6.6 C
Pristina
Tuesday, March 26, 2024

Thaçi paralajmëron samit Kosovë-Serbi në Francë

Rekomandime

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar mbajtjen e një samiti në Francë, në mes të Kosovës dhe Serbisë, në javën e tretë të korrikut.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Thaçi ka thënë se për këtë gjë është diskutuar edhe me vetë presidentin francez, Emmanuel Macron.

- Advertisement -

Ajo që ne veç jemi të informuar dhe natyrisht që kemi diskutuar me zyrën e presidentit Macron por edhe më herët edhe me vetë presidentin Macron, Franca pritet të jetë mirëpritëse e samitit në mes të Kosovës dhe Serbisë në javën e tretë të korrikut”, ka thënë Thaçi gjatë intervistës.

Sa i përket takimit të 27 qershorit mes përfaqësuesve të Kosovë dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Kosovës, ka thënë se ky organizim përbën mundësi të artë për arritje të marrëveshjes në mes të këtyre dy vendeve.

Ky takim do të ndërmjetësohet nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për këtë dialog, Richard Grenell.

- Advertisement -

Ne jemi duke punuar seriozisht si institucione të Kosovës.

Ne shkojmë me vullnetin që të bëjmë përparim, përparim substancial në qasjen që ne pretendojmë të punojmë. Kemi besim të plotë në përkushtimin e ambasadorit Grenell, dhe tash gjithë ekipit të administratës së Shteteve të Bashkuara që do të kyçen.

- Advertisement -

Në anën tjetër mendoj që është një mundësi që asnjëra palë nuk dëshiron ta humbë, sepse një qasje negative që mund të paraqitet aty do të jetë natyrisht me një çmim, dhe Kosova nuk është e gatshme të paguajë çmim, por është e gatshme të shfrytëzojë mundësinë për arritje të një marrëveshjeje të rëndësishme për konsolidimin e shtetit në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”, është shprehur Thaçi.

Sipas tij, nëse nuk arrihet marrëveshje me këtë datë, Kosova dhe Serbia do të jenë humbëse.

Nëse arrihet marrëveshje të dyja palët do të jenë fituese e me këtë fiton edhe vlera euro-atlantike dhe natyrisht përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës tregohet i saktë në vendosmërinë që të arrihet një marrëveshje në mes vendeve dhe popujve të armiqësuar tash e më tepër se një shekull dhe këtë mrekulli të marrëveshjes unë besoj që mund ta bëjnë aktualisht vetëm e vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidershipi i presidentit Trump dhe përkushtimi që po tregon ambasadori Grenell”.

I pyetur nëse përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian përbëjnë procese të ndara në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, presidenti i Kosovës ka thënë se të dyja palët kanë një synim.

“Nuk janë të ndara. Kanë një synim; përmbylljen e një angazhimi tash e më tepër se tri dekada të konfliktit Kosovë-Serbi. E ardhmja e Kosovës është e ardhme evropiane.

Unë jam takuar me zotin Lajçak, është me rëndësi që Bashkimi Evropian të qëndrojë, të jetë unik në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Është për të ardhur keq që Bashkimi Evropian po dështon me Kosovën sidomos me çështjen e liberalizimit të vizave që në fakt pavarësisht implementimit të të gjitha kritereve nga ana kosovare vazhdon ai dështim për Kosovën dhe izolim krejt i panevojshëm ndërsa e kam theksuar dhe e ripotencoj; së pari duhet të ndodhë liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian pastaj të punojnë në procesin e dialogut dhe njohjes reciproke.

Por ajo që dua të potencoj në të njëjtën kohë është se unë mendoj se të dyja proceset do ta plotësojnë njëra tjetrën por Shtetet e Bashkuara janë një hap përpara, janë më të qartë, më të saktë, më të shpejtë, më precizë dhe më të vendosur që të arrihet kjo marrëveshje.

Presidenti i Kosovës, ka thënë vazhdimisht se shpreson që ky takim mund të rrisë shpresat për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë ditë më parë se, temë e takimit nuk do të jetë pranimi i pavarësisë së Kosovës, por çështjet ekonomike.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Ai është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, por qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit