-0.4 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Studim- Si u shëndrruan kishat katolike shqiptare në kisha ortodokse serbe

Rekomandime

Shkruan: Dr. sc. Enver REXHA

- Advertisement -

Me gjithë hulumtimet nga ekspertët që janë bërë edhe kohëve të fundit në këtë drejtim, të cilat dihen dhe në masë edhe të publikuara, mendoj se janë të pakta dhe ende jo të plota. Rezultatet e deritanishme në këtë drejtim, njoftojnë se, një numër i monumenteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës që nga kohët e lashta të ekzistencës së tyre që janë zbuluar nuk do të kenë vetëm rëndësi kombëtare shqiptare, por ato në shumë aspekte i kapërcejnë edhe kufijtë, me ç’rast hyjnë në historinë e kulturës botërore.

Kosova, sot paraqet një burim të begatshëm të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të periudhave të ndryshme historike, duke filluar që nga parahistoria e deri në ditët tona të cilat veçohen për nga vlerat, cilësitë dhe rëndësia historike e tyre. Njëherit, ato tregojnë për rrjedhën dhe vazhdimësinë e jetës njerëzore, formacioneve kulturore, qytetërimeve etj., të popullatës së këtij vendi. Në fondin e këtyre veprave të trashëgimisë bëjnë pjesë edhe objektet sakrale, të kultit, të realizuara nëpër periudha kohore.

Ne në këtë punim do të fokusohemi kryesisht në monumentet e kultit, në kishat dhe manastiret katolike e ortodokse, në zhvillimin e tyre gjatë periudhës mesjetare dhe më pas. Po ashtu, do të përqendrohemi kryesisht në propagandën e Akademisë së Shkencave dhe historiografisë serbe të cilat duke u nisur që nga shekulli XIX-XX e në vazhdim deri në ditët e sotme, nuk zgjedhin mjete që në punimet e tyre “shkencore” të shumta të paraqesin qëndrimet, tendencat për përvetësimin e monumenteve të kultit të krishterë’kishave dhe manastireve “ortodokse” që ekzistojnë sot në Kosovë, duke u prononcuar se janë të tyre.

- Advertisement -

Për më tepër, qëndrimet pseudoshkencore e propagandistike të historiografisë serbe paraqiten me tezat se: çdo gjë në aspektin e monumenteve dhe të trashëgimisë kulturore sot në Kosovë është kinse trashëgimi “serbe” ose “kulturë serbe”; shqiptarët nuk kanë “asnjë gjurmë të trashëgimisë kulturore”, përveç Kullave, të cilat kinse i ndërtuan pas “ardhjes” dhe “vendosjes” së tyre në trevat e Kosovës gjatë shek. XVIII-XIX; shqiptarët përjashtohen nga çdo e drejtë mbi “tokën e shenjtë serbe” të Kosovës ku gjinden “qindra” monumente “shpirtërore” të shtetit mesjetar “serb”, e plot qëndrime të afërta me këto, na shtyn që të merremi me këtë studim.

Të dhënat historike tregojnë se, trevat ilire (shqiptare) kanë hyrë në literaturën sakrale pikërisht që nga koha e Apostolit Shën Pali (shek. I), nga i cili kemi dëshminë: “Kështu prej Jerusalemit rreth e përqark deri në Ilirik e kam kryer plotësisht detyrën time të përhapjes së lajmit të gëzueshëm mbi Krishtin”. Me zyrtarizmin e krishterimit, sipas Ediktit të Milanos më 313, kur organizimi kishtar u legalizua edhe në trevën e Dardanisë (Kosovës, E.R.), kuptojmë se përmes statusit të veçantë administrativ e juridik, Dardania, do të ketë edhe qendrën e Ipeshkvisë ose Mitropolinë të sanksionuar me Koncilin e Nikesë të vitit 325.

- Advertisement -

Siç dihet, pas ndarjes së Perandorisë romake në lindje dhe në perëndim, më 395, Iliriku administrativisht bën pjesë në Perandorinë e Lindjes, ndërsa në pikëpamje kishtare do të mbetet nën influencën e Romës. Gjatë shekullit IV-VI organizimi kishtar në Iliri mori hov të madh sa që dihet se vetëm në Dardani (Kosovë, E.R.) u ngritën 5 deri në 7 ipeshkvi. Në kohën e perandorit Justinian (525-565) fillon një epokë e re në jetën e kishës Dardane.

Perandori Justinian e riorganizoi kishën dhe në këtë mënyrë krijoi një provincë të re të pavarur kishtare së cilës i dha një rol të rëndësishëm në këtë pjesë të Perandorisë. Perandori Ilir, Justiniani, gjatë vitit 535 e shpalli novelën e XI’të, me të cilën vendin e vet të lindjes, Justinianën e Parë, e shndërroi në qendër të madhe kishtare me një hapësirë të gjerë të territoreve të Perandorisë ku përfshihen: Dardania, Dacia Mediterania, Dacia Ripensis, Mysia, Prima, Prevalitana, Maqedonia e Panonia Secunda.

Në kuptimin e sotëm gjeografik, Justiniana e Parë nën ekzarkatin e saj kishte Serbinë, Sremin Lindor, Bullgarinë Perëndimore, Maqedoninë Veriore, Kosovën dhe Malin e Zi. Më pas, me invadimin e barbarëve (sllavo-avar) në trevat ballkanike do shihet se asokohe do ndërronte edhe harta kishtare e Dardanisë. Nga kjo kohë do të shohim se kisha e Dardanisë më vonë do të bëhet gjithnjë element më i fortë krishterizues edhe i ardhësve sllavë në Gadishullin Ballkanik që nga shek.VII-X’të.

Gjatë kësaj periudhe pësojnë dëme të mëdha selitë ipeshkvore e arkipeshkvore siç janë: Justiniana Prima, Shkupi, Justiniana Seconda (Ulpiana, E.R), Nishi e Remesiana. Gjatë këtyre invadimeve do të ndërpriten lidhjet përkohësisht edhe me Papatin, për t’u shkëputur për një kohë të gjatë sidomos në shekullin VIII, kur Iliriku Lindor do të shohim se do ti bashkëngjitet Konstantinopojës. Por, do dihet gjithashtu se, jashtë ndikimit të kishës bizantine mbeti edhe për një kohë Ipeshkvia e Shkupit dhe e Prizrenit. Këtej Justiniana Prima, deri në vitin 732, ishte qendër kishtare nën juridiksionin e Romës. Pas kësaj periudhe, në kohën e perandorit bizantin Leonit III’të, ipeshkvitë e Ilirikut u shkëputën nga vartësia e Romës duke iu nënshtruar qendrës së Konstantinopojës.

Ndryshime të dukshme në vijim do të ndodhin edhe gjatë kohës së sundimit bullgar (893-971) në këto treva, kur Ipeshkvia e Prizrenit do të gjendet nën përbërjen e kishës bullgare. Pas vitit 971, territori i Ipeshkvisë së Prizrenit do t”i takonte Arkipeshkvisë së Bizantit deri në vitin 976. Me formimin e Perandorisë bullgare të Samuilit, territori në fjalë, prapë do të gjendet nën juridiksion e Mitropolisë së Ohrit, që aso kohe, ishte shpallur kishë e pavarur mitropolite në rangun e Patrikanës. Pas rënies së Perandorisë së Samuilit më 1018, perandori bizantin Vasili II’të, Patrikanën e Ohrit e uli në rangun e Mitropolisit, por ia la pavarësinë mbi 31 dioqeza.

Kështu, në bulën e Vasilit të II’të (1020) përmendet edhe Ipeshkvia e Prizrenit, që tregon se, asokohe ipeshkvia gjendet nën juridiksionin e Arkipeshkvisë së Ohrit. Ipeshkvia e Prizrenit aso kohe, ishte e rangut të tretë dhe përfshinte territore: Hvosnen, Leskovcin, Deçanin, Pejën. Selia e Peshkopatës së Prizrenit ishte kisha e Shën Prenës. Në Kartën e Stefan Deçanit (burimi shek. XIV, E.R) thuhet se, kisha e Shën Prenës (në Prizren) ka ekzistuar që nga kohërat e “mbretërve të stërlashtë”. Dëshmia e dytë e shkruar e vitit 1204 është ajo e cila tregon se, që nga koha kur perandori bullgar Kalojani (1197-1207), ripushtoi shumë territore nga sundimi bizantin, kuptohet edhe territore të Kosovës, ekzistonin ipeshkvitë e Shkupit dhe të Prizrenit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit