duhej ta bindte Serbinë që nuk i përfaqësonte thjesht vetëm interesat e shqiptarëve të Kosovës”.

Por, sipas tij, kur gjykimi i parë përfundoi dhe trupi gjykues, i udhëhequr nga një gjyqtar i Gjykatës së Kurorës të MB, konstatoi që nuk kishte prova të mjaftueshme kundër të akuzuarve u shfaqën pakënaqësi të mëdha brenda këtij misioni.

“Gerrit Sprenger, zëvendëskryetar i gjyqtarëve të EULEX-it nuk humbi kohë për ta shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me shfajësimet në rastin “Kleçka” dhe faktin që, sipas fjalëve të tij, “shtetet anëtare prisnin dënime”.

Gjyqtari britanik shton se udhëheqja e misionit i ka thënë më shumë se një herë që “po të mos e rrisnim numrin e dënimeve, shtetet anëtare nuk do të kishin mundësi ta arsyetonin shpenzimin e madh dhe të gjithë do ta humbnim punën. Në të vërtetë, auditimet e misionit gjithmonë përqendroheshin në numrin e dënimeve”, vazhdon ai.

“Kur u caktova në trup gjykues, më 2013 Charles Smith më informoi që misioni “varej shumë” nga “rezultati i këtij rasti. Ai tha që misioni “priste dënime”.

Madje ai potencoi që “puna ime mund të rrezikohej nëse të pandehurit nuk dënoheshin. Gjyqtari Charles Smith tani është gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës”.

Ndërkaq sipas Simmons, shumicës se gjyqtarëve vendorë te Kosovës nuk iu besohej brenda Misionit, pasi ai thotë se  “ekzistonte një perceptim i përhapur brenda Misionit se nëse gjyqtarët vendorë kishin qasje në informata të ndjeshme ata do të shpalosnin një informatë të tillë. Gjithashtu ekzistonte ndjenja se gjyqtarët vendor nuk do ta shpallnin fajtor ndonjë ushtar të UÇK-së apo ndonjë të pandehur të profilit të lartë me origjinë shqiptare”.

Ish-gjyqtari i EULEX-it, në raportin e tij ka treguar edhe për joshjen e dëshmitarëve për t’i dërguar që të jetojnë në shtetet e ndryshime të Evropës, në mënyrë që të dëshmonin rrejshëm.

“Shumë dëshmitarë të prokurorisë, disa prej të cilëve ishin nën masa të mbrojtjes, pohuan që EULEX-i iu kishte premtuar atyre dhe familjeve të tyre që do të zhvendoseshin në një shtet evropian nëse ofronin prova për prokurorinë. Në disa raste, këto raporte keqpërdoreshin. U bë ftesë për falsifikimin e provave dhe për gënjeshtra”.

“Stimulimet tërheqëse që ishin në ofertë për dëshmitarët, pashmangshëm do të rezultonin me gënjeshtrat e dëshmitarëve në mënyrë që ta siguronin një jetë më të mirë për veten e tyre dhe për familjet e tyre”.

Ndërkohë në komunikimet mes gjyqtarëve sipas Simmons, njëri nga të akuzuarit në rastin “Drenica”, ishte cilësuar si “kafshë”.

“Gjatë fazave të hershme të gjykimit hëngra darkë me gjyqtarët Seilicki dhe Adamska në një restorant në periferi të Prishtinës. Gjatë takimit gjyqtari Sielicki i përshkruajti të pandehurit në Drenicë si “kafshë” dhe shqiptarët si “të lindur”.

Ai po ashtu ishte shprehur me fjalët se po t’i dënonte të pandehurit, do të mund të punonte kudo brenda sistemit të BE-së.

Por, rasti “Kleçka” dhe “Drenica” nuk ishin rastet e vetme të ndjeshme të krimeve të luftës në të cilat udhëheqja e misionit EULEX ishte përpjekur të ndërhynte në rastet penale në të cilat kryesues ishin gjyqtarët e EULEX-it.

Simmons pretendon se në vitin 2017 ia kishin caktuar rastin e gjykimit ndaj politikani serb nga Kosova, Oliver Ovoanoviç, i cili u vra në vitin 2018 në Mitrovicën Veriore.

“E mora me mend arsyen. Shefja e misionit ishte e qartë që nuk dëshironte që Ivanoviçi të merrte pjesë në zgjedhjet ardhshme. Shefja e misionit tha që “ishte e qartë” që Ivanoviçi ishte fajtor. E pyeta nëse i kishte parë provat, me ç’rast ajo tha “Katja (Dominik) ka folur me gjyqtarët”.

“I thashë Katjas që kjo ishte e papërshtatshme që ajo, si udhëheqëse e Divizionit Ekzekutiv, të komunikonte me gjyqtarët dhe që çdo komunikim me gjyqtarët duhet të kalonte përmes meje”, sqaron më tutje Simmons.

Gjyqtari anglez potencon se krejt këto parregullsi i ka raportuar vazhdimisht në institucionet e Unionit Evropian dhe institucionet e tjera përgjegjëse, por nënvizon se asnjëherë këto kritika nuk janë marrë për bazë.

Ndërkaq, me anë të një letre të hapur që përmban datën 6 qershor, të këtij viti, Simmons i ka bërë me dije kryeministrit Kurti, që ka tre muaj që pret të raportojë në Kuvend për skandalet dhe gjykimet e padrejta nga EULEX.

Por, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, ai, mendon që mungesa e një ftese deri tani për të për të raportuar në Kuvend “është për shkak të presonit ndaj deputeteve që të mos dëgjojnë provat e tij”.

“Duke pasur parasysh natyrën shumë serioze të akuzave, ju duhet të pyesni veten se kush në Qeverinë e Kosovës është përgjegjës për vonimin e Parlamentit për t’i dëgjuar provat e mia. Fakti që zotëri Kurti as nuk e ka pranuar letrën time mund të sugjerojë që ai është përgjegjës. Provat e mia do të shkojnë në Parlament, por është vetëm çështje kohe se kur”, thotë ai.

Ndryshe në fillim të këtij muaji, zyra për media të EULEX-it në Kosovë pati thënë për AP se Simmons – që po kërkon të raportojë para deputetëve – ka refuzuar të bashkëpunojë me një ekip të hetimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, i cili u krijua për të hetuar shkeljet e pretenduara nga Simmons.

Gjykatësi Malcolm Simmons shërbeu si gjyqtar ndërkombëtar nga viti 2004 në 2017 duke dëgjuar çështje të krimit të luftës dhe krimit të rëndë dhe të organizuar.

Ai kryesoi në disa prej rasteve më të ndërlikuara të krimit të luftës dhe krimit të organizuar në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë gjatë periudhave të tyre të trazuara të pasluftës.

24 faqet e dokumentit që Simmons ia ka nisur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit më 3 qershor të këtij viti.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit