10.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Sot drejtor i kulturës, dikur u ballafaqua me bullizmin, Adrian Berisha rrëfen dhimbjen e këtij përjetimi

Rekomandime

Në jetën e njeriut frymojnë disa momente, ekzistojnë ca çaste e rastësi nga më të ndryshmet. Ka çudira e të papritura që herë lëshohen në sekondën e fundit duke gërvishtur lëkurën brenda qenies njerëzore e lëpirë shqetësimet, vuajtjet e dhimbjet më ekzistenciale e ndonjëherë struken përgjithmonë përbrenda duke të të përndjekur në heshtje dhe duke krijuar një shtëpizë në qoshet e shpirtit të gjallë. I abonuar ndaj një historie komplekse e të ndjeshme po aq edhe inspiruese e të fuqishme, identiteti i personazhit të guximshëm siç është drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha në një intervistë ekskluzive për KultPlus ka rrëfyer për të vërtetën e tij, një e vërtetë mbi të cilën asnjëherë nuk do të vendoset pluhuri i harresës.

I lindur dhe rritur në Prishtinë, një qytet për të cilin ai çdo ditë jeton e punon e në të cilën ai parashikon ta dhuroj edhe frymën e fundit, kësaj radhe ka shpalosur momentet dhe çastet më të vështira e sfiduese që kanë nisur qysh në fëmijëri, për të vazhduar e lënë gjurmë ende edhe sot. Por pavarësisht pengesave, ballafaqimeve e betejave të përditshme, ndërtimi i një karriere të suksesshme dhe fuqia e tij ndaj hasjes në rrugët e mbushura me përplot gropa tinëzare, përjetimet e tij i ka shndërruar në një reflektim që i dallohej në sy qysh nga nisja e kësaj interviste.

- Advertisement -

Dashuria e madhe për qytetin e Prishtinës, rrugët me kalldrëm, aktivitetet e larmishme e të shumta kulturore, muzikën elektronike e klasike e në veçanti për jetën e ekzistencën jetësore, janë këto ndjesi që ky njeri i cili ka përballuar qëllimet e ndryshme qoftë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme të njerëzve si: dëmtimi, frikësimi, detyrimi, poshtërimi dhe lëndimi, të cilat vijnë si pasojë e bullizmit, të dyfishohen. Ndërsa, këto rrethana të krijuara gjatë periudhës specifike të jetës së tij kanë ndikuar që sot personaliteti i tij i fortë, për të cilin ai ka luftuar duke kapërcyer gardhin e përballjeve e përfunduar në triumf, kanë bërë që sot ai ta konsideroj veten si një ballon i cili është fryrë derisa ka marrë një formë dhe sot vazhdon të fryhet më lehtë. Pra, përballjet e tij të tanishme në jetë për të janë krejtësisht të lehta e normale.

Bullizmi si një dukuri shqetësuese sot është mjaft prezente jo vetëm në shkolla por edhe në shtëpi, lagje e rrugë. Të rinjtë janë gjithmonë të ekspozuar ndaj një rreziku që fshihet prapa dyerve fizike e shpirtërore, e njëri ndër këta të rinj dikur ishte edhe Berisha, i cili rrëfen për dy pikat më të rëndësishme në përvojën e tij personale.

Pika e parë fokusohet në kohën e luftës, një kohë kjo e vështirë për secilin që e ka përjetuar. Një 9 vjeçar në vitin 1999, përjetimi i tij tejet shokues me të gjitha ngjarjet si bombardimet, problemet dhe largimet e shumta kanë ndikuar përgjithësisht në shëndetin mendor të tij. Pastaj, në vitin 2001, atij i shfaqet problemi i parë në të folur, belbëzimi, manifestimi i së cilit ka evoluar jashtëzakonisht shumë përgjatë klasës së tetë e nëntë kur ai ishte në moshën 13 vjeçare. Krizat e shumta të tij në të folur, për herë të parë evokuan bullizmin nga ana e shokëve e shoqeve të klasës të cilët përmes shakave të shumta kanë krijuar ndjesinë e ndrojtjes në të folurën e tij ku guximi për tu pyetur me gojë në klasë ishte pothuajse jo ekzistues. Andaj, zgjidhja e vetme mbeteshin testet me shkrim, dukë bërë që ai të mbyllej akoma më shumë në strofullën e vet.

- Advertisement -

Vitet pasonin e problemi në të folur ishte ende pjesë e tij e përditshme e e pandashme. Vizitat tek logopedi e mjekë të ndryshëm ndihmuan që të fillonte një përmirësim gradual por gjurmët ende vazhdojnë të jenë pjesë e nënvetëdijes së tij duke i futur rrënjët në brendësinë e tij e ndikuar në karakter. Fjalimet publike, intervistat, dalja në televizione dhe fjalimet në vende të ndryshme, ende krijojnë një emocion tek ai e që shumëfishohet kur debatet fusin kokën në atmosferë dhe shkaktojnë stres e tension përbrenda duke bërë që zanoret si: a, e dhe i, të ndërlidhura me disa shkronja si: p, të jenë një vështirësi bezdisëse ndaj potencialit energjik të personalitetit të tij.

Pika e dytë fokusohet në periudhën kur pas kimioterapisë si pasojë e diagnostifikimit me sëmundjen e kancerit në moshën 15 vjeçare, për herë të parë filluan të dalin akne në fytyrën e tij duke ndikuar fuqishëm në reagimet e ndryshme të njerëzve në rrugë, shkollë e shtëpi. Shikimet e tyre, frika dhe ndrojtja e shprehur në fytyra, vinin si një thithje që kapte frymën e tij dhe e mbante pezull atë duke mos e lëshuar deri në momentin kur ai ishte përsëri vetëm. Shakatë e ndryshme rreth fytyrës, ngjasimet me karaktere të ndryshme që e kanë fytyrën e djegur, rekomandimet absurde ushqimore si mjete shërimi, fshehja e prezencës së tij nga pronarët në lokalin ku punonte, gënjeshtrat se nuk ka vend pune për të ku në po të njëjtin lokal ai vite më vonë performoi e lëshoi muzikë duke shprehur talentin e tij qoftë edhe nën hijen e një kapuçi që nuk ndahej nga koka e tij, fjalët e rënda nga personat familjar të cilat ai i cilëson si një thikë në zemër, dëshpërimi i vajzave kur shihnin atë në realitet gjatë adoleshencës ku ai kishte kuptuar rëndësinë që të shpërndash foto ashtu siç je në të vërtetë, e problemet socio-ekonomike, kanë përhapur ndjenja të ftohta e tejet rrezikuese duke bërë që ai të izolohet në vetvete, përhumbur krejtësisht në një farë depresioni që e shtyri atë që të trajtohet tek psikologu.

- Advertisement -

Për këto karakteristika të rrezikshme që janë përhapur përgjatë eksperiencave të tij të ndryshme, ekzistojnë edhe disa strategji parandaluese që ndihmojnë në këto rrethana e për Berishën, ajo se çka ndihmon më së miri është injorimi, dakordimi dhe shndërrimi i fjalëve bulliste apo ofenduese në një shkaka, si një mënyrë që personat përballë nuk do ta merrnin me mend që përdoret nga një njeri që preket emocionalisht me diçka që ai po e vuan.

Fëmijëria e tij, në një kohë kur nuk është përdorë as termi bullizëm, gjatë periudhës kohore nga viti 2004 deri në 2010, për të konsiderohet mjaft e vështirë ku ideja se shprehja e ndjenjave ndaj familjes ishte e paparamenduar për arsye se ai ndjehej si një barrë që po shkaktonte mërzi ndaj prindërve dhe gjyshes së tij duke shtyrë që eventualisht shumë vonë ai të hapte zemrën e tij po asnjëherë qind për qind ndaj gjyshes e cila ishte edhe mbështetja më e madhe për të në mesin e nënës, babait, gjyshit dhe ndonjë shoku të mundshëm.

“Më ka munguar një dashuri nga të tjerët përveç familjes dhe e vërej këtë edhe sot”, thekson ai.

Ndërsa, raporti në shtëpi ku ngushëllimet nuk mungonin nga ana e familjarëve e që në realitet atij iu dukeshin si një gënjeshtër e vogël nga ana e tyre dhe jashtë shtëpisë ku bullizimi kishte gjetur vend çdo ditë dhe ishte bërë pjesë e përditshmërisë, kanë krijuar një balancë jo të shëndetshme duke bërë që edhe ngushëllimet e fjalët e mira që vinin nga personat e dashur, ta lëndonin atë akoma më shumë.

Kurse, tani pas shumë vitesh, raportet me ata njerëz që kanë ndikuar negativisht në gjendjen emocionale të tij, ai i konsideron normale por që gjithmonë përbrenda tij ekziston një neveri ndaj atyre personave, individë këta të cilët Adriani konsideron se nuk kanë faj për shkak të problemeve sistematike në shoqëri.

Për njërën nga momentet më të vështira në rrugëtimin e ashtuquajturës ‘jetë’, e që do të mbetet në kujtesën e tij përgjithmonë e tregon vetë Berisha.

“Kujtoj një çast kur një vajzë erdhi në një lokal dhe na përshëndeti në faqe të gjithëve në tavolinë dhe në mesin e gjashtë shokëve aty, unë isha i vetmi ndaj të cilit iu zgjat vetëm dora. Ai moment ka qenë njëri nga përjetimet më të rënda në jetën time dhe sa herë e kujtoj, e kujtoj se si ka ndikuar tek unë e se si gjesti i saj më ka mbetur në kokë për dy javë rresht ku as nuk kam dal nga banesa. Ende e vërej që edhe pse 31 vjeçar, brenda meje frymojnë gjestet e tjerëve”, thotë Berisha.

Sipas tij, pajtimi me realitetin në pjesën e të folurit ka ardhur përmes ushtrimeve në frymëmarrje me gjyshen ku një përmirësim i jashtëzakonshëm u shfaq gradualisht nga porositë e përshkruara nga një mjek në Zvicër ku edhe përmirësimi në lëkurë ishte tejet i dukshëm.

“Aty fillova të çelem sepse unë isha sikur një lule e cila përbrenda ka qenë duke lulëzuar, por jashtë ka qenë tepër e vyshkur. Andaj krahas çeljes së lules, fillova me pas një kontakt me njerëz dhe fillova me kuptu që është thjesht sipërfaqësore sepse më e rëndësishmja është ajo se çfarë ke në përmbajtje, në brendësi. Mëdyshjet se unë isha i vetëm kundër botës u shndërruan në pyetjet ndaj vetes si: a je njeri i mirë dhe a ke dëshirë të shohësh botën mirë?”, shpalos Berisha.

Për të, pika më e dobët ishin dhe ende sot janë fëmijët ku dëshira e madhe për të luajtur me ta ishte në një nivel të lartë ndërsa ata iknin nga ai, andaj brenda vetes së tij ende ekziston një hezitim ndaj mënyrës se si ata reagojnë sepse gjithçka shihet në sytë e tyre e kjo ishte përjetuar shumë rëndë nga ai.

“Mesazhi im ndaj të gjithë atyre që janë duke e përjetuar të njëjtën gjë që e kam përjetuar unë do të ishte: Këmbëngulni, qëndroni vetja. E rëndësishme është ajo se çfarë keni përbrenda e jo ajo se çka jeni jashtë. Nëse je njeri i mirë dhe vepron mirë, është shumë më e rëndësishme se çfarë do tjetër. E keqja nuk mundet me të keqën por me të mirë sepse e mira gjithmonë triumfon”, thotë Berisha.

Në mesin e rrëfimit të tij, ai tregon se si në fakt ekzistojnë probleme të vazhdueshme të cilat vijnë si pasojë e mos edukimit të duhur në aspektin që në shkolla fillore nuk ekziston një psikolog/e që tregon se është krejtësisht normale bashkëbisedimi me prind apo persona të tjerë për diçka që e shqetëson një njeri. Andaj, këshillimi tek psikologu, prindërit e shoqëria është një hapësirë ndaj të cilës mund të hapet zemra e të shprazet nga brengat e ndryshme që posedon shpirti i njeriut.

“Disa nga mënyrat më efektive për parandalimin e bullizmit në shkolla do të ishin: fushatat e edukimit brenda shkollave, programet antibulliste, shfaqja e filmave të ndryshëm që krijohen rreth dhe për bullizmin, psikologët në shkollat fillore e të mesme jo vetëm për viktimat por edhe për ata që shkaktojnë bullizëm, funksionimi i lëndës së edukatës qytetare në ndërlidhje me mësime informuese e përmbajtësore për bullizimin”, thotë Berisha.

Tutje, ai kujton edhe një histori të cilin e kishte parë në rrjetet sociale ku një gjest i arsimtarëve të një shkolle fillore apo të mesme në Spanjë kishte frymëzuar shumë njerëz për arsye se kur një djalë kishte veshur një fustan në shkollë, ai ishte ofenduar nga pothuajse të gjithë, ndërsa ishin pikërisht arsimtarët që për tre muaj rresht kishin veshur fustane në orë të mësimit për parandalimin e këtij fenomeni.

Duke pasur parasysh që seksizmi, bullizmi dhe racizmi janë shumë të përhapur në qytetin e Prishtinës , është shumë e rëndësishme që ai së bashku me Drejtorinë e Kulturës, të përdorin artin në mënyrë që të përçohen mesazhe të fuqishme drejt këtyre anëve negative të shoqërisë tonë.

“Ndoshta jo shpeshherë, por kemi diskutuar me organizata të ndryshme joqeveritare të cilat funksionojnë në qytetin e Prishtinës në krijimin e programeve parandaluese. Me datën 1 qershor janë shfaqur katër filma që kanë pasur në përmbajtje bullizmin nëpër shkolla tonat fillore dhe të mesme. Në bashkëpunim të mirë me organizatën Etea, kemi diskutuar se si mundemi me kriju programe që të shpërndahen edhe në shkolla në mënyrë që fëmijët të mos vijnë në programe por programet të shkojnë tek fëmijët. Kjo nënkupton që na duhet një flotë e njerëzve sepse ka shumë punë të mëdha logjistike”, tregon Berisha.

Emocionet e jashtëzakonshme e të një niveli të lartë që ndikon në thellësinë shpirtërore janë disa nga dhimbje të cilat Berisha i ka përjetuar e që dëshiron që askush në planet të mos ketë rastin t’i përjetoj.

“Në të njëjtën kohë, unë tani qesh me disa situata por që brenda vetes e shoh se e kam një shenjë që kur e rikujtoj, përsëri emocionohem tepër”, thekson Berisha.

Ndërsa, krejt në fund ai ka ndarë edhe disa nga krenaritë më të madhe në jetën e tij e që ai i kujtonte me shumë kënaqësi.

“Njëra nga kënaqësitë më të mëdha në jetë është kur e kam takuar nënën pas tre viteve sepse nëna ka qenë në Kanada duke u kuruar dhe kur ka ardhur në Kosovë, ka qenë një kënaqësi që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Ndërsa, çmimin e triumfit si DJ më i mirë në Kosovë, zgjedhja në Ansambël dhe pozita e drejtorit në Drejtorinë e Kulturës janë po ashtu disa nga kënaqësitë e radhës”, thotë Berisha.

Tutje, pendesa më e madhe në jetën e tij do të konsiderohej nënvlerësimi i vetes së tij në situata të ndryshme.

“Jam penduar për shumë gjëra në jetë por nga çdo gabim që e kam bërë unë kam mësuar dhe jam munduar që ato gabime mos t’i përsërisë më, por besoj që njëra prej pendesave që kam në jetë është që shpeshherë e kam nënvlerësuar veten në situata të ndryshme dhe kam lejuar që njerëzit e tjerë të kenë aq shumë ndikim tek unë saqë më kanë penguar që të zhvillohem si një lule që unë jam”, përfundon intervistën Berisha për KultPlus.

Pas kësaj interviste që u shoqërua nën prezencën e lotëve, buzëqeshjeve, rikujtimeve dhe diskutimit rreth temës së bullizmit, intervista ruajti një ton origjinal deri në fund dhe përfundoi me një dakordim se ka ende shumë gjëra që mësojmë për krijimin e një të ardhme sa më të mirë e të cilat hedhin dritë mbi terrin e pranishëm që ka kapluar vëmendjen e prindërve, institucioneve dhe shoqërisë tonë, duke lënë një dilemë mbi tërësinë se ku prehet e mira nga e keqja. / KultPlus.com

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit