6.4 C
Pristina
Tuesday, March 26, 2024

Sveçla: Po bashkëpunojmë me KFOR’in, dy komunat në karantinë me vendim të MSH’së

Rekomandime

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Mitrovica e Veriut dhe e Zveçanit janë vendosur në karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe me rekomandim të ekspertëve shëndetësorë.

- Advertisement -

Reagimi i Sveçlës erdhi pasi masat e para në Veri u morën si pasojë e vendimeve të autoriteteve lokale dhe atyre të Serbisë.

“Komuna veriore e Mitrovicës dhe komuna e Zveçanit janë vendosur në karantinë për shkak të 16 rasteve të testuara pozitivisht me Covid-19. Sipas vlerësimeve dhe kërkesave të ekspertëve shëndetësorë, Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, në bashkërendim me të gjitha Institucionet ka ndërmarrë vendimet dhe masat e duhura gjithnjë. Ai është në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me dy kryetarët e këtyre dy komunave dhe autoritetet përgjegjëse. Unë, si ushtrues i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj, jemi në koordinim të plotë me Ministrin Vitia. Po ashtu bashkëpunimi me KFOR-in është permanent dhe tejet i mirë. Të gjitha institucionet përgjegjëse po përcjellin situatën pandërprerë në mënyrë që reagimi i tyre të jetë konform gjendjes”, ka njoftuar Sveçla.

Ai ka bërë thirrje të respektohen masat e kërkuara dhe të mos përhapet panik.

- Advertisement -

“Shteti ynë ndodhet para sfidës me të cilën shumë vende në mbarë globin po ballafaqohen. Mbrojtja e shëndetit dhe jetës së qytetarëve ndodhet mbi të gjitha. Që ne të jemi sa më të sukseshëm në këtë qëllim ne ftojmë të gjithë të kontribuojmë në tejkalimin e kësaj situate duke përsëritur apelet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik e jo duke shpërndarë dezinformata apo informata të paverifikuara”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të Republikës së Kosovës, ku dy komuna atje janë duke respektuar masat për karantinim të vendosura nga Beogradi.

- Advertisement -

Thaçi ka thënë se një situatë e tillë e krijuar në komunat e veriut është e papranueshme dhe është rrjedhojë e ngelizhencës së Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur ata njerëz dhe integritetin territorial të Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai tutje ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk guxon që të lejojë që pjesa veriore të funksionojë nën direktivat e Beogradit, duke qenë se kështu i krijohet hapësirë Serbisë që të veprojnë brenda territorit të Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit