3.9 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Të njohësh historinë, s’është punë qejfi

Rekomandime

NGA: GJOKË DABAJ

- Advertisement -

Serbët, në të gjitha kohët, janë sjellë, sillen dhe do të sillen si agresorë. Prej tyre është e kotë të kërkosh tjetër sjellje. Ata janë të ardhur këtu dhe, e pakta qysh në shekullin IX e kanë formuluar strategjinë e mbijetesës në këto hapësira të uzurpuara. Të uzurpuara, midis të tjerash, me meritën edhe të perandorëve të Bizantit, por edhe të Papatit të Romës.

I kanë uzurpuar këto toka, janë vendosur në këto toka si sclavenë, si skllevër, dhe, mbas nja tre shekujsh, më në fund, e kanë kuptuar që, pa një organizim strategjik, nuk do të mund kurrsesi t’i rezistonin asimilimit nga lashtovendësi.

Themeluesit, ndoshta është më mirë të them, nxitësit disi pa dashje të një të tillë strategjie, kanë qenë misionarët e krishtërimit, kryesuar prej kryepriftërinjve Cirili dhe Metodi.

- Advertisement -

Cirili dhe Metodi, sigurisht ndryshe nga urdhëruesit e tyre, ndoshta s’e kanë pasur aspak qëllimin për t’i bërë skllavenët zotër të këtyre tokave. Ata kishin për qëllim vetëm të përhapnin midis këtyre popujve fenë e krishterë dhe, meqë skllavenët nuk mblidhehin nëpër kisha pa ua predikuar besimin në gjuhën e tyre, Cirili e Metodi, në krye të një armate meshtarësh, vendosën t’ua thonë skllavenëvet liturgjinë në gjuhët e tyre.

Ky ishte momenti fatlum për të gjithë popujt skllavenë, që nga vendet tanë, ku një pjesë e tyre kish imigruar, e deri në vendet e tyre të origjinës. Në të njëjtën kohë ky ishte edhe momenti fatkeq për të parët tanë, ilirët, sepse ata nuk e kishin kuptuar dhe nuk po donin ta kuptonin që, po të donin të mbijetonin në këtë botë (tashmë të krishterë) ritin fetar do të duhej ta praktikonin në gjuhën ilire. Nuk e kishin kuptuar, por edhe nuk i kishin lënë ta predikonin ungjillin në gjuhën e vet!

- Advertisement -

Ky është edhe thelbi i tragjedisë sonë dhe tani jemi rrëgjuar aq keq, edhe në ndërgjegje, sa emrin Shqipëri e përdorim vetëm për aq hapësirë sa na ka lënë Konferenca e Londrës: nga Vërmoshi në Konispol.

Dy shekuj mbas Cirilit dhe Metodit, skllavenët tashmë e kishin kuptuar qartë se, pa kishë autoqevale, bullgare, sërbe, ruse, gjuha e tyre nuk do të mund të mbijetonte. Krijuesi i kishës autoqefale sërbe ishte Sava Nemanjiqi. Ndërkaq, një formë e autoqefalisë, sado që nën qeverisjen e Vatikanit, ka ekzistuar qysh heret edhe ndër kroatët katolikë.

Në këto rrethana, popullatavet ilire, të cilat nuk ishin të pakëta në krejt atë pjesë të atdheut të tyre, që nga Alpet e Evropës deri përtej Moravës e Vardarit, ua sollën rrethanat që ritet e fesë t’i kryenin tashmë jo në gjuhën latine apo greke, por në gjuhën sllave. Duke praktikuar ritet e krishtërimit në gjuhën sllave, ilirët e atyre hapësirave kanë hyrë përgjithësisht pakthyeshëm në rrugën e sllavizimit. Romës edhe Bizantit u ka interesuar më shumë që ilirët të bëhen sllavë, se sa të mbeten ilirë.

Procesi i sllavizimit të ilirëvet në hapësirat e asaj pjese të Ilirisë, ku mesha thuhej sllavisht, nuk ka qenë as i shkurtër dhe as lehtësisht i pranuar. Janë dashur shumë breza, shumë gjenerata ilirësh, deri sa ata të harronin apo gjysmëharronin se dikur nuk kanë qenë sllavë.

Në disa pjesë të këtyre hapësirave ka pasur edhe rezistencë të organizuar. E tillë ka qenë Lëvizja e bogumilëvet në Bosnjën e sotme dhe më gjërë, të cilën Stefan Nemanja e mbyti në gjak, krim ky i miratuar edhe prej Bizantit, edhe prej Romës, sepse bogumilët quheshin heretikë. Ashtu siç edhe ishin në të vërtetë, sepse, si popullatë, e gjenin veten të papërkrahur nga asnjëra prej dy kishave. Kroatëvet u jepej e drejta e meshës në kroatisht, sërbëvet u jepej e drejta e meshës në sërbisht (meshë, predikin, lutje, pagëzim, kurorëzim, varrim, të gjitha në gjuhën e besimtarëvet) ilirëvet nuk u jepej kjo e drejtë. Cili dreq e kish fajin këtu?! Klerikët e lartë të të dyja qendravet, vetë pasanikët dhe pushtetmbajtësit ilirë, apo të dy së bashku, në dëm, në tjetërsim dhe në ngushtim të pandërprerë të etnisë ilire?!

Mbuluar me tym e mjegull, kësaj lëvizjeje ilire në Bosnjën e sotme, edhe emri iu shpjegua në gjuhën e sllavëvet: bogumil, perendidashës dhe u harrua, pa u trajtuar si duhej as në analizat e mëvonshme të historisë.

Që të kuptohej kush ishin të quajturit bogumilë, nuk mjaftonin njohjet e sipërfaqshme. Madje, prandaj me sa duket dhe është mbyllur ajo punë.

Bogumilët kishin librat e vet. Stefan Nemaja, një sërb që kish arritur të lindë thjeshtë falë humanizmit të arbërvet grykakotorras, i vrau me mijëra bugumilë dhe i dogji, në sheshet e vendbanimevet, të gjithë librat e tyre. Por, në ç’gjuhë ishin shkruar ata libra?! Askush s’është marrë me këtë punë!

S’është marrë, sepse shpjegimi i ngjarjes duhej filluar qysh prej shpjegimit të emrit Bog, perendi. Kush guxon t’i hyjë telashit për t’u thënë sllavëvet që emri Bog nuk është emër sllav?! Shpjegoju sllavëvet emrin e zotit, të cilit ata i luten me aq devocion dhe e ke zbehur krejt teologjinë e tyre! Thuaju që ai zot, të cilit ata i luten, s’është zoti i tyre dhe i ke çarmatosur!

Emri Bog, me kuptimin Zot, perendi, lidhej pa dyshim me emrin e perendisë antike Baku, që u mësonte njerëzvet si punohet toka, si kultivohen bimët, midis të cilavet edhe hardhia, si dhe si prodhohet dhe si pihet vera. Pra, fjala Bog është një fjalë që sllavët e kanë marrë prej këndej, prej banorëvet shumë të lashtë të këtyre hapësirave. Në gjuhën shqipe kjo fjalë jeton në emrat Bukë, Bagëti dhe Bagëm (Nata e Bagëmit). Ndër sllavët e sotëm, emrin e Bakut (Bogut) e gjejmë edhe te fjalët Bogat, i pasur, Bogatash, pasanik etj, emërtime që i gëzonte në Mesjetë kushdo që kish shumë Bagëti.

Pra, kush mund të ishin Bogumilët dhe si do të jenë emërtuar ata në variantin iliro-arbërisht?! Mos ishin të pëlqyerit e perendisë, Baku-Mil, i ambli i Bakut?! Ose ndonjë shartim midis besimit të tyre të hershëm dhe krishtërimit aktual?! Në ç’gjuhë qenë shkruar librat e bogumilëvet, që i dogji Stefan Nemanja?! E gjithë kjo ka mbetur e pashpjeguar, ose e shpjeguar krejt përciptazi.

Mbas katër apo pesë shekujsh, kohë kur ilirët hoqën të zitë e ullirit në përballje me procesin e egër të sllavizimit, erdhi në viset e Ilirikut edhe invazioni osman. (Invazion, i cili, për faqe të zezë, ia ndryshoi edhe emrin këtij gadishulli!)

Përveç arbërvet, islamizmin e pranuan edhe boshnjakët. Ç’është kjo dukuri e çuditshme?! Përse vetëm arbërit dhe boshnjakët, ish-bogumilët, e jo etnitë e teja?!

Njëri prej shpjegimevet duhet të jetë edhe ky: Në të gjitha kohët, qysh prej lindjes së krishtërimit, ka pasur kontradikta të mëdha midis dy qendravet të krishtërimit, Romës edhe Konstantinopolit nga të dyja anët, dhe etnisë së madhe ilire, gjeografikisht midis atyre dy kryekishave. As njëra, as tjetra kryeqendër kishtare nuk e ka lejuar liturgjinë në gjuhën ilire. Duket sikur të dyja këto qendra të mëdha religjoze ia kishin frikën Ilirisë dhe, si rrjedhojë, ata i persekutuan dhe i poshtëruan ilirët me gjithfarë mënyrash. Me zjarr edhe me pambuk, me shkop edhe me pupël!

Kështu, sapo erdhën këtu turqit e islamizuar, edhe arbërit, edhe boshnjakët, pinjoj të ilirëvet, njëri i pasllavizuar e tjetri përgjysmë i sllavizuar, gjetën mënyrën për ta sikterisur patronatin sfilitës dhe të bezdisshëm të katoliko-ortodoksëve. Jo se islamizmi ishte më i mirë (si edhe bogumilizmi i dikurshëm), por sepse islamizimi realizonte për ne dallimin. Iliro-arbërit kishin nevojë të dalloheshin midis etnitetevet të tjerë! Kishin nevojë, po them, të dalloheshin, sepse ishin etni më vete, shekull pas shekulli të ndryshëm nga të tjerët, në radhë të parë në gjuhë e pastaj edhe në shumë aspekte të tjerë. Jo thjeshtë etni më vete, por ishin një e atillë etni, nga gjuha dhe kultura e së cilës janë ushqyer, janë furnizuar gjuhët dhe kulturat e shumë popujve të tjerë.

…E njëjta dukuri, i njëjti bekim (ose mallkim) po na ndjek edhe sot: BE-ja po nxjerr sebep pas sebepi, vetëm e vetëm që të mos ulet me ne në të njëjtën tryezë! Ka frikë Evropa prej nesh, sepse është, pikërisht dhe më shumë se pikërisht, mu ashtu siç e ka quajtur, në kohën e vet, atë Gjergj Fishta, shpirti i ndrittë!

Ndërkaq, ne shqiptarët duhet të thellohemi në historinë tonë. Ne shqiptarët duhet ta njohim mirë historinë tonë dhe të mbahemi fort pas asaj historie! Përndryshe… mbaruam!

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit