Presidenti i SHBA-së Joe Biden nënshkroi një ligj të ri për mbrojtjen kombëtare (NDAA) për 2022, i cili mundëson një buxhet prej 770 miliardë dollarësh për mbrojtjen, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Në fillim të këtij muaji, ligji u miratua në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, pasi mori mbështetje të madhe nga demokratët dhe republikanët, kujton Reuters.
Buxheti është rreth pesë për qind më i lartë se viti i kaluar dhe është rezultat i një kompromisi midis demokratëve dhe republikanëve, pasi ligji ishte shtyrë më parë nga mosmarrëveshjet midis dy partive kryesore mbi politikat ndaj Kinës e Rusisë.
Pagat e ushtarëve do të rriten me 2.7 për qind dhe është planifikuar blerja e më shumë avionëve dhe luftanijeve në mënyrë që SHBA-ja të përballet më mirë me kërcënimet gjeopolitike, veçanërisht nga Rusia e Kina, shton agjencia britanike e lajmeve.
NDAA përfshin, ndër të tjera, 300 milionë dollarë për Iniciativën e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës, e cila është mbështetje për forcat e armatosura të Ukrainës, dhe 4 miliardë dollarë për Iniciativën Evropiane të Mbrojtjes dhe 150 milionë dollarë për Bashkëpunimin e Sigurisë Baltike.