4.9 C
Pristina
Monday, March 25, 2024

Zbardhet skema e krimit të organizuar në veri, publikohen edhe emrat e kontrabanduesëve

Rekomandime

Veriu i Kosovës gjithmonë ka qenë strehë për kriminelët që e kanë sfiduar shtetin e Kosovës.

Në pjesën e dytë të hulumtimit zbardhen skema të kontrabandimit dhe pjesëmarrësit që nuk pyesin për ligj.

- Advertisement -

Sipas hulumtimit që ka në shënjestër veriun e Kosovës, shfaqen përpjekjet e sistemit të drejtësisë për t’i dënuar kontrabandistët, e që janë pa rezultat.

Gjithashtu tregohet fakti se të gjithë të arrestuarit dhe shpallurit në kërkim në aksionin e 13 tetorit për krim të organizuar dhe kontrabandë janë recidivistë.

Për dhjetë vjet ndaj tyre institucionet ligjzbatuese kanë shqiptuar gjoba në rastet kur janë zënë nën vlerën prej 5 mijë euro, e në rastet kur janë zënë me mall mbi këtë vlerë, i kanë rënduar me kallëzim penal.

- Advertisement -

Media ka siguruar raste kur kontrabandistët janë zënë në vepër, janë gjobitur, por kanë vazhduar veprimtarinë.

Shembulli tipik është i dyshuari Maliq Nimani nga fshati Vaganicë i Mitrovicës, i arrestuar me 13 tetor.

- Advertisement -

Nimani, si 22 vjeçar kishte marrë përsipër tregtinë me naftë në një kohë kur veriu i vendit ishte destinacion i shumë kosovarëve për shkak të çmimit tejet të ulët.

Në vitin 2012 ai kishte bërë ngarkimin e derivateve të naftës në sasi prej 1650 litra dhe vlerë të 1 mijë e 175 eurove, pa dokumentacion. Për këtë atij i ishte konfiskuar nafta dhe i ishte shqiptuar gjoba prej 5 mijë euro. Por, as kjo shumë nuk ishte problem për Nimanin që të vazhdoj dhe të merret me tregti ilegale.

Po ashtu recidivist i kontrabandës ishte Muhamet Vallqi, një nga më të rinjtë e akuzuar për krim të organizuar dhe kontrabandë të mallrave.

Për të Shqip ka siguruar vetëm për vitin 2021, pesë aktvendime.

Në shkurt të këtij viti, Vallqi ishte kapur në rrugën Kijevë- Llapushnik duke tentuar të shpërndaj pije joalkoolike. Për çka si fillim është dënuar me 500 euro.

Në po të njëjtin muaj, me 27 shkurt, Vallqi kontrabandimin e lëngjëve e kishte ndërruar me atë të kafshëve. Policia iu vu pas, por ai nuk u ishte bindur.

Dy muaj pas këtij rasti, me 20 prill Vallqi kishte arritur t’u ikë sërish autoriteteve.

Derisa po barte pije të gazuara, në Mamushë ai kishte lënë fugonin me gjithë çelësa, duke ia mbathur nga vendi i ngjarjes. Si rrjedhojë, furgoni bashkë me sasinë e mallit ishin dërguar në terminal. Por, i njëjti nuk i ishte përgjigjur gjobës doganore, asaj për kundërvajtje.

Ndërsa, me 2 korrik, ai ishte ndaluar në rrugën Klinë- Pejë nga njësitet antikontrabandë, ku me ç’rast përveç mallit të kontrabanduar, pijë joalkoolike, ishte vërtetuar se edhe vetura Peugeot Boxer ishte e pa zhdoganuar. Si rrjedhojë gjoba ndaj tij kishte shkuar në këtë rast në 3 mijë euro.

Sërish më 7 shtator, rreth një muaj para se të arrestohej nga policia, ai ishte zënë prapë me pije joalkoolike në fshatin Koshtovë të Mitrovicës.

Me gjithë se vlera e mallit ishte 813 euro, për shkak të rasteve të shpeshta të zënies në kontrabandë, atij vlera e gjobës këtë radhë i ishte shqiptar 1500 euro.

Ashtu sikurse Muhamet Hyseni, Milos Vicentijevic, Maliq Nimani, Muhamet Vallqi edhe të tjerët dyshohet se ishin në shërbim të Besim Zeqirit i njohur si Kaça, për ta bërë pranimin dhe shpërndarjen e mallit të kontrabanduar.

Ata ishin në vazhdimësi në shënjestër të njësiteve anti- kontrabandë të Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

Në mesin e tyre, i arrestuar pas aksionit të 13 tetorit është edhe Fitim Latifi nga Koshtova e Mitrovicës, fshati i fundit para se të arrish në komunën me shumicë serbe të Zubin Potokut.

Për Latifin, media ka siguruar kallëzimin e fundit penal që njësitet antikontrabandë e kanë bërë me 12 qershor 2021. Ky rast është shembulli tipik se si shqiptarët dhe serbët ndajnë përgjegjësit.

Janë serbët ata që përkujdesën që malli të futet nga Serbia deri në komunat veriore me shumicë serbe në veri të vendit përmes rrugëve ilegale ndërsa janë shqiptarët ata që bëjnë shpërndarjen në pjesët e tjera të vendit.

Bashkëpunimi i shqiptarëve me serbët në veri të vendit, aty ku vija kufitare nuk monitorohet nga autoritetet e Kosovës, është bërë sfidë në vete për institucionet tash e 21 vjet.

Në periudhën 2017 deri tetor 2021, dogana ka arritur që në regjionin e Mitrovicës të zbuloj 263 raste të kontrabandimit duke sekuestruar mall në vlerë të 480 mijë eurove.

Derisa pranë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë janë dorëzuar 95 kallëzime për vlera malli prej 324,373 mijë euro. Këto kallëzime penale nuk janë për 95 njerëz, por shumica janë për të njëjtit.

Ata e kanë gjetur formulën.

Tashmë e dinë që edhe po i zuri policia – disi, diku, në një hallkë të shtetit, do ta gjejnë mundësinë të lirohen, për t’u kthyer përsëri në komoditetin e ilegalitetit të tyre.

Media në këto dy pjesë ka arritur të zbulojë vetëm një numër të vogël të ilegaliteteve në Veri, pasi krimi atje është mal i dendur. Skemat kriminale i mbajnë, ligji me këto gjoba minore, ua lehtëson punën, kurse pasuria rritet e shteti varfërohet.

Qeveritë në Prishtinë ndërrohen, Veriu i egër mbetet i njëjtë. Derisa politikanët luftojnë me retorikën e tyre për mandate katër vjeçare, kriminelët në veri kanë betonuar mandatin e tyre të përhershëm.

 

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit